12 mars, mëngjes – Duaje të afërmin tënd

Mbase mund të ndodhë edhe e kundërta; ti je i pasuri dhe pranë teje banojnë njerëz të varfër. Mos ki turp t’i quash ata të afërmit e tu! Dije se je i detyruar t’i duash. Bota i konsideron ata të një sëre më të ulët sesa jotja. Mirëpo, çfarë i bën ata më të ulët sesa ti? Në të vërtetë, në vend që të jenë më të ulët se ti, ata janë të barabartë me ty, sepse “ai [Zoti] ka bërë nga një gjak i vetëm çdo komb njerëzish, që të banojnë në mbarë faqen e dheut” (Veprat e Apostujve 17:26). Ndoshta veshjet e tua mund të jenë më të mira sesa të tyret, por kjo nuk të bën aspak më të mirë nga ata. Edhe ata janë njerëz si ti, atëherë, mos ke ti vallë ndonjë gjë më shumë se ata? Bëj kujdes që ta duash të afërmin tënd edhe nëse ai është mbuluar me rrecka ose i zhytur në skamje e mjerim!

11 mars, mbrëmje – Të gjeturit

Lëvduar qoftë hiri i pamposhtur që na gjeti! Nuk kishte terr që mund të na fshihte, zhul që të mund të na mbulonte; ne u gjetëm dhe u sollëm në shtëpi. Lëvduar qoftë dashuria e pafundme—Perëndia Frymë e Shenjtë na solli përsëri në jetë!

11 mars, mëngjes – Mëkat, edhe më tepër mëkat

E vërteta e hidhur është se madje edhe një i krishterë mund ta humbë ndjeshmërinë ndaj mëkatit, duke arritur deri aty sa mëkati që më parë i kallte datën, tashmë nuk e alarmon aspak. Pak nga pak njerëzit mësohen me mëkatin. Veshi që mësohet me buçimën e topit, e humb aftësinë për t’i dëgjuar zhurmat më të vogla. Në fillim tmerrohemi edhe nga mëkati më i vogël, por shpejt themi: “A nuk është ky një mëkat i vogël vallë?”. Më pas vjen një mëkat tjetër, më i madh, pas tij edhe një tjetër, dhe pak nga pak zëmë dhe e shohim mëkatin si një të keqe të vogël, derisa përfundojmë te supozimi i pashenjtë: “Nuk kemi rënë në mëkat të hapur. Është e vërtetë që u penguam pak kësaj radhe, por më kryesorja është që mbetëm në këmbë. Mund të na ketë shkarë ndonjë fjalë e pashenjtë, por shumica e bisedës ishte në rregull.” Kështu e nënvleftësojmë mëkatin, e fshehim dhe i vëmë emra qesharakë.

10 mars, mbrëmje – Çlirohu nga gjërat e kësaj bote

Le të kemi parasysh se sa i brishtë është zotërimi ynë i mëshirave materiale. Nëse do t’ia kujtonim vetes se të gjitha pemët e kësaj bote janë shënuar për sëpatën e druvarit, nuk besoj se do të ishim kaq të gatshëm për t’i ngritur foletë tona mbi to. Ne duhet të duam, por duhet të duam me dashurinë që pret vdekjen dhe që e di se ndarjet janë të pashmangshme. Marrëdhëniet që kemi me persona të dashur për ne, vetëm sa na janë huazuar për njëfarë kohe, dhe koha kur mund të na duhet t’i kthejmë në duart e huadhënësit, mund të jetë më shpejt nga sa e mendojmë.

10 mars, mëngjes – Dobia e vuajtjes

Vëlla, ruaju nga vendet e sheshta të rrugës; edhe nëse po ecën nëpër to, edhe nëse po ecën në rrugë të vështirë, falënderoje Perëndinë për këtë! Nëse Perëndia do të na përkundte përherë në djepin e begatisë, nëse do të tundeshim tërë kohën mbi gjunjët e fatit, nëse qielli do të ishte gjithmonë pa re dhe nëse nuk do të kishte pika të hidhura në verën e kësaj jete, me siguri që do të deheshim nga kënaqësia dhe do të zinim të ëndërronim se po qëndronim—dhe do të qëndronim, mirëpo, kjo do të ishte mbi një kulmare; ashtu si ai njeriu që fle mbi direkun e anijes, ne do të ishim përherë në rrezik.

9 mars, mbrëmje – Qëndroni në mua

Meqenëse të pret një udhë e gjatë dhe e vështirë, ki kujdes, o udhëtar, që të mos ecësh në të pa udhërrëfyesin tënd! Ke për të kaluar përmes furrës së zjarrtë, por mos hyr në të nëse Biri i Perëndisë nuk të shoqëron përmes saj, ashtu siç bëri me Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon. Ke për të sulmuar muret e zemrës sate të prishur, por mos e fillo betejën pa takuar më parë, porsi Jozueu, Kreun e Ushtrisë së ZOTIT, i cili e mban shpatën e zhveshur në dorë! Kur të ndeshesh me tundime të shumta, mos u mbështet në krahun prej mishi! Do të kesh nevojë për Jezusin në çdo rast e situatë, por do të të nevojitet më së shumti kur portat e hekurta të vdekjes të hapen përpara teje.

9 mars, mëngjes – Përsosmëria e plotë e lavdisë së Tij

Dashuria jonë nuk është vetëm si një vulë e vendosur mbi zemrën e Tij të dashurisë, por gjendet edhe në krahun e Tij të fuqisë, madje nuk ekziston asnjë pjesë e Tij mbi të cilën ajo nuk gjendet. E adhurojmë gjithë personin e Tij me aromën e mirë të dashurisë sonë plot pasion. Do ta imitonim gjithë jetën dhe karakterin e Tij. Të gjitha qeniet e tjera nuk janë të përsosura; tek Ai gjendet vetëm përkryerje pa kufi. Madje edhe më të mirët ndër shenjtorët e Tij të parapëlqyer i kanë pasur rrobat me njolla dhe ballin me rrudha, kurse Ai është bukuri e shkuar bukurisë. Të gjithë diejt e universit janë me njolla: kjo botë e bukur ka shkretëtirën e saj, madje edhe gjënë më të bukur nuk mund ta duam në mënyrë të përkryer, por Krishti Jezus është ar pa përzierje, dritë pa errësirë dhe lavdi pa re.

8 mars, mbrëmje – Besim në kohë pikëllimi

Çdo çështje ka anën e saj të ndritshme, ashtu siç ka edhe atë të errët. Rakela rënkonte nën dhimbjet lindjes dhe për shkak të afrimit të vdekjes, ndërsa Jakobi, tek vajtonte humbjen e së shoqes, arriti ta dallonte mëshirën e lindjes së foshnjës. Është gjë e mirë për ne, se kur mishi vajton nën sprova, besimi ynë ngadhënjen në besnikërinë hyjnore. Luani i Sansonit u kthye në një mori bletësh dhe mjaltë, po kështu do të ndodhë edhe me të gjitha vështirësitë tona, nëse i shohim nga këndvështrimi i duhur. Deti i stuhishëm ushqen turma të tëra me peshqit e tij; pylli mbushet me lulëza të bukura; murrlani i zhduk sëmundjet, ndërsa cikna e acartë e shkrifton tokën. Retë e zeza shtrydhin pika xixëlluese uji, ndërsa nga dheu i zi mbijnë lule të bukura. Po ashtu, një damar mirësie gjendet në çdo minierë ligësie. Zemrat e trishtuara kanë aftësinë e veçantë për të zbuluar këndvështrimin më të zymtë prej të cilit e kundrojnë një sprovë; edhe sikur kjo botë të kishte një moçal të vetëm, ato shpejt do të zhyteshin deri në grykë në të, edhe sikur një luan i vetëm të ishte në shkretëtirë, prapëseprapë do ta dëgjonin atë të vrumbulliste.

8 mars, mëngjes – Shumë mundime

Sprovat janë pjesë e përvojës sonë; ato ishin paracaktuar për ne në testamentin e fundit të Jezusit. Ashtu si është e sigurt se yjet morën formë prej duarve të Tij dhe se orbitat e tyre u caktuan prej Tij, po aq e sigurt është se sprovat janë pjesa që na është caktuar. Perëndia ka caktuar kohën, vendin dhe intensitetin e tyre, si edhe ndikimin që ato do të kenë mbi ne. Njerëzit e mirë nuk duhet të mendojnë kurrë se do t’u shpëtojnë vështirësive. Nëse e bëjnë këtë, ata do të zhgënjehen, sepse asnjë nga pararendësit e tyre nuk jetoi pa to.

7 mars, mbrëmje – Qëndro mbi Shkëmbin e Përjetshëm

I krishterë, mos e përziej verën tënde me ujë dhe mos e lër arin e besimit të mbulohet nga zgjyra e vetëbesimit njerëzor! Shpreso vetëm në Perëndinë dhe pritshmëritë e tua rrjedhshin vetëm prej Tij! Mos e lakmo bimën e Jonës, por qëndro në Perëndinë e tij! Lërja budallenjve zgjedhjen e themeleve të paqëndrueshme prej rëre, por ti, si ai që shikon stuhinë që po afrohet, ndërto për vete një banesë mbi Shkëmbin e Përjetshëm!