7 mars, mëngjes – Njerëz besimpakë

Besimi i jep këmbë shpirtit, duke e fuqizuar këtë të fundit të marshojë përgjatë udhës së urdhëresave. Dashuria mund t’i bëjë këmbët të lëvizin me shpejtësi, por besimi është këmbët mbi të cilat qëndron shpirti i njeriut. Besimi është vaji që i bën rrotat e përkushtimit të shenjtë dhe përshpirtshmërisë së zellshme të rrotullohen pa vështirësi; ndërsa në mungesë të tij, rrotat shkëputen nga koçia dhe ne mezi hiqemi zvarrë. Me besim mund të bëj gjithçka, kurse pa besim nuk do të kem as dëshirën dhe as fuqinë për të bërë edhe gjënë më të vogël në shërbim të Perëndisë.
6 mars, mbrëmje – A ke një zemër kryelartë?

O i krishterë, a është zemra jote kryelartë sonte? Krenaria mund të përvidhet në zemrën e të krishterit, po ashtu si në atë të mëkatarit, dhe mund ta mashtrojë atë që duke ëndërruar t’i thotë vetes: “ [Jam] i pasur, dhe jam pasuruar dhe s’kam nevojë për asgjë” (Zbulesa 3:17). A mos po lëvdohesh me virtytet ose dhuntitë e tua? A mos je krenar për veten dhe përvojat e tua frymërore?
6 mars, mëngjes – Sigurohu!

Rilindja është një çështje që qëndron në vetë themelin e shpëtimit, prandaj duhet të jemi shumë të zellshëm, në mënyrë që të sigurohemi që vërtet “të lindim përsëri”, sepse të shumtë janë ata të cilët ëndërrojnë se janë të rilindur, por që në të vërtetë nuk janë.
5 mars, mbrëmje – Yti jam dhe imi je

Së pari, ky varg më tregon se edhe Davidi kishte dyshimet e tij; përndryshe, pse do të lutej: “Thuaji shpirtit tim: Unë jam shpëtimi yt”, po të mos kishte vuajtur vetë nga frikërat dhe dyshimet? Atëherë, le të marr zemër, sepse nuk jam i vetmi shenjtor të cilit i duhet të përballet me luhatjet e besimit.
5 mars, mëngjes – Rri zgjuar!

Ka shumë mënyra për ta nxitur të krishterin që të rrijë zgjuar. Së pari, më lejoni t’i këshilloj me gjithë zemër të krishterët, që të flasin me njëri-tjetrin për udhët e Zotit. Në librin Udhëtari të Bunyan-it, përgjatë shtegtimit të tyre drejt Qytetit Qiellor, I Krishteri dhe Shpresëploti i thanë njëri tjetrit: “Le t’ia nisim një bisede të shtruar, se kështu shmangim dremitjen që të shkaktuaka ky vend”.
4 mars, mbrëmje – Bollëku i hirit të Perëndisë

Mirëpo, a mund të krahasohet e gjitha kjo me bollëkun e Perëndisë së hirit? Me mijëra e mijëra shërbëtorë të Tij ushqehen aty përditë; dhe, duke qenë të uritur e të etur, ata vijnë në gosti me oreks të madh, por asnjëri prej tyre nuk nuk kthehet pa u ngopur; sepse ka mjaftueshëm për gjithsecilin, mjaftueshëm për të gjithë dhe mjaftueshëm përgjithmonë. Edhe pse të ftuarit që ushqehen në tryezën e Yahveh-ut, janë aq të panumërt sa yjet e qiellit, prapëseprapë, asnjërit prej tyre nuk i mungon racioni i vet.
4 mars, mëngjes – Dobia e sprovave

Hiri i Perëndisë shfaqet qartë dhe merr përmasa madhështore në mes të skamjes dhe sprovave të besimtarëve. Shenjtorët përballojnë çdo dekurajim, duke besuar se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirën e tyre, dhe se nga të gjitha ato që, në pamje të parë, duken gjëra të këqija, do të burojë një bekim i mirëfilltë—se Perëndia i tyre ose do të kryejë me të shpejtë një vepër shpëtimi posaçërisht për ta, ose do t’i mbështesë me siguri në mes të vështirësive, për sa kohë që Atij i pëlqen t’i mbajë ata në to. Një durim i tillë i shenjtorëve dëshmon për fuqinë e hirit hyjnor.
3 mars, mbrëmje – Si një pëllumb

Pëllumbi ka qenë përherë simboli përfaqësues i pastërtisë, ndërsa Fryma e Shenjtë është vetë shenjtëria. Kudo ku Ai vjen, të gjitha gjërat që janë të pastra, të dashura dhe me famë të mirë, shumohen me bollëk, ndërsa mëkati dhe papastërtia zhduken sakaq. Po ashtu, edhe paqja mbretëron aty ku Pëllumbi i Shenjtë zbret me fuqi; në sqep, Ai mban degën e ullirit, e cila tregon se ujërat e zemërimit hyjnor tashmë janë qetësuar. Zemërbutësia është një rezultat i padyshimtë i fuqisë transformuese të Pëllumbit të Shenjtë. Zemrat e prekura nga ndikimi i Tij pozitiv bëhen të buta dhe të përulura një herë e përgjithmonë.
3 mars, mëngjes – Të zgjedhur për pikëllim

O besimtar, nëse ende të nevojitet një ngushëllim më i madh, dije se Biri i Njeriut është bashkë me ty në furrë. Në atë kthinën tënde të qetë, përkrah teje është edhe Dikush që ti nuk e ke parë, por të cilin ti e do; dhe që, shpeshherë, kur ty as nuk të shkon mendja, Ai të ngushëllon në mes të dhimbjeve të tua dhe ta bën të rehatshëm vendin ku pushon. Ti je në varfëri; por Zoti i jetës dhe i lavdisë vjen shpesh e të viziton në atë shtëpinë tënde të dashur. Ai e ka shumë për zemër të vijë nëpër këto humbëtira, në mënyrë që të mund të të vizitojë. Miku yt është më i ngushtë se një vëlla për ty. Ti nuk mund ta shohësh Atë, por mund ta ndiesh shtypjen e duarve të Tij. A nuk e dëgjon vallë zërin e Tij? Madje edhe në luginën e hijes së vdekjes, Ai thotë: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt” (Isaia 41:10).
2 mars, mbrëmje – Privilegji për të folur për Krishtin

I krishteri duhet të jetë si ato lulet e bukura të pranverës, të cilat kur ndriçon dielli, i hapin petalet e arta, a thua se po thonë: “Na mbush me rrezet e tua!”. Mirëpo, kur dielli fshihet pas ndonjë reje, ato i mbyllin petalet e tyre dhe varin kokat. Po kështu edhe i krishteri duhet ta ndiejë ndikimin e çmuar të Jezusit, i cili duhet të jetë dielli i tij, ndërsa ai duhet të jetë lulja që i jepet me gjithë dëshirë Diellit të Drejtësisë.