22 mars, mëngjes – Lutja e Shpëtimtarit tonë

Në lutjen e Shpëtimtarit tonë, në orën e tij të sprovës, shquajmë disa karakteristika udhëzuese. Së pari, ishte një lutje e vetmuar. Ai u largua madje edhe nga tre dishepujt e Tij më të preferuar. Besimtar, ji i zellshëm në lutje vetmitare, sidomos kur kalon kohë sprove! Lutja familjare, lutja në grup, lutja në kishë nuk janë të mjaftueshme; ato janë tepër të çmuara, por aroma e mirë e qiellit do të jetë më e fortë në kohën tënde të qetë, kur nuk të dëgjon askush tjetër përveç Perëndisë. Ishte një lutje me përulësi. Luka thotë se Ai u gjunjëzua, por një ungjilltar tjetër thotë se Ai “ra me fytyrë përdhe”. Atëherë, ku duhet të jetë vendi yt, o shërbëtor i përulur i Mësuesit të madh? Ah, çfarë pluhuri dhe hiri duhet ta mbulojnë kokën tënde! Përulja është një pikëmbështetje e mirë në lutje. As të mos shpresojmë të fitojmë me Perëndinë, nëse nuk e përulim veten, që Ai të na lartësojë në kohën e duhur.
21 mars, mbrëmje – Çfarë është njeriu vallë?

Në botën frymërore, ashtu si në atë natyrore, fuqia e njeriut është e kufizuar nga të gjitha anët. Kur Fryma e Shenjtë i përhap ëndjet e Tij në shpirtin e njeriut, asgjë dhe askush nuk mund ta pengojë. Gjithë dinakëria dhe ligësia njerëzore, të mbledhura bashkë, janë të paafta t’i rezistojnë fuqisë ringjallëse të Ngushëlluesit. Kur Ai denjon të vizitojë një kishë dhe ta rigjallërojë atë, madje edhe armiqtë më të regjur dorëzohen përpara punës së Tij të mirë. Ata mund ta përqeshin, por nuk mund ta pengojnë dot veprën e Tij, ashtu si nuk e kthejnë dot prapa pranverën kur Plejadat nisin e shtojnë shkëlqimin. Perëndia e dëshiron, dhe kështu u bëftë!
21 mars, mëngjes – U la vetëm

Vetëm dymbëdhjetë burrave, në fakt jo, vetëm njëmbëdhjetë burrave iu dha privilegji të futeshin në Gjetsemani dhe ta shihnin “këtë shfaqje madhështore”. Nga këta njëmbëdhjetë burra, tetë u lanë të prisnin pak më tutje; ata kishin përbashkësi me Mësuesin, por jo atë lloj përbashkësie intime, në të cilën pranohen miqtë shumë të dashur. Vetëm tre dishepujt më të preferuar mund t’i qaseshin perdes së pikëllimit të mistershëm të Zotit tonë. Mirëpo, edhe këta nuk duhet të futeshin në anën tjetër të asaj perdeje; dhe qëndrojnë larg, aq sa mund të hidhet një gur. Ai duhet ta shtypte i vetëm gaviçin dhe asnjë nga njerëzit nuk duhet të ishte me Të
20 mars, mbrëmje – Dashuria e një bashkëshorti

Çfarë shembulli të mrekullueshëm u jep Krishti dishepujve të Tij! Pak mësues do të guxonin të thoshin: “Nëse do të donit të vinit në jetë mësimin tim, imitoni jetën time.” Mirëpo, duke qenë se jeta e Jezusit është riprodhimi më i saktë i virtytit të përsosur, Ai mund ta paraqesë Veten jo vetëm si modelin e shenjtërisë, por edhe si mësuesin e saj. I krishteri nuk duhet të ketë asnjë model tjetër veç Krishtit. Nuk duhet të jemi asnjëherë të kënaqur, po qe se nuk pasqyrojmë të njëjtin hir që ishte në Të.
20 mars, mëngjes – I dashuri im

Ky ishte një emër i artë, me të cilin kisha e hershme e kishte pagëzuar të Vajosurin e Zotit në çastet e saj më të hareshme. Kur erdhi koha e të kënduarit të zogjve, zëri i turtulleshës dëgjohej në vendin e saj dhe tingujt e dashurisë së kishës ishin më të ëmbël se gjithçka tjetër, tek këndonte: “I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve.” Në këngën e vet të këngëve, ajo i drejtohet gjithmonë Atij me atë emër të këndshëm: “I dashuri im!”. Madje edhe përmes dimrit të gjatë, kur idhujtaria e pati vyshkur kopshtin e Zotit, profetët e saj gjetën kohë për ta hequr barrën e Zotit për një periudhë të shkurtër dhe për të thënë: “Dua të këndoj për të dashurin tim një këngë të mikut tim lidhur me vreshtin e vet.”
19 mars, mbrëmje – Një vakt i bollshëm

Sa herë që kemi privilegjin të hamë nga buka që na jep Jezusi, ashtu si Ruthi, edhe ne ndihemi të ngopur e të kënaqur nga ushqimi i bollshëm e i shijshëm. Kur Jezusi është i zoti i shtëpisë, asnjë i ftuar nuk ngrihet me barkun bosh nga tryeza e Tij. Mendja jonë është e kënaqur nga e vërteta e paçmuar që zbulon Krishti; zemra jonë është e mbushur me Jezusin, si objekti tërësisht i bukur i dashurisë sonë; shpresa jonë është e plotë, sepse kë mund të kemi në qiell veç Jezusit? Kurse dëshira jonë përmbushet, sepse çfarë mund të dëshirojmë më shumë sesa “të fitojmë Krishtin, dhe, që të gjendemi në të” (Filipianëve 3:8-9)? Jezusi e mbush ndërgjegjen tonë derisa ajo të gjejë paqen e përsosur, gjykimin tonë me bindjen e sigurisë së mësimeve të Tij, kujtesën tonë me kujtimet e bëmave të Tij dhe përfytyrimin tonë me planet e veprave të tij të ardhshme.
19 mars, mëngjes – Si të marrësh bekime

I krishterë, kujdesu për besimin tënd, sepse besimi është e vetmja mënyrë për të marrë bekime! Nëse i duam bekimet e Perëndisë, asgjë nuk mund t’i zbresë ato poshtë, përveç besimit! Asnjë lutje tjetër veç lutjes së zellshme të njeriut besimplotë nuk do të marrë përgjigje nga froni i Perëndisë! Besimi është lajmëtari engjëllor mes shpirtit të njeriut dhe Zotit Jezus në lavdinë e Tij. Po qe se mungon ky engjëll, as mund t’i ngjisim lart lutjet tona dhe as mund të marrim përgjigje për to. Besimi është kablloja telegrafike, e cila lidh tokën me qiellin, përmes së cilës mesazhet e dashurisë fluturojnë me aq shpejtësi drite, saqë Ai na përgjigjet përpara se t’i jemi drejtuar dhe na dëgjon përpara se ta kemi nxjerrë fjalën nga goja. Mirëpo, si mund ta marrim premtimin kur këputet kjo kabllo telegrafike e besimit? A jam vallë në hall? Përmes besimit mund të marr ndihmë për hallin tim. A jam i dërrmuar nga armiku? Shpirti im mbështetet te Perëndia përmes besimit. Mirëpo, nëse e nxjerr besimin nga skena, më kot i drejtohem Perëndisë.
18 mars, mbrëmje – Metoda hyjnore e dashurisë

Dashuria e Perëndisë Atë për Birin nuk ndryshon asnjëherë. I krishterë, ngushëllohu me këtë: dashuria e Jezu Krishtit për ata që qëndrojnë tek Ai, nuk pëson asnjë ndryshim! Dje ndodheshe mbi mal dhe thoshe: “Ai më do”, ndërsa sot gjendesh në luginën e poshtërimit, por Ai vazhdon të të dojë ende me të njëjtën dashuri. Ti e dëgjove zërin e Tij mbi kodra dhe mbi majat e maleve, zë i cili të foli aq ëmbëlsisht për dashurinë e Tij; dhe tani kur gjendesh mbi det, ose madje në të, kur të gjitha dallgët dhe shkulmet e Tij përplasen mbi ty, zemra e Tij vazhdon t’i qëndrojë besnike zgjedhjes së bërë që nga agimi i kohërave.
18 mars, mëngjes – Të gjithë në familje

Të gjithë emrat janë në të njëjtin regjistër familjar. Dikush mund të ketë më shumë hir sesa një tjetër, por Perëndia, Ati ynë Qiellor, ka të njëjtën zemërbutësi kundrejt secilit prej nesh. Dikush mund të bëjë më shumë vepra të fuqishme dhe mund t’i sjellë më shumë lavdi Atit të tij, por ai, emri i të cilit është i fundit në mbretërinë e qiejve, është po aq fëmijë i Perëndisë, sa edhe ai që rreshtohet mes luftëtarëve trima të Mbretit. Le të ngazëllehemi dhe ngushëllohemi duke e ditur këtë, tek i afrohemi Perëndisë për t’i thënë: “Ati ynë”!
17 mars, mbrëmje – Më së pari të pastër e pastaj paqësorë

Zot, jepna hir që të ngjitemi deri te kjo lumturi e shtatë! Pastroji mendjet tona që të jemi “më së pari … të pastër e pastaj paqësorë”, dhe forcoji shpirtrat tanë, që kur të na përndjekin për shkakun Tënd, paqebërja jonë të mos na shpjerë në burracakëri dhe dëshpërim!