21 maj, mëngjes – Nëse…

Megjithëse lipset një hetim [zemre] i përnjëmendtë, duke kaluar kohë në lutje, askush nuk duhet të ndihet i kënaqur “nëse” ende nuk është i sigurt se e ka shijuar që Zoti është i mirë. Një mosbesim i shenjtë dhe me xhelozi ndaj vetes mund të çojë në lindjen e kësaj pyetjeje edhe në zemrën e besimtarit, por mbetja e një dyshimi të tillë do të ishte një gjë vërtet e ligë. Nuk duhet të ndihemi rehat pa luftuar ashpër me veten, për ta shtrënguar fort Shpëtimtarin me krahët e besimit dhe pa thënë: “[Unë] e di se kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i fuqishëm ta ruajë ndoren time deri në atë ditë” (2 e Timoteut 1:12).
20 maj, mbrëmje – Vrapo drejt lidhjeve të dashurisë

Ati ynë qiellor shpesh na tërheq te Vetja me litarët e dashurisë, por, ah, sa të ngadaltë që jemi për të vrapuar drejt Tij! Me sa hezitim që u përgjigjemi nxitjeve të Tij të ëmbla! Ai na tërheq për të pasur një besim më të thjeshtë tek Ai; por ne ende nuk kemi mësuar të besojmë si Abrahami. Nuk i lëmë shqetësimet e kësaj bote në [këmbët] e Perëndisë, por, ashtu si Marta, e ngarkojmë veten me shumë punë shërbimi. Besimi ynë i pakët i sjell dobësi shpirtit tonë; ne nuk e hapim plotësisht gojën, megjithëse Perëndia ka premtuar ta mbushë atë.
20 maj, mëngjes – Tregoje dashamirësinë Tënde

Shumë i dashur, sa të bukura janë buzëqeshjet e Tij tek flet me ne! Çfarë fjalësh të arta dalin nga buzët e Tij të hirshme! Çfarë përqafimesh plot dashuri na fal Ai! Edhe sikur të na jepte vetëm disa qindarka, vetë mënyra se si na i ofron, i bën ato sikur të ishin prej ari! Mirëpo, e vërteta është se dhuratat e kushtueshme janë vendosur në shportën e florinjtë të kujdesit të Tij të dashur. Nuk duhet pasur asnjë dyshim në sinqeritetin e mirësisë së Tij, sepse të gjitha monedhat e Tij janë vulosur me një zemër që pikon gjak. Ai u jep të gjithëve pa kursim dhe pa qortuar. Nuk ka as edhe një hije dyshimi se mos vallë i jemi bërë barrë Atij, as edhe një shikim të ftohtë mbi përfituesit e gjorë [të mirësive të Tij]; përkundrazi, Ai ngazëllehet në vetë mëshirën e Tij, dhe ne e ndiejmë shtrëngimin e fortë të krahëve të Tij tek e jep jetën për ne.
19 maj, mbrëmje – Përgjigje ndaj lutjeve

Ishte një gjë e jashtëzakonshme ta shihje njeriun që nuk do të vdiste kurrë, të cilit Perëndia i kishte caktuar një fat jashtëzakonisht të mbarë, njeriun që do të çohej në qiell mbi një karro të zjarrtë, që do të zhvendosej pa parë vdekje me sy, të lutej në këtë mënyrë: “Tani mjaft, o ZOT! Merre jetën time, se unë nuk jam më i mirë se etërit e mi!”. Këtu, pra, kemi një provë të paharrueshme se Perëndia nuk u përgjigjet lutjeve tona gjithmonë ashtu siç dëshirojmë ne, megjithëse, në fakt, Ai nuk lë lutje pa iu përgjigjur. Ai i dha Elias diçka më të mirë sesa ai kërkoi, dhe kështu, e dëgjoi vërtet dhe iu përgjigj [lutjes së këtij të fundit]. Të duket çudi që zemërluanin Elia e kishte lëshuar kaq keq zemra për shkak të kërcënimeve me vdekje të Jezebelit, dhe megjithatë, sa bekim i madh ishte fakti që Ati qiellor nuk iu përgjigj shërbëtorit të Vet të dëshpëruar ashtu si ky i fundit dëshironte!
19 maj, mëngjes – Pasanikët e rinj dhe madhështia e vërtetë

Mos rënçim në gabimin që t’i lëmë pasionet dhe dëshirat tona mishërore të ngadhënjejnë, ndërkohë që fuqitë tona më fisnike dergjen në pluhur! Hiri duhet të mbretërojë si princ dhe t’i kthejë gjymtyrët e trupit në instrumente drejtësie. Fryma e Shenjtë është dashurues i rregullit, dhe për pasojë, i vë fuqitë dhe aftësitë tona në vendin dhe pozicionin e duhur, duke u dhënë hapësirë më të madhe atyre aftësive frymërore që na lidhin me Mbretin e madh. Le të mos e prishim këtë rregullim hyjnor, por të lutemi për hir, që ta mbajmë nën kontroll trupin tonë dhe që ta nënshtrojmë atë! Nuk u rilindëm si krijesa të reja që t’i lejojmë pasionet tona [të ulëta] të na sundojnë, por që edhe ne, si mbretër, të mund të mbretërojmë me Krishtin Jezus mbi mbretërinë e trefishtë të frymës, shpirtit dhe trupit, për lavdinë e Perëndisë Atë.
18 maj, mbrëmje – Më pas

Oh, sa e bekuar është kjo “më pas”! Kush nuk do të donte të ishte i krishterë? Kush nuk do ta përballonte kryqin e tanishëm për kurorën që vjen më pas? Mirëpo, këtu poshtë nevojitet shumë durim, sepse prehja nuk është për të sotmen dhe as ngadhënjimi nuk është për të tashmen, por për “më pas”. Prit, o shpirti im, dhe lëre durimin ta përfundojë veprën e tij të përsosur!
18 maj, mëngjes – Të gjitha janë tuajat

Ngrihu, o besimtar, dhe vështroje Zotin Jezus tek e mbreh plotësinë e Hyjnisë së Vet në qerren e shpëtimit tënd! Sa i gjerë është hiri i Tij, sa e fortë besnikëria e Tij, sa e qëndrueshme pandryshueshmëria e Tij, sa e pafund fuqia e Tij dhe sa e pamasë dija e Tij! Të gjitha këto, Zoti Jezus i ka kthyer në shtyllat e tempullit të shpëtimit; dhe të gjitha, pa u pakësuar aspak në pafundësinë e tyre, na janë dhënë me besë a besë si trashëgimi e përjetshme. Dashuria e pamasë në zemrën e Shpëtimtarit tonë është e jona fillim e mbarim, ashtu siç janë tonat, duke u vënë në dispozicionin tonë, çdo muskul i krahut të Tij të fuqishëm, çdo xhevahir i kurorës së Tij mbretërore, pambarimësia e dijes hyjnore dhe rreptësia e drejtësisë hyjnore.
17 maj, mbrëmje – Shërbëtorët e zgjedhur të Perëndisë

Mirëpo, Zoti jo vetëm që na quan shërbëtorët e Tij, por edhe të zgjedhurit e Tij—“të kam zgjedhur”. Nuk e zgjodhëm ne të parët, por na zgjodhi Ai ne. Edhe nëse sot jemi shërbëtorët e Perëndisë, nuk kemi qenë gjithmonë të tillë; por merita për një ndryshim të tillë i takon hirit sovran. Sytë e sovranitetit na ndanë mënjanë dhe zëri i hirit të pandryshueshëm shpalli: “Të kam dashur me një dashuri të përjetshme” (Jeremia 31:3). Shumë kohë përpara agimit të kohërave apo krijimit të hapësirës, Perëndia kishte shkruar mbi zemrën e Vet emrat e popullit të Tij të zgjedhur, i kishte paracaktuar që të ishin të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të Tij, dhe i kishte caktuar trashëgimtarë të të gjithë plotësisë së dashurisë, hirit dhe lavdisë së Tij.
17 maj, mëngjes – Pse ta imitosh Krishtin?

Mirëpo, bëhuni imitues të Krishtit veçanërisht për hir të Tij! I krishterë, a e do ti vallë Shpëtimtarin tënd? A është emri i Tij i vyer për ty? A është kauza e Tij e shtrenjtë për ty? A do vallë që t’i shohësh mbretëritë e botës të bëhen të Krishtit? A është dëshira jote që Ai të përlëvdohet? A të digjet zemra për shpëtimin e sa më shumë shpirtrave? Nëse është kështu, bëhu imitues i Jezusit; pra, ji “letra [e Krishtit] … e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit” (2 e Korintasve 3:2-3).
16 maj, mbrëmje – Merr nga Ai me përulësi

Vër re që njerëzit duhej të përgatiteshin me besim për ta marrë bekimin hyjnor! Ata duhej të gërmonin shumë gropa në të cilat do të grumbullohej uji. Po ashtu, duhet që edhe kisha, përmes përpjekjeve dhe lutjeve, ta përgatisë veten që të bekohet; ajo duhet t’i hapë gropat dhe Zoti do t’i mbushë ato. Një gjë e tillë duhet bërë me besim, duke qenë plotësisht të sigurt se bekimi është në të ardhur. Shumë shpejt, ata do të zbulonin një furnizm unik me ujin që u nevojitej. Nuk ndodhi si atëherë me Elian, kur uji zbriti në formën e shiut nga retë; por në një mënyrë të mistershme dhe të heshtur, gropat u mbushëm përplot. Zoti ka metodat e Tij sovrane të të vepruarit: Ai nuk është i kufizuar nga mënyrat dhe koha ashtu si ne, por bën si dëshiron mes bijve të njerëzve. Detyra jonë është të marrim me përulje prej Tij dhe jo t’i diktojmë Atij [mënyrën dhe kohën].