25 qershor, mëngjes – T’i ngjitesh një mali

E këtillë është edhe jeta e krishterë. Kur sapo kemi besuar në Krishtin, shohim vetëm pak prej Tij. Sa më lart që ngjitemi, aq më shumë zbulojmë nga bukuria e Tij. Mirëpo, kush vallë ka mbërritur ndonjëherë deri në majë? Kush i ka njohur të gjitha lartësitë dhe thellësitë e dashurisë së Krishtit, të cilat ia tejkalojnë çdo njohurie? Pali, kur ishte mplakur e thinjur, dhe dridhej në një qeli burgu në Romë, mund të thoshte me më shumë patos sesa të gjithë ne: “E di kujt i kam besuar” (2 e Timoteut 1:12), sepse, për të, çdo përvojë kishte qenë si ngjitja e një kodre, çdo sprovë kishte qenë si ngjitja e një maje tjetër, ndërsa vdekja e tij ngjante me arritjen e majës së malit, nga i cili mund të shihte të gjithë panoramën e besnikërisë dhe dashurisë së Atij të cilit ia kishte besuar shpirtin e vet. Eja, miku im, dhe ngjitju përpjetë malit të lartë!
24 qershor, mbrëmje – Shpëtuar nga kthetrat e vdekjes

Nëse ndodh që, në provaninë e Perëndisë, humbet për hir të ndërgjegjes, do të zbulosh se në mos të shpërbleftë me argjendin e begatisë tokësore, Zoti do ta mbajë premtimin e Tij për të të shpërblyer me arin e gëzimit frymëror. Dije mirë se jeta e njeriut nuk varet nga bollëku i pasurive të tij.
Pasja e një shpirti të çiltër dhe e një zemre të paqortueshme, pasja e favorit dhe buzëqeshjes së Perëndisë, janë pasuri shumë më të mëdha se gjithë ari dhe diamantet e botës. “Më mirë një pjatë perime me dashuri sesa një ka i majmur me urrejtje” (Fjalët e Urta 15:17). Një gram kënaqësie vlen më shumë sesa një ton ari.
24 qershor, mëngjes – Kush është i privilegjuar?

Zbuluesi Hyjnor i sekreteve na e shpalos zemrën e Tij, dhe nuk mban të fshehtë asnjë nga gjërat që janë të dobishme për ne. Sigurimi i Tij është ky: “…përndryshe do t’ju thosha…” (Gjoni 14:2). A nuk na shfaqet Ai neve sot ashtu si nuk i shfaqet botës? Dhe duke qenë se Ai e bën këtë, ne nuk do të thërrasim plot padije: “Lum barku që të barti”, por, me shumë mençuri, do ta bekojmë Perëndinë që, pasi e kemi dëgjuar fjalën dhe e kemi fshehur atë në zemër, së pari, kemi një përbashkësi po kaq të vërtetë me Shpëtimtarin sa edhe nëna e Tij; dhe, së dyti, zotërojmë një njohje po kaq të vërtetë të sekreteve të zemrës së Tij, sa mund të mendohet se pati fituar ajo. Lum shpirti që e gëzon këtë privilegj!
23 qershor, mbrëmje – Birësim i hapur

Shenjtorët janë fëmijët e Perëndisë edhe në këtë botë, por e vetmja mënyrë me anë të së cilës njerëzit do ta zbulojnë këtë, është përmes disa karakteristikave morale të caktuara. Birërimi nuk është diçka që shfaqet dukshëm; fëmijët e Perëndisë nuk janë shpallur ende botërisht. Mes romakëve, një burrë mund ta birësonte një fëmijë dhe ta mbante të fshehtë një gjë të tillë për një kohë të gjatë; mirëpo, ekzistonte edhe një formë tjetër birësimi, kjo e dyta në publik; kur fëmija paraqitej përpara autoriteteve ligjore, i hiqeshin rrobat e vjetra dhe ati i tij birësues e vishte me petka që i përshtateshin statusit të tij të ri shoqëror. “Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, dhe ende nuk është shfaqur ç’do të jemi” (1 e Gjonit 3:2). Ende nuk i kemi veshur petkat që i kanë hije familjes mbretërore të qiellit. Në këtë trup mbajmë veshur të njëjtat petka që mbanim si bij të Adamit. Mirëpo, ne e dimë mirë se “kur të shfaqet ai”, i cili është “i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve” (Romakëve 8:29), edhe ne do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim Atë sesi është.
23 qershor, mëngjes – I pjekur nga të dyja anët

Kjo është e vërtetë edhe për mua, Zoti Jezus; kthemë! Ktheje natyrën time të pashenjtëruar nga ana e zjarrit të dashurisë Sate dhe le të marrë ajo një faqe nga rrezatimi i shenjtë, por bëj që ana ime e djegur të ftohet pak, teksa njihem me dobësitë e mia dhe ndiej mungesën e nxehtësisë kur largohem nga flaka Jote qiellore. Le të mos jem një njeri me dy mendje, por dikush që është kokë e këmbë nën ndikimin e fuqishëm të hirit mbretërues. Unë e di shumë mirë se, nëse mbetem si një kulaç i pakthyer, dhe nuk prekem nga hiri Yt në të dyja anët, atëherë do të digjem përjetësisht në flakët e amshueshme.
22 qershor, mbrëmje – Qëndroni të patundur

Pavarësisht nga lloj-lloj hallesh që na zënë, le të tregohemi burra; le ta tregojmë se nuk jemi si ata fëmijët e vegjël që i lëshon zemra nga gjërat që u ndodhin në këtë jetë fluturake. Vendi ynë është toka e Emanuelit, shpresa jonë është e sigurt lart në qiell dhe për pasojë, duke qenë të qetë si oqeani i verës, do të shohim lundërthyerjen e çdo gjëje që i takon kësaj bote, por, prapëseprapë, do të ngazëllehemi në Perëndinë e shpëtimit tonë.
22 qershor, mëngjes – Krishti ndërtuesi

E gjitha kjo është vepra e vetë Krishtit. Secili besimtar përgatitet e latohet, dhe bëhet gati për vendin e tij në tempull; mirëpo, është vetë dora e Krishtit që e kryen këtë punë përgatitore. Pikëllimet nuk mund të shenjtërojnë, përveç rastit kur përdoren prej Krishtit për të përmbushur qëllimin e Tij. Lutjet dhe përpjekjet tona nuk mund të na bëjnë gati për qiellin, të veçuara nga dora e Krishtit, e cila u jep formën e duhur zemrave tona.
21 qershor, mbrëmje – Themeli i besimit tonë

Flijimi zëvendësues i Krishtit për fajtorët, Krishti që bëhet mëkat për ne, me qëllim që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të, Krishti që ofron një shlyerje të vërtetë e të pranueshme në vend, më këmbë dhe për dobi të të gjithë atyre që i ka dhënë Ati, të cilët Perëndia i njeh me emër, dhe njihen në zemrat e tyre për besimin që kanë në Jezusin—kjo është e vërteta bazë e Ungjillit. Nëse do të hiqej ky themel, çfarë do të na mbetej të bënim? Mirëpo, ai qëndron i patundur si froni i Perëndisë. E njohim, qëndrojmë dhe gëzohemi në të; ndërsa kënaqësia jonë më e madhe është ta mbajmë atë, të meditojmë mbi të dhe ta shpallim, ndërsa dëshira jonë është të vihemi në lëvizje dhe në veprim nga mirënjohja për të në çdo pjesë të jetës dhe sjelljes sonë.
21 qershor, mëngjes – Portreti i bukurisë

Oh Jezus, fuqia Jote, hiri Yt, drejtësia, zemërbutësia, e vërteta, madhështia dhe pandryshueshmëria Jote ndërthuren për të formuar një njeri, ose më saktë një Perëndi-njeri të cilin as qielli dhe as toka nuk e kanë parë ndonjëherë diku tjetër. Fëmijëria dhe përjetësia Jote, vuajtjet dhe fitoret e Tua, vdekja dhe pavdekësia Jote ndërthuren që të gjitha në një pëlhurë të mahnitshme, të paqepur dhe të pagrisshme. Ti je muzikë pa asnjë notë të stonuar; je gjithçka dhe prapëseprapë nuk të mungon harmonia. Ashtu siç shkrihen të gjitha ngjyrat në një ylber të shkëlqyeshëm, kështu edhe lavditë e qiellit dhe të tokës takohen në Ty, duke u bërë njësh në një mënyrë kaq të mrekullueshme, saqë nuk ka asnjë si Ti në të gjitha gjërat. Në të vërtetë, edhe sikur të gjitha virtytet më të mrekullueshme të mblidheshin në një tufë, nuk do të mund të mateshin me Ty, o pasqyrë e çdo përkryerjeje! Ti je vajosur me vajin e shenjtë, të cilin Perëndia yt e ka vënë mënjanë vetëm për Ty; dhe për sa i përket aromës Sate, ajo është parfumi i shenjtë, i cili nuk mund të krahasohet as me parfumin e parfumierit më të mirë në botë; një parfum ku çdo erëz është aromatike, por përzierja e tyre është hyjnore.
20 qershor, mbrëmje – Menjëherë

Nëse lexuesit do t’i lindte në zemër që të bënte diçka teksa lexon këto faqe, le të nxitojë e ta bëjë përpara se rrezatimi hyjnor të jetë larguar nga shpirti i tij, dhe le t’i lërë rrjetat e veta bashkë me gjithçka tjetër ka, përpara se të konsiderohet rebel përpara thirrjes së Mjeshtrit. Mos i lër hapësirë djallit me vonesën tënde! Vepro për sa kohë që mundësia dhe dëshira janë duke bashkëpunuar në të mirën tënde! Mos u pengo në rrjetat e tua, por këputi leqet e botëdashurisë dhe shko aty ku të thërret lavdia! Sa i lumtur është autori që ka lexues të cilët janë të vendosur për t’i zbatuar mësimet e tij: të korrat e Tij do të jenë njëqindfish më të mëdha dhe Mjeshtri i tij do të marrë nderime të mëdha. Ne thjesht mund të lutemi që ky të jetë shpërblimi ynë për këto meditime të shkurtra dhe udhëzime të shpejta. O Zot, dhuroja këtë favor shërbëtorit tënd!