17 mars, mëngjes – Pse janë njerëzit të varfër?

Pse ndodh kështu? Ka shumë arsye për këtë, ku njëra prej tyre është: për të na dhënë një mundësi që t’ia shprehim dashurinë tonë Jezusit, neve që jemi mjaft të bekuar. Zakonisht e shprehim dashurinë tonë për Jezusin duke i kënduar himne dhe duke iu lutur Atij. Mirëpo, nëse do të mungonin njerëzit nevojtarë në këtë botë, nuk do ta kishim pasur privilegjin e çmuar që t’ia shprehnim dashurinë tonë, duke u shërbyer vëllezërve të Tij më të varfër me anë të dhurimeve tona. Pra, Ai e ka caktuar këtë, që të provojmë se dashuria jonë nuk është vetëm me fjalë, por edhe me vepra dhe me të vërtetë.
16 mars, mbrëmje – Më ruaj nga mëkati

I krishterë me përvojë, mos u mburr me përvojën tënde, sepse do të pengohesh po nuk i mbajte sytë ngulur mbi Atë që mund të të ruajë nga çdo rrëzim! Ju që keni dashuri të zjarrtë, besim të qëndrueshëm dhe shpresa të ndritshme, mos thoni me vete: “Nuk do të mëkatojmë kurrë”, por përkundrazi thoni: “Mos lejo të biem në tundim”! Edhe në zemrat e njerëzve më të mirë ka mjaft ashkla për të ndezur një zjarr i cili do të digjej edhe në pjesët më të thella të ferrit, po qe se Perëndia nuk do t’i shuante shkëndijat përpara se të bien mbi to. Vallë, kush mund ta përfytyronte se Loti i drejtë një ditë do të dehej aq keq, sa do të kryente imoralitet? Hazaeli tha: “Por ç’është, vallë shërbëtori yt, një qen, që të bëj këtë hata?”. Ashtu si Hazaeli, edhe ne jemi shumë të prirë për ta bërë të njëjtën pyetje të vetëdrejtë. Urtësia e pafundme na shëroftë prej marrëzisë së vetëbesimit!
16 mars, mëngjes – Një i huaj para Teje

Kur Biri Yt i dashur erdhi te të vetët, ata nuk e mirëpritën Atë. Ai erdhi në botë, në botën që Ai vetë e kishte krijuar, por bota nuk e njohu. Nuk ka pasur kurrë një njeri të huaj, i cili të jetë dalluar nga banorët e ndonjë vendi, aq sa Biri yt i dashur mes vëllezërve të Tij të një gjaku. Atëherë, nuk është aspak për t’u habitur që unë, që jetoj jetën e Jezusit, të jem i panjohur dhe i huaj për këtë botë. Zot, nuk do të jem vendas aty ku Jezusi ishte i huaj. Dora e tij e tejshpuar i ka zgjidhur litarët që dikur e mbanin shpirtin tim të lidhur pas kësaj bote, dhe tani po zbuloj që jam si një i huaj mbi këtë tokë. Këtyre paganëve mes të cilëve jetoj, e folura ime u duket si një gjuhë e huaj dhe e panjohur; sjelljet e mia u duken të pazakonta, ndërsa veprimet e mia të çuditshme. Një princ e ka shumë më të lehtë të jetojë në geto, nga sa mund ta kem unë të jetoj në strofkat e mëkatarëve.
15 mars, mbrëmje – Puno me gjithë zemrën tënde

Të gjithë e dinë se, nëse dikush dëshiron të ketë mbarësi, duhet të jetë i zellshëm në punë. Edhe në besim, ashtu si në gjithë fushat e tjera të jetës, vlen e njëjta rregull. Nëse dëshiron të të shkojë mbarë puna për Jezusin, atëherë le të jetë ajo një punë zemre, dhe bëje atë me gjithë shpirt. Shfaq po atë forcë, energji, entuziazëm dhe seriozitet në jetën tënde të besimit, që shfaq edhe në punën tënde, madje edhe më shumë se aq, sepse besimi e meriton. Fryma e Shenjtë na ndihmon në dobësitë tona, por nuk e inkurajon përtacinë tonë. Në fakt, Atij i pëlqejnë shumë besimtarët veprues.
15 mars, mëngjes – Forcohu në hirin e Tij

Hiri, cilido qoftë funksioni i tij: në daç për të falur, a për të pastruar, a për të ruajtur, a për të forcuar, a për të ndriçuar, a për të gjallëruar, a për të rimëkëmbur, do të rrjedhë prej Tij falas dhe lirisht përngaherë; dhe nuk ka asnjë vepër hiri, të cilën Ai të mos e ketë derdhur mbi popullin e Tij. Ashtu si gjaku i trupit, megjithëse rrjedh nga zemra, i takon barabar çdo gjymtyre të trupit, kështu edhe efektet e hirit janë trashëgimia e çdo shenjtori të bashkuar me Qengjin; dhe në këtë gjendet një përbashkësi e ëmbël mes Krishtit dhe kishës së Tij, meqenëse që të dy përfitojnë nga i njëjti hir.
14 mars, mbrëmje – Ji vigjilent

Ji vigjilent! Kur dikush mban fishekzjarre në dorën e vet, duhet të bëjë kujdes se mos i afrohet ndonjë qiriu; kështu edhe ju duhet të ruheni se mos bini në ngasje. Madje edhe veprimet e përditshme janë vegla të mprehta; kështu që duhet të kini shumë kujdes se si i përdorni ato.
14 mars, mëngjes – Ki kujdes

Ki kujdes se mos lëvdohesh me hiret e tua, por gjithë lëvdimi dhe besimi yt le të jenë në Krishtin dhe fuqinë e Tij, sepse vetëm kështu mund t’i ruhesh rrëzimit. Ji shumë më këmbëngulës në lutje! Kalo më shumë kohë në adhurim të shenjtë! Lexoji vazhdimisht Shkrimet dhe me më shumë zell! Vigjilo me kujdes mbi jetën tënde! Jeto më pranë Perëndisë! Ndiq vetëm shembujt më të mirë dhe mëso prej tyre! Bisedat e tua le të jenë të mbushura me tema për qiellin. Qoftë zemra jote e parfumosur me dashuri për shpirtrat e njerëzve! Pra, jeto në atë mënyrë që njerëzit ta njohin menjëherë se ke qenë me Jezusin dhe se ke mësuar prej Tij! Kështu, kur të vijë ajo ditë e lume, kur Ai që ti e do shumë, të thotë: “Ngjitu këtu”, qofsh i lumtur ta dëgjosh tek të thotë: “Luftën e mirë e luftove, e përfundove vrapimin, e ruajte besimin, dhe pas kësaj të pret gati kurora e drejtësisë, e cila nuk vyshket kurrë.”
13 mars, mbrëmje – Vetëm kthehu

Fluturo, o endacak, o pëllumb i lodhur; fluturo, pëllumb, ashtu siç je! Megjithëse të duket vetja i zi si korbi nga zgjyra e mëkatit, kthehu te Shpëtimtari! Çdo çast që vonohesh, nuk bën gjë tjetër veçse e shton mjerimin tënd; përpjekjet e tua për t’u pastruar dhe për t’u bërë i denjë për Jezusin janë kotësi e kotësive. Eja tek Ai ashtu siç je! Nëse je duke vrapuar dhe je duke iu fshehur Perëndisë, atëherë kthehu si një zemërpërdalë me të gjitha zemërpërdaljet e e tua!
13 mars, mëngjes – Për jobesimtarin

Ne duam të të sigurojmë, si prej Zotit, se në rast se e kërkon, do ta gjesh Atë. Jezusi nuk e përzë asnjë nga ata që vijnë tek Ai. Nëse i beson Atij, nuk ke për të humbur, përkundrazi, do të gjesh thesare që janë shumë më të mëdha, sesa ato që gjetën lebrosët e varfër në kampin e braktisur të sirëve. Fryma e Shenjtë të dhëntë guxim, që të shkosh menjëherë tek Ai, dhe të siguroj se besimi yt nuk do të shkojë kot!
12 mars, mbrëmje – Pyetje vlerësuese

Lexues, më lejo të të ndihmoj për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. A ke “rilindur”? Nëse po, i përket Krishtit; por pa qenë i rilindur, nuk mund të jesh i Tiji. Kujt i beson? Ta bëj këtë pyetje, sepse ata që besojnë në Jezusin, janë bijtë e Perëndisë. Kujt po i shërben? Bëj kujdes që t’i shërbesh padronit tënd, sepse ai të cilit i shërben, do të njihet edhe si zoti yt. Me kë shoqërohesh? Nëse i përket Jezusit, do të shoqërohesh me ata që mbajnë uniformën e kryqit. “Më thuaj me kë rri, të të them se cili je.” Çfarë bisedash bën? A kanë të bëjnë me gjërat e kësaj bote apo me ato të qiellit? Çfarë ke mësuar nga Mjeshtri yt? Po ta bëj këtë pyetje, sepse çirakët mësojnë shumë nga mjeshtrit te të cilët janë punësuar. Nëse ke kaluar kohë me Jezusin, do të thuhet edhe për ty ashtu siç u tha për Pjetrin dhe Gjonin: “…i njihnin se kishin qenë me Jezusin” (Veprat e Apostujve 4:13).