16 janar, mëngjes – Çfarë? Nuk qenkam i aftë të të ndihmoj?

O shpirti im, a nuk të mjafton kjo vallë? A të duhet më shumë fuqi sesa gjithëfuqishmëria e Trinisë së bashkuar? A dëshiron vallë më shumë urtësi sesa ajo që banon tek Ati, më shumë dashuri sesa ajo që shfaqet në Birin, ose më shumë forcë sesa ajo që dëftehet në veprat e Frymës? Sille këtu enën tënde bosh! Sigurisht që ky pus do ta mbushë atë. Nxito, mblidhi nevojat e tua dhe silli këtu—zbrazëtinë tënde, pikëllimet dhe mungesat e tua! Pa shiko, ky lumë i Perëndisë është përplot, gati të plotësojë nevojat e tua. Çfarë mund të dëshirosh tjetër? Eja, shpirt im, bëj përpara me guxim! Perëndia i Përjetshëm është ndihmuesi yt!

15 janar, mbrëmje – Nxito te lutesh

Vargu ynë na bën thirrje për vazhdimësi dhe ngulmim në lutje. Davidi nuk bërtiti një herë të vetme për t’u zhytur më pas në heshtje, por britmat e tij të shenjta vazhduan derisa e zbritën poshtë bekimin. Lutja nuk mund të jetë puna jonë e rastit, por angazhimi ynë i përditshëm, madje zakoni apo profesioni ynë. Ashtu si artistët që harxhojnë orë të tëra përpara modeleve të tyre dhe poetët që rendin pa fre pas muzave, edhe ne duhet t’i vardisemi lutjes. Duhet të zhytemi aq shumë në lutje, sa ajo të jetë si vetë ajri që thithim, dhe kështu duhet të lutemi pa pushim. Zot, na mëso që të lutemi, në mënyrë që të jemi gjithnjë e më shumë të efektshëm në përgjërimet tona!

15 janar, mëngjes – Vëri në qarkullim premtimet e Perëndisë

Ne e përlëvdojmë Perëndinë duke ia përmendur premtimet e Tij. A mos mendon vallë se Perëndia do të varfërohet duke të të dhënë pasuritë që të ka premtuar? A mos të gënjen mendja vallë se Perëndia do të bëhet më pak i shenjtë duke të të dhënë shenjtëri? A mos mendon vallë se do të humbasë diçka nga pastërtia e Tij duke të të pastruar nga mëkatet e tua? Në fakt, Ai ka thënë: “‘Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë’, thotë ZOTI, ‘edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe si purpur, do të bëhen si leshi’” (Isaia 1:18).

14 janar, mbrëmje – Kërkoje ndihmën e Perëndisë përmes lutjes

Në orën e dhimbjes fizike dhe të ankthit mendor, ne i drejtohemi Zotit në lutje po aq natyrshëm sa anijembyturi shtyhet në breg nga dallgët. Dhelpra rend në strofkën e saj për mbrojtje, zogu fluturon drejt pyllit për të gjetur strehë, dhe aq më tepër besimtari i sprovuar nxiton drejt fronit të hirit për siguri. Limani i madh qiellor i përdëllimit është lutja dhe vetëm lutja. Mijëra anije të goditura nga stuhia kanë gjetur strehë në atë liman, dhe atëherë kur një stuhi ngrihet, bëjmë mirë të lundrojmë sa më shpejt që mundemi drejt tij.

14 janar, mëngjes – Prova më e mirë

Fuqia e Krishtit nuk është se kufizohet vetëm me kthimin e dikujt në besim, duke e lënë atë që t’ia dalë me forcat e tij pastaj; por Ai që e fillon punën e mirë edhe do ta përfundojë. Ai që e mbjell farën e parë të jetës në shpirtin e vdekur, e mban gjallë ekzistencën hyjnore dhe e fuqizon atë, derisa të shpërthejë çdo zgjedhë mëkati, dhe pastaj shpirti hov nga toka dhe përsoset në lavdi. Besimtar, ky po që është një inkurajim! A po lutesh për një nga të dashurit e tu? Oh, mos hiq dorë nga lutjet, sepse Krishti është “i fuqishëm për të shpëtuar”! Ti je i pafuqishëm që ta kthesh rebelin në shtëpi, por Zoti yt është i Plotfuqishmi. Rroke atë krah të fuqishëm dhe lëre atë që ta shfaqë gjithë fuqinë e Tij.

13 janar, mbrëmje – Perëndia i bën të mundura gjërat e pamundura

“Nxori në sipërfaqe hekurin.” 2 i Mbretërve 6:6 Hekuri i sëpatës dukej se kishte humbur për të mos u gjetur më, dhe duke qenë se ishte marrë hua, po vihej në rrezik nderi i çetës së profetëve e bashkë me të po komprometohej emri i Perëndisë të cilit i shërbenin. Përkundër të gjitha pritshmërive, hekuri […]

13 janar, mëngjes – Mësime nga humbja

Ah, sikur përvoja e Jozafatit të jetë një paralajmërim për pjesën tjetër të popullit të Zotit, që të mos hyjnë në një zgjedhë bashkë me jobesimtarët! Një jetë mjerimi është zakonisht fati që i pret ata që bashkohen me njerëz të botës, në martesë ose në ndonjë lidhje tjetër ashtu siç iu duket e udhës. Oh, për hir të dashurisë së Jezusit, qofshim edhe ne të shenjtë, të pastër, të panjollë dhe të ndarë nga mëkatarët, ashtu si edhe Krishti! Nëse nuk jemi të tillë, mund të na ndodhë edhe neve që shpesh të dëgjojmë të na thuhet: “ZOTI ka shkatërruar veprat e tua.”

12 janar, mbrëmje – Fol për Perëndinë

Nëse nuk buçet dot me zë trumbete, atëherë përdor zërin tënd të ulët. Nëse foltorja nuk duhet të jetë tribuna jote, nëse shtypi nuk mund t’i botojë fjalët e tua, atëherë bashkohu njëzëri me Pjetrin dhe Gjonin: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam atë po ta jap” (Veprat 3:6).

12 janar, mëngjes – I tiji prej dhurimit, përkushtimit dhe lidhjes

dev spurgeon 12 janar am

Asnjëherë mos e tradhto atë që shpall me gojë. Qofsh përherë një prej atyre, veprat e të cilëve janë të krishtera, të folurit e të cilëve ngjason me atë të Jezusit, sjellja dhe komunikimi i të cilëve ta sjellin kaq shumë ndërmend qiellin, saqë të gjithë ata që të shohin të mund ta dinë se je i Shpëtimtarit, duke dalluar te ti tiparet e dashurisë dhe shëmbëllimin e shenjtërisë së Tij. Në kohët e lashta thuhej “Unë jam romak” për të treguar integritet, aq më tepër, pra, argumenti juaj për shenjtërinë le të jetë: “Unë jam i Krishtit!”.

11 janar, mbrëmje – Ndërmjetësimi i pandërprerë i Shpenguesit

Sa shumë që inkurajohemi kur mendojmë se Shpëtimtari ynë ndërmjetëson për ne pa ndërprerje! Kur lutemi, Ai përgjërohet për ne; ndërsa kur nuk lutemi, Ai mban anën tonë, duke na mbrojtur me përgjërimet e Tij nga rreziqe të padukshme e të panjohura. Vëreni se me çfarë fjalësh ngushëlluese i drejtohet Simon Pjetrit: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. Por…” (Luka 22:31). Por çfarë? “Por shko e lutu për veten?”