5 qershor, mëngjes – I mbyllur brenda

Dora e dashurisë hyjnore e mbylli Noeun [dhe të tijtë] larg botës. Dora e qëllimit zgjedhës të Perëndisë na ndan prej botës që dergjet nën pushtetin e të ligut. Ne nuk i përkasim botës, ashtu si edhe Zoti ynë Jezus nuk ishte i kësaj bote. Nuk mund të marrim pjesë në mëkatet, dëfrimet dhe zbavitjet e turmës; nuk mund të luajmë në rrugët e Panairit të Kotësive me fëmijët e errësirës, sepse Ati ynë qiellor na ka mbyllur larg tyre.
4 qershor, mbrëmje – Lavdia e Krishtit

Jezusi është veshur me gjithë lavdinë që qielli mund t’i dhurojë Atij, për shkak të së cilës i shërbejnë dhjetë mijë herë dhjetë mijë engjëj. Edhe sikur ta shtysh përfytyrimin tënd përtej çdo caku të mundshëm, nuk mund ta konceptosh dot madhështinë e Tij të jashtëzakonshme; megjithatë, ajo do të na zbulohet më qartë kur Ai do të zbresë nga qielli në fuqi të madhe, me gjithë engjëjt e shenjtë—“atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet” (Mateu 25:31). Shkëlqimi i asaj lavdie, kur të shihet, do t’i rrëmbejë zemrat e popullit të Tij. Mirëpo, gjithçka nuk mbaron me kaq, sepse nga përjetësia në përjetësi do të ushtojë lavdërimi për Të: “Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi!” (Psalmi 45:6). Lexues, nëse do të ngazëllehesh në lavdinë e Krishtin në të ardhmen, Ai duhet të jetë i lavdishëm për ty që tani. Pra, a është Ai i tillë?
4 qershor, mëngjes – Përbashkësia me Jezusin

Sa herë që meditojmë rreth kësaj dashurie të mrekullueshme dhe shohim Kreun e kishës se si i lë asaj për trashëgimi gjithë pasurinë dhe fuqinë e Tij, shpirtrat tanë për pak sa nuk zalisen nga gëzimi. E kush vallë mund ta përballojë një peshë të tillë dashurie? Madje edhe ndjesia e kufizuar e asaj që Fryma e Shenjtë na jep ndonjëherë, shkon përtej asaj që mund të mbajë shpirti; sa transformuese do të ishte pamja e plotë e saj! Kur shpirti të mësojë t’i dallojë të gjitha dhuratat e Shpëtimtarit, dhe t’i jepet urtësia e nevojshme për t’i vlerësuar ato, si dhe koha e mjaftueshme për të medituar rreth tyre, të tilla siç vetëm qielli do të na i ofrojë, atëherë ne do të kemi një përbashkësi më intime me Jezusin, në krahasim me të tashmen.
3 qershor, mbrëmje – Shih sa u përul

Ti ishe kaq i humbur, saqë nuk mund të të shpëtonte asgjë tjetër, veç flijimit të të vetmit Bir të Perëndisë. Mendo për këto gjëra, dhe ashtu siç Jezusi e përuli veten për ty, bjer në gjunjë me përulësi në këmbët e Tij. Ndjesia e dashurisë së mahnitshme të Jezusit për ne ka më shumë gjasa të na përulë më tepër sesa vetëdijesimi për fajin tonë. Na shpëntë Zoti në meditim në kodrën e Golgotës; dhe atëherë, pozicioni ynë nuk do të jetë më ai prej njeriu krenar e të kapardisur, por do të zëmë vendin e poshtëm të dikujt që do shumë, sepse i është falur shumë.
3 qershor, mëngjes – Shërbe aty ku ai të ka vendosur

Ju punëtorë të panjohur që i shërbeni Zotit mes pisllëkut dhe mjerimit të vendeve më të ndyra, merrni zemër, sepse edhe xhevahiret shpesh janë gjetur nëpër plehra, enët e baltës janë mbushur me thesare qiellore dhe barërat e këqija janë shndërruar në lule me bukuri dhe aromë të rrallë. Banoni bashkë me Mbretin dhe kryeni punën e Tij, dhe kur Ai të shkruajë kronikat e Veta, emri juaj do të regjistrohet në to.
2 qershor, mbrëmje – Krishti është Mësuesi im

Dëshmia ime e përulur duhet të ketë medoemos të njëjtin rezultat. Do ta shpall këtë dëshmi përpara miqve dhe fqinjëve të mi, sepse ka mundësi që ata të nxiten nga dëshmia ime për ta kërkuar Zotin tim Jezus si Mësuesin e tyre. Oh, sikur edhe ata ta ndiqnin shembullin tim! Kurrë nuk do të pendoheshin për vendimin. Nëse do ta merrnin zgjedhën e Tij të lehtë pendë, do të zbulonin se po kryenin një shërbesë kaq mbretërore, saqë do të dëshironin ta kryenin atë për jetë e mot. Shkolla e hirit gëzohet që ka një Mësues të tillë!
2 qershor, mëngjes – Një përleshje e vazhdueshme

A po lufton me kundërshtarin sot? A janë ngritur vallë kundër teje me kuç e me maç Satani, bota dhe mishi? Mos të të lëshojë zemra dhe mos e humb toruan! Vazhdo të luftosh, sepse Perëndia dora Vetë është në anën tënde! Jahveh Nisi është flamuri yt dhe Jahveh Rofi është shëruesi i plagëve të tua. Mos u druaj, do të dalësh fitimtar, sepse kush mund ta mposhtë të Gjithëfuqishmin?! Vazhdo të luftosh, “duke i drejtuar sytë te Jezusi” (Hebrenjve 12:2); dhe megjithëse beteja është e ashpër dhe e gjatë, fitorja do të jetë e ëmbël dhe shpërblimi i premtuar i lavdishëm.
1 qershor, mbrëmje – Në shkretëtirë

Por pa shih pak dhe mahnitu! Sa hap e mbyll sytë, nga toka e djegur shoh të ngrihet e lulëzojë një bimë e mirënjohur; dhe teksa hedh shtat, çel gonxhe. Gonxhja hapet—është një trëndafil, dhe në krah të tij, ja tek çel një zambak që e ul kokën poshtë në shenjë modestie—dhe, mrekulli e mrekullive, teksa aroma e këtyre luleve përhapet, shkretëtira shndërrohet në një fushë frytdhënëse, dhe kudo lulëzon me bollëk si lavdia e Libanit dhe shkëlqimi i Karmelit dhe i Sharonit. Mos e quaj më Sahara; quaje Parajsë! Mos iu refero më asaj si lugina e vdekjes, sepse aty ku dergjeshin nën diell eshtrat e thara, [tashmë] shpallet ringjallja dhe të vdekurit kthehen në jetë, një ushtri e fuqishme, plot me jetë të pavdekshme. Jezusi është ajo bimë e mirënjohur, dhe prania e Tij i bën të gjitha gjërat të reja.
1 qershor, mëngjes – Dritë dhe errësirë

Atëherë, shpirti im, cila është gjëja më e mirë që mund të bësh? Mëso, së pari, të jesh i kënaqur me këtë rend hyjnor dhe të jesh i gatshëm ta pranosh edhe të mirën, edhe të keqen nga duart e Zotit, porsi Jobi. Mëso më pas se si t’i fillosh dhe mbarosh ditët e tua me gëzim. Lavdëroje Zotin për diellin e gëzimit kur agon dhe për muzgun e mbrëmjes në të ngrysur! Që të dy janë të bukur: qoftë lindja, ashtu edhe perëndimi i diellit; këndo për këtë dhe lavdëroje Zotin! Porsi bilbili, përhapi notat e tua melodike në çdo orë të ditës. Beso që nata është po aq e dobishme sa edhe dita. Vesa e hirit pikon më së shumti gjatë natës së pikëllimit. Yjet e premtimit shndrisin lavdishëm kundër errësirës së pikëllimit. Mos pusho së shërbyeri pavarësisht nga rrethanat. Nëse lajtmotivi i ditës sate është fjala punë, natën këmbeje atë me fjalën rojë. Çdo orë ka detyrën e vet; prandaj ngulmo në thirrjen tënde si shërbëtor i Zotit, derisa Ai të shfaqet papritmazi në lavdinë e Tij!
31 maj, mbrëmje – Shërim nga mjeku hyjnor

Cilado qoftë sëmundja jonë frymërore, ne duhet të shkojmë menjëherë te Mjeku Hyjnor! Nuk ka zemërthyerje që Zoti Jezus nuk mund ta fashojë. “Gjaku i Jezu Krishtit, Birit të Tij, na pastron nga çdo mëkat” (1 e Gjonit 1:7). Mjafton të mendojmë për ata mijëra e mijëra besimtarë që janë shëruar nga të gjitha llojet e sëmundjeve falë fuqisë dhe meritës së prekjes së Tij, dhe me gëzim do ta lëmë veten në duart e Tij. Ne besojmë tek Ai dhe mëkati vdes; ne e duam Atë dhe hiri jeton; ne e presim Atë dhe hiri forcohet; ne e shohim Atë ashtu siç është, dhe hiri përsoset përgjithmonë.