25 shkurt, mëngjes – Stuhia e zemërimit të Perëndisë

Kjo është pozita e një të krishteri. Ai është duke ecur në një tokë ku stuhia e ka shfryrë veten mbi kokën e Shpëtimtarit, ku edhe nëse bien disa pika vuajtjeje, ato pikojnë nga retë e mëshirës, dhe ku Jezusi e nxit atë duke e siguruar se ato pika nuk janë për shkatërrimin e tij.

24 shkurt, mbrëmje – Ngazëllohu në dashurinë e dhembshur të Perëndisë

Ç’përgjigje e bukur për një pyetje kaq të ethshme! Le të gëzohemi në të sonte. O Sion, të presin gjëra të mira; koha jote e mundimeve do të mbarojë shpejt; fëmijët e tu do të çlirohen dhe robëria jote do të marrë fund. Përballoje me durim purtekën për një kohë dhe vazhdo të besosh te Perëndia në mes të errësirës, sepse dashuria e Tij për ty është e zjarrtë!

24 shkurt, mëngjes – Shira bekimi

Mirëpo, ai është edhe hir i nevojshëm. Çfarë do të bënte toka pa shira? Ti mund ta plugosh tokën, të mbjellësh farat e tua, por çfarë mund të bësh nëse nuk bie shi? Edhe bekimi hyjnor është po aq absolutisht i domosdoshëm. Më kot përpiqesh, nëse Perëndia nuk dhuron shiun dhe nuk dërgon poshtë shpëtimin.

23 shkurt, mbrëmje – “Merre kryqin tënd…”

Jezusi ishte mbajtës i kryqit dhe duke qenë i tillë, të udhëheq në udhën e vuajtjes. Vërtet nuk ke ku gjen një udhërrëfyes më të mirë sesa Ai! A ka ndonjë barrë më fisnike që mund të dëshirosh, duke e ditur se edhe Ai vetë e ka mbajtur kryqin? Rruga e Kryqit (Via Crucis) është udha e sigurisë. Mos u druaj të ecësh në xhadenë e saj të mbuluar nga gjembat! Shumë i dashur, kryqi nuk është as prej puplash dhe as i veshur me mëndafsh. Ai është i rëndë dhe poshtërues për shpatullat e pabindura, por nuk është një kryq i hekurt, megjithëse makthet e tua e portretizojnë atë si prej hekuri. Është një kryq i drunjtë dhe një njeri mund ta mbajë atë, sepse Njeriu i Vuajtjes e provoi peshën i pari.

23 shkurt, mëngjes – Ai të premton

Nuk ka asnjë bekim të madh, që të jetë shumë i lartë për ty, apo mëshirë të pakufishme, që të jetë shumë e gjerë për ty. Shtrije vështrimin në veri dhe në jug, në lindje dhe në perëndim, sepse gjithçka që ta kap syri, është jotja! Ngjitu në majë të malit dhe shtrije vështrimin deri në skajet e horizontit të premtimit hyjnor, sepse e gjithë toka është jotja! Nuk ka asnjë burim uji të gjallë prej të cilit nuk mund të pish. Nëse toka rrjedh mjaltë dhe qumësht, haje mjaltin dhe pije qumështin, sepse të dy janë të tutë. Ji guximtar dhe beso, sepse Ai ka thënë: “Nuk do të të lë, as nuk do të të braktis”!

22 shkurt, mbrëmje – I ngadalshëm në zemërim

“ZOTI është i ngadalshëm në zemërim”, sepse Ai është “pushtetmadh”. Pushtetmadh është vetëm ai që ka fuqi mbi veten e tij. Pushteti i Perëndisë është pushtet i vërtetë, sepse shfaqet në kufizimin e Vetes. Fuqia që nënshtron gjithëfuqishmërinë, është gjithëfuqishmëri e shkuar gjithëfuqishmërisë. Njeriu me nerva të çelikta mund ta mbajë fyerjen dhe reagon ndaj së keqes vetëm kur shtyhet nga një ndjenjë drejtësie. Ai që i ka nervat të dobëta, pezmatohet për hiçmosgjë; ai që i ka nervat të çelikta, qëndron i palëvizshëm si një shkëmb, megjithëse pas tij përplasen mijëra dallgë, të cilat e spërkatin në majë me lëngun e keqdashjes së tyre të mjerë.

22 shkurt, mëngjes – I Fuqishmi

Si ia doli Jozefi që t’i rezistonte tundimit? Në sajë të ndihmës së Perëndisë. Nuk mund të bëjmë asgjë pa fuqinë e Perëndisë. Tërë fuqia e vërtetë vjen nga “i Fuqishmi [Perëndi] i Jakobit”. Vëreni se sa e bekuar dhe e njohur është mënyra si Perëndia e forcon Jozefin: “…krahët e tij janë përforcuar nga duart e të Fuqishmit të Jakobit…” Kështu, Perëndia paraqitet sikur i vendos duart e Tij mbi duart e Jozefit dhe krahët e Tij mbi krahët e Jozefit. Porsi një atë që i mëson fëmijët e tij, edhe Zoti i mëson ata që e kanë frikë Atë. Ai i vendos krahët e Tij rreth tyre. Ç’vetëpërulje e jashtëzakonshme! Perëndia i Madhërishëm, i Përjetshëm dhe i Gjithëfuqishëm, ulet nga froni i Vet dhe i vendos duart e Tij mbi duart e fëmijës, duke i shtrirë krahët e Tij mbi krahët e Jozefit, me qëllim që ky të bëhet i fortë!

21 shkurt, mbrëmje – Leva e lutjes

Gurët nuk thyhen pa u mëshuar fort e pareshtur me çekan, dhe pa u ulur në gjunjë gurëthyesi. Përdore çekanin e zellit dhe vëri në lëvizje gjunjët e lutjes, dhe nuk do të mbetet asnjë doktrinë e gurtë në zbulesë, që është e dobishme për t’u kuptuar prej teje, pa u bërë copë-copë falë ushtrimit të lutjes dhe besimit. Nuk ka asgjë që mund t’i rezistojë levës së lutjes. Mendimet dhe arsyetimet janë si pyka prej hekuri, të cilat depërtojnë brenda së vërtetës, por lutja është leva e vetme, e cila e shkallmon arkën e hekurt të misterit të shenjtë, në mënyrë që të nxjerrim thesarin që fshihet brenda saj.

21 shkurt, mëngjes – Ai ka thënë

Vallë, a nuk duhet që përveçse ta lexoni Biblën, ta pasuroni sa më shumë kujtesën tuaj me premtimet e Perëndisë? Ju mund t’i mësoni përmendsh thëniet e njerëzve të mëdhenj, po ashtu mund t’i ruani si thesare vargjet e poetëve të mirënjohur. Mirëpo, a nuk duhet që po ashtu ta zotëroni mjeshtërisht Fjalën e Perëndisë, në mënyrë që të mund ta citoni atë menjëherë, sa herë që duhet të ballafaqoheni me një vështirësi apo të mposhtni një dyshim?

20 shkurt, mbrëmje – Ruaju nga tundimi

Jezu Krishti u çua në shkretëtirë, larg nga shoqëria njerëzore dhe aty u tundua nga i paudhi. Vetmia ka të bukurat dhe të mirat e veta, dhe mund të na shërbejë për të mbajtur nën kontroll lakminë e syve dhe krenarinë e jetës, por i paudhi do të na ndjekë nga pas edhe në skutat më të këndshme. Mos mendoni se vetëm ata të botës kanë mendime të tmerrshme dhe tundime blasfemuese, sepse edhe personat frymërorë përjetojnë të njëjtat gjëra; madje edhe në pozitën më të shenjtë mund të vuajmë tundimin më të errët.