Daniel Timmer
Libri i Nahumit nuk lexohet edhe aq lehtë. Megjithëse mesazhi i gjykimit kundër Asirisë tregon se Perëndia nuk do ta lërë mëkatin të ngadhënjejë, nuk është aspak e lehtë ta vlerësosh si duhet mënyrën se si libri e kremton rënien e Ninivës apo ta kapësh lidhjen mes ungjillit dhe përqendrimit të vazhdueshëm te ndëshkimi. Këto dhe çështje të tjera të lidhura me interpretimin e tij mund të trajtohen si duhet nëse lexuesit i mbajnë parasysh tri pikat e mëposhtme.
1. Ungjilli përbën kontekstin e mesazhit të Nahumit (Nahumi 1:2-8).
Pjesa hapëse e librit, Nahumi 1:2-8, ka një ton qartazi negativ. Nahumi e merr të mirëqenë se të gjitha qeniet njerëzore dhe jo vetëm asirianët (të cilët nuk përmenden në këtë pjesë), qëndrojnë zbuluar përpara drejtësisë së përsosur të Perëndisë (Nahumi 1:2-3, 5-6, 8). Për pasojë, është një lajm tej mase i mirë që Perëndia është po ashtu një “fortesë në ditën e fatkeqësisë”, duke u ofruar “strehë” prej të njëjtit gjykim atyre që i zënë besë mëshirës së Tij (Nahumi 1:7).
Duke qenë i vendosur në fillim të librit, ky fragment shërben si një çelës interpretues për pjesën tjetër të librit. Mëkati i hershëm i Judës, vendimi i hirshëm i Perëndisë për t’i dhënë fund vuajtjes së tij (Nahumi 1:12), si dhe stuhia e gjykimit që do të bjerë mbi Asirinë, janë të gjitha prototipet e veprës së dyanshme të Perëndisë për gjykim dhe shpëtim. Veç kësaj, pavarësisht nga nënshtrimi i pandalshëm i Asirisë ndaj së lashtës Lindje të Afërme, duke përfshirë këtu edhe mbretërinë veriore të Izraelit rreth një shekull përpara Nahumit, ndërhyrja e Perëndisë do të demonstrojë se pretendimet e perandorisë për supremaci janë të rreme, siç ishin edhe shpalljet e saj se kjo supremaci qe bërë e mundshme prej perëndive të saj.
2. Asiria nuk është armiku përfundimtar i Perëndisë.
Megjithëse Nahumi e dënon fuqimisht Asirinë dhe posaçërisht kryeqytetin e saj Ninivën, shumë prej asirianëve nuk ishin përfshirë në agresionin e ndërmarrë nga vendi i tyre, dhe disa të tjerë ishin izraelitë të pushtuar. Faktikisht, libri përqendrohet vazhdimisht te mbretërit e Asirisë (Nahumi 1:11, 14), forcat e armatosura (një pjesë të mirë Nahumit 2), si dhe të tjerë të përfshirë në programin kombëtar të shfrytëzimit dhe vetëpërlëvdimit, si dhe zbulon se gjykimi i Perëndisë do të bjerë në radhë të parë mbi ta. Perandorëve të tillë si Esarhadoni (sundoi në vitet 681-669 para Krishtit), i cili e shpallte veten si “mbreti i botës… sundues mbi gjithë sunduesit” dhe që varej prej “perëndive të mëdha” si Marduku dhe Nabu, Zoti u tha me pak fjalë: “Emri yt nuk do të përjetësohet më” (Nahumi 1:14), dhe ashtu bëri. Ndëshkimi i Perëndisë kundër perandorisë asiriane ishte një parashijim i gjykimit të Tij mbi “Babiloninë” e librit të Zbulesës, e cila nuk përfaqëson vetëm Romën, por edhe Babiloninë dhe Ninivën përpara saj, sikurse edhe të gjitha mbretëritë njerëzore të mëvonshme, të cilat karakterizoheshin nga dhuna, përkushtimi ndaj materializmit dhe vetëlartësimi Perëndi-sfidues (Zbulesa 17-18).
3. Perëndia do t’i mposhtë të gjithë armiqtë e Tij dhe do ta çlirojë plotësisht popullin e Tij.
Në qoftë se Perëndia nuk do të ishte përfshirë me vullnet të plotë dhe me hir që t’i shpëtonte mëkatarët, shkatërrimi i të gjithë armiqve të Tij nuk do të linte njeri pa u dënuar dhe pa vdekur (Romakëve 5:12-14). Sa e mrekullueshme është që hiri i Perëndisë ka depërtuar në një botë që është plotësisht e përkushtuar ndaj vetërealizimit autonom e sipas mendjes së vet, gjë që duket në imperializmin e Asirisë shumë shekuj më parë apo dhe në format e tjera të rebelimit ndaj Perëndisë në kohën tonë.
Duke pasur parasysh fuqinë e mëkatit, si gjykimi ashtu edhe shpëtimi janë një shkak për t’u gëzuar. Kur e keqja bie bashkë me ata që e ushtrojnë atë, viktimat e tyre ngazëllejnë me të drejtë (Nahumi 3:19; Zbulesa 19:1-5). Po kështu, ata që e marrin me gëzim shpëtimin e Perëndisë, e kremtojnë hirin dhe mëshirën e Tij ndaj tyre (Nahumi 1:15) dhe e hedhin vështrimin drejt realizimit të plotë të qëllimeve të Tij shpëtuese (Nahumi 2:2).
Duke jetuar mes së tashmes dhe ende jo-së së ditëve të fundit, mesazhi i Nahumit u bën thirrje besimtarëve që të ruajnë sigurinë e tyre besimplotë në premtimet e Perëndisë dhe të çmontojnë kundërshtimet e shumta të botës ndaj së vërtetës hyjnore. Ashtu si Nahumi e demaskoi natyrën vetëshërbyese dhe vetëshkatërruese të imperializmit idhujtar të Ninivës, të krishterët duhet t’i kritikojnë format e shumta, në të cilat individë, grupe apo kultura të tëra e uzurpojnë të drejtën e Perëndisë, duke e përkufizuar njeriun si një qenie vetëqeverisëse, pa njohje të lindur të Perëndisë, dhe plotësisht të aftë për ta arritur lumturinë e përsosur me forcat e veta.
Nahumi, po ashtu, i fton besimtarët që të çmontojnë të mirat “sublime” kalimtare, të cilat qeniet njerëzore i konsiderojnë shumë të shtrenjta, qofshin këto pasuritë materiale, statusi shoqëror, dëlirësia morale e vetëshpallur në përpjekje për ta nxjerrë veten më të mirë sesa të tjerët, apo konsolidimi i pushtetit. Këta idhuj janë pikërisht të tillë — të krijuar prej qenieve njerëzore, të paaftë për të shpëtuar apo kënaqur të tjerët, si dhe kanë dëshmuar se janë të pafuqishëm (Nahumi 1:13). Kritika e udhëhequr nga ungjilli, që Nahumi i bën imperializmit asirian, i tregon lexuesve të tij se si ta analizojnë kulturën nga këndvështrimi i veprës së gjykimit dhe i shpëtimit të Perëndisë, duke i ndihmuar kështu besimtarët që të përgatiten që të kenë dëshmi të efektshme. Po ashtu, na mbron që të mos na joshin premtimet e botës apo të mos lëkundemi në shpresën tonë për shkak të pretendimeve të botës e cilangulmon se është burimi i çdo gjëje të mirë — një titull ky që Zoti e ruan për Veten, dhe gjithashtu Ai është një realitet që i shpëton dhe i kënaq të gjithë ata që e njohin Atë (Nahumi 1:7).
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-nahum
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina