26 maj, mëngjes – Mos po shqetësohesh pak si tepër?

Shqetësimi i tepërt na bën të dyshojmë në dashamirësinë e Perëndisë, dhe kështu, dashuria jonë për Të ftohet dalëngadalë; pushtohemi nga mosbesimi dhe në këtë mënyrë e trishtojmë Frymën e Perëndisë, kështu lutjet tona pengohen dhe dëshmia jonë e papërlyer njolloset, ndërsa jeta jonë kthehet në një jetë egoiste. Si rrjedhim, një mungesë e tillë besimi në Perëndinë na bën që të largohemi gjithnjë e më tepër prej Tij; Mirëpo, nëse, me një besim prej fëmije në premtimin e Tij, e hedhim çdo barrë që na shtohet mbi Të dhe nuk “shqetësohemi për asgjë” (Filipianëve 4:6), sepse Ai ka marrë përsipër që të merakoset për ne, atëherë, kjo do të na mbajë pranë Tij dhe do të na forcojë që t’u rezistojmë tundimeve. “Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti” (Isaia 26:3).
25 maj, mbrëmje – Shpall gjëra të mëdha

Edhe ne duhet të japim dëshmi rreth Jezusit. Rrëfimi i Gjonit rreth varrit [bosh] duhej të mbështetej edhe nga dëshmia e Pjetrit; dhe së bashku me historinë e Marisë, të gjitha këto u ndërthurën për të na dhënë një dëshmi të plotë, së cilës nuk i mungonte asnjë element i domosdoshëm. Secili prej nesh ka dhunti të veçanta dhe përjetime vetjake; por Perëndia i ka dhënë ato me një qëllim të vetëm: përsosjen e mbarë Trupit të Krishtit. Prandaj, duhet që t’i marrim zotërimet tona frymërore dhe t’i sjellim ato në këmbët e apostujve, që të mund të ndajmë me të tjerët gjithçka që na ka dhënë Perëndia.
25 maj, mëngjes – Kur lutesh ti?

Lutemi shpesh që Perëndia të mos na braktisë në orën e sprovës dhe të tundimit, por po aq shpesh harrojmë se këtë lutje duhet ta përdorim në çdo rast e kohë. Nuk ka asnjë çast në jetën tonë, sado i shenjtë qoftë ai, në të cilin mund të bëjmë pa mbështetjen e Tij të vazhdueshme. Pavarësisht nëse jemi në dritë apo në errësirë, në përbashkësi apo në tundim, kemi të njëjtën nevojë për lutjen: “O ZOT, mos më braktis!”. “Përforcomë e unë do të shpëtoj” (Psalmi 119:117).
24 maj, mbrëmje – Ji i denjë

Mirëpo, ungjilli është edhe shumë zemërbutë. Këtë e shohim në Jezusin, [për të cilin thuhet]: “Kallamin e përkulur nuk do ta thyejë” (Mateu 12:20). Disa që shpallin se janë të krishterë, janë më të mprehtë se një gardh ferrash; njerëz të tillë nuk i ngjasojnë Jezusit. Le të përpiqemi t’i fitojmë njerëzit me anë të mirësisë së fjalëve dhe veprave tona!
24 maj, mëngjes – Lutjet e tua të ftohta

Reflekto gjithashtu se sa të rralla kanë qenë lutjet e tua, përveç rasteve kur ke qenë në vështirësi, dhe atëherë ke shkuar shpesh përpara fronit të hirit. Mirëpo, me të marrë çlirimin, ku përfunduan përgjërimet e tua këmbëngulëse? Megjithatë, edhe pse nuk po lutesh më siç bëje dikur, Perëndia nuk pushoi së të bekuari. Edhe pse e ke lënë pas dore daljen përpara fronit të hirit, Perëndia nuk e ka braktisur atë, por drita e shndritshme e lavdisë së Tij ka vazhduar të shkëlqejë mes krahëve të kerubimëve. Oh, sa i mrekullueshëm është fakti që Zoti u kushton vëmendje kërkesave tona, edhe pse ia paraqitim me hope sipas nevojave tona të rastit! Çfarë Perëndie është ky që i dëgjon lutjet e atyre që vijnë përpara Tij vetëm kur kanë nevoja urgjente, por që e lënë fare pas dore Atë pasi kanë marrë një mëshirë; të cilët i afrohen vetëm kur janë të detyruar për një gjë të tillë, por që pothuajse harrojnë t’i drejtohen Atij kur mëshirat janë me bollëk dhe kur vuajtjet janë me pakicë!
23 maj, mbrëmje – Mos u bëj kurrë dorështrënguar

Lexues, nuk ndodh kurrë kështu me ty vallë? A nuk ekziston vallë mundësia që ankesa e këtij vargu të bëhet edhe kundër teje në mos shpesh në të rrallë? Skamnorët që janë të pasur në besim, do të pranohen, edhe pse dhuratat e tyre mund të jenë të vogla; por ti, lexues i gjorë, a i jep Zotit në përpjesëtim të drejtë me pasurinë tënde, apo i mban monedhat e vejushës larg thesarit të shenjtë? Besimtari i pasur duhet të jetë mirënjohës për pasurinë që i është besuar, por pa e harruar përgjegjësinë e vet të madhe, sepse atyre që u jepet shumë, do t’u kërkohet më shumë.
23 maj, mëngjes – Ai fillon dhe Ai përfundon

Psalmisti ishte i urtë, sepse nuk mbështetej në asgjë tjetër veç veprës së Zotit. Pikërisht Zoti ka filluar një vepër të mirë brenda nesh dhe është Ai që e çon atë përpara. Nëse Ai nuk e përfundon, ajo vepër nuk ka për të mbaruar kurrë. Sikur të na duhej që ta qepnim vetë qoftë edhe një palë të veshjes qiellore të drejtësisë sonë, atëherë do të ishim të humbur; por në këtë qëndron besimi ynë—atë që Zoti e fillon, Ai edhe e përsos. Ai ka bërë gjithçka, duhet të bëjë gjithçka dhe do të bëjë gjithçka. Siguria jonë nuk duhet të bazohet në atë që kemi bërë, apo në atë që kemi vendosur të bëjmë, por, përkundrazi, duhet të qëndrojë krejtësisht mbi atë që Zoti do të bëjë.
22 maj, mbrëmje – Kaleidoskopi i bukurisë së Krishtit

Shumë nga shenjtorët e Vet e kanë parë atë nga zymtia e birucave dhe nga flakët e turrës së druve të martirëve; megjithatë, nuk thanë kurrë asnjë fjalë të keqe kundër Tij, por vdiqën duke ngritur në qiell hiret e Tij të pakrahasueshme. Oh, ç’kohëzënie e këndshme dhe fisnike është t’i mbash sytë gjithë kohës drejt Zotit Jezus! A nuk është një kënaqësi e patregueshme ta shohësh Shpëtimtarin në të gjitha funksionet e Tij dhe ta dallosh se sa i pashoq është Ai në secilin prej tyre? A nuk është kënaqësi e papërshkrueshme ta lëvizësh kaleidoskopin dhe të zbulosh [në çdo lëvizje] kombinime të reja të hireve të pakrahasueshme? Në grazhd dhe në përjetësi, mbi kryq dhe mbi fronin e Tij, në kopsht dhe në mbretërinë e Vet, mes hajdutëve apo mes kerubimëve, Ai është gjithkund i lavdishëm në bukurinë e Tij.
22 maj, mëngjes – Të pyesësh ‘Pse?’

Po, ndodh edhe kështu. Eklipsi i besimit tënd, terri që ta pushton mendjen, mpakja e shpresës sate—të gjitha këto janë përbërës të metodës së Perëndisë për të të bërë gati për trashëgiminë e madhe, të cilën do ta gëzosh së shpejti. Këto sprova janë për të të vënë në provë dhe për të të forcuar besimin—ato janë dallgët që e lajnë dhe pastrojnë shkëmbin—ato janë erërat që e drejtojnë anijen tënde me më shumë shpejtësi drejt portit të dëshiruar. Ashtu siç thotë vetë Davidi, kështu mund të thuhet edhe për ty: “Dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.” Me anë të nderimit dhe çnderimit, fjalëve të mira dhe të këqija, kamjes dhe skamjes, gëzimit dhe shqetësimit, përndjekjes dhe paqes—me anë të të gjitha këtyre mbahet jeta jote frymërore, dhe secila prej tyre të ndihmon përgjatë rrugës.
21 maj, mbrëmje – Sigurimi i Perëndisë

Besimtar, megjithëse sot mund të të duket se gjithçka është ngritur kundër teje, mos e humb toruan, sepse Perëndia e ka vënë mënjanë një rezervë për ty; madje edhe në aktin e vuajtjeve të tua gjendet një klauzolë shpëtimi! Nuk dihet se si, por në njëfarë mënyre, Ai do të të shpëtojë dhe diku, Ai do të sigurojë për ty. Shpëtimi yt mund të vijë nga një burim prej të cilit ti nuk e pret aspak, por ndihma do të të jepet pikërisht atëherë kur nevoja të jetë më e madhe, dhe ti do të lartësosh emrin e Zotit. Nëse nuk do të vijë njeri të të ushqejë, këtë do ta bëjnë korbat; dhe nëse toka nuk do të prodhojë drith, mana do të bjerë nga qielli për ty.