5 korrik, mëngjes – Thirrur për të qenë shenjtorë

Ne jemi shumë të prirur që t’i konsiderojmë shenjtorët apostolikë sikur ata të ishin “shenjtorë” në një mënyrë më të veçantë sesa fëmijët e tjerë të Perëndisë. Të gjithë ata që Zoti i ka thirrur me anë të hirit të Tij dhe i ka shenjtëruar me anë të Frymës së Vet, janë “shenjtorë”; por ne kemi prirjen t’i shohim apostujt si të ishin qenie të jashtëzakonshme, të paprekshëm nga dobësitë dhe tundimet sikurse ne të tjerët.
4 korrik, mbrëmje – Duar të pastra

Njeriu që ka lindur për qiellin, “nuk e ngre shpirtin për t’u dukur”. Të gjithë njerëzit kanë gëzimet e tyre përmes së cilave ngrihen shpirtrat e tyre. Në fakt, njeriu i kësaj bote e ngre shpirtin e tij përmes kënaqësive të mishit, të cilat janë thjesht kotësi boshe, ndërsa shenjtori dëshiron gjëra më të qenësishme; porsi Jozafati, edhe ai forcohet në rrugët e Zotit. Ai që kënaqet me lende, do të llogaritet për derr. A të fal kënaqësi bota? Atëherë shpërblimi dhe thesari yt i takojnë kësaj jete; përfito sa të mundesh prej saj, sepse nuk do të njohësh gëzim tjetër.
4 korrik, mëngjes – Mjeti i shenjtërimit

E vërteta na shenjtëron, dhe po nuk e dëgjuam apo lexuam atë, nuk do të rritemi në shenjtërim. Jetojmë gjithnjë e më shumë në një mënyrë të shëndoshë, vetëm nëse përparojmë në njohurinë e shëndoshë. “Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim” (Psalmi 119:105). Mos thuaj për asnjë gabim: “Është thjesht një çështje mendimesh të ndryshme.” Ai që fillimisht tolerohet si një gabim i gjykimit, herët a vonë kthehet në një gabim në lidhje me gjërat praktike të besimit. Mbahu fort pas së vërtetës, sepse vetëm duke vepruar kështu, do të shenjtërohesh nga Fryma e Perëndisë!
3 korrik, mbrëmje – Vuaj dhe mbretëro

Nëse jemi të rrëmbyer e të pakujdesshëm, dhe nxitojmë e zëmë pozita për të cilat as provania dhe as hiri nuk na kanë përgatitur, atëherë duhet ta pyesim veten nëse po mëkatojmë në vend që të kemi përbashkësi me Jezusin. Nëse e lëmë pasionin të zërë vendin e gjykimit dhe kokëfortësinë të mbretërojë në vend të autoritetit të Shkrimeve, ne do t’i luftojmë betejat e Zotit me armët e qoftëlargut, dhe pastaj nuk duhet të habitemi nëse i presim pa dashje gishtat tanë. Gjithashtu, kur na zënë hallet si pasojë e mëkatit, as të mos e ëndërrojmë se po vuajmë me Krishtin.
3 korrik, mëngjes – Një makth i vërtetë

Nëse e lë pas dore lutjen, qoftë edhe për një kohë të shkurtër, e humbas gjithë perëndishmërinë që mund të kem arritur; nëse nuk marr furnizime të reja nga qielli, drithi i vjetër në hambarin tim, shumë shpejt konsumohet nga zija e bukës që zien në shpirtin tim. Atëherë kur larvat e indiferencës, krimbat e botëdashurisë dhe kurthet e vetëkënaqësisë ma shkretojnë plotësisht zemrën dhe e bëjnë shpirtin tim të vuajë, e gjithë frytshmëria dhe rritja ime e mëparshme në hir nuk më vlen më për asgjë.
2 korrik, mbrëmje – Klithi Zotit

“Mos rri në heshtje.” Njerëzit që janë thjesht formalistë, mund të kënaqen edhe kur lutjet e tyre mbeten pa përgjigje, por ata që luten me gjithë zemër, nuk mund të kënaqen me një gjë të tillë; ata nuk mjaftohen me rezultatet fillestare të lutjes që janë qetësimi i mendjes dhe nënshtrimi i vullnetit—ata duhet të shkojnë më tutje dhe të marrin përgjigje nga qielli, ose përndryshe nuk gjejnë dot prehje. Ata digjen nga dëshira që t’i marrin menjëherë ato përgjigje—madje i druhen edhe një heshtjeje të shkurtër të Perëndisë.
2 korrik, mëngjes – Mos ki frikë

Sa i bekuar është fakti që të krishterët mund të ngazëllehen edhe në pikëllimet më të thella! Megjithëse mund të rrethohen nga hallet, ata vazhdojnë të këndojnë; dhe si shumë zogj, ata këndojnë më mirë atëherë kur janë të mbyllur në kafaz. Dallgët mund të përplasen mbi ta, por shpirtrat e tyre dalin menjëherë në sipërfaqe dhe shohin dritën e fytyrës së Perëndisë; ata karakterizohen nga një aftësi pluskuese që i mban përherë në sipërfaqe dhe që i ndihmon të këndojnë edhe në mes të stuhisë: “Perëndia është ende me mua.”
1 korrik, mbrëmje – Në flladin e ditës

Po kërkoj vetëm atë që Ai ka kënaqësi të më falë. Jam i sigurt se Ai do të denjojë të ketë përbashkësi me mua, sepse më ka dhënë Frymën e Tij të Shenjtë që të banojë tek unë për jetë e mot. I bukur është muzgu i freskët kur çdo yll duket si syri i parajsës, ndërsa flladi i freskët si fryma e dashurisë hyjnore. Ati im, Vëllai im më i madh, Ngushëlluesi im i ëmbël, folmë tani me dashamirësi, sepse m’i ke hapur veshët dhe ma ke larguar frymën e rebelimit!
1 korrik, mëngjes – Një burim që nuk shteron

Gëzohu, o shpirti im, që u kurseve për të dëshmuar besnikërinë e Zotit! Stinët ndryshojnë dhe bashkë me to ndryshon edhe ti, por Zoti yt mbetet përgjithmonë i njëjti, dhe burimet e dashurisë së Tij janë po aq të thella, të gjera dhe të mbushura përplot sa edhe përherë. I nxehti i shqetësimeve të lidhura me punën dhe sprovat përvëluese më shtyjnë që të kërkoj efektet freskuese të lumit të hirit të Tij. Mund të shkoj menjëherë për të pirë sa të ngopem nga burimi i pashtershëm, sepse, dimër e verë, ai nuk pushon së gurgulluari ujë të freskët. Burimet e lartësive nuk mbeten kurrë pa ujë, ashtu sikurse, lavdi emrit të Zotit, edhe burimet e fushave nuk shterojnë asnjëherë.
30 qershor, mbrëmje – Një premtim i pamundur

Qoftë një Noe që do të ndërtojë një anije në tokë të thatë, një Abraham që duhet ta ofrojë birin e tij të vetëm si flijim, një Moisi që duhet t’i përbuzë thesaret e Egjiptit, apo një Jozue që duhet ta mbajë të rrethuar Jerikon për shtatë ditë, duke mos përdorur asnjë armë, por vetëm ushtimat e borive, të gjithë këta njerëz, pra, veprojnë sipas urdhrit të Perëndisë, kundër diktatit të arsyes njerëzore; dhe Zoti u jep atyre një shpërblim të pasur si rezultat i besimit të tyre të bindur. Dashtë Perëndia që, në krishterimin e këtyre kohëve moderne, të kemi një derdhje sa më të fuqishme të këtij besimi heroik në Perëndinë. Sikur të guxonim më shumë që t’i vinim në praktikë premtimet e thjeshta të Perëndisë, do të hynim në një botë mrekullish, të cilën as e kemi njohur dhe as e kemi shkelur. Paçim edhe ne të njëjtën siguri besimi sikurse Jeremia, sepse nuk ka asgjë tepër të vështirë për Perëndinë që krijoi qiejt dhe tokën!