19 gusht, mëngjes – Mbreti ynë Bari

spurgeon dev 19 gusht am

Mbretërimi i Tij është i pandërprerë për nga kohëzgjatja. Na thuhet: “Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij”, dhe jo: “Ai do t’i ushqejë herë pas here, por nuk do ta mbajë gjatë gjithë kohës pozitën e tij”, por as nuk thuhet: “Një ditë Ai do të nxisë një rizgjim dhe pastaj ditën tjetër do ta lërë Kishën e Tij të endet në djerrinë.” Sytë e Tij nuk dremisin kurrë dhe duart e Tij nuk pushojnë asnjëherë; zemra e Tij nuk pushon së rrahuri me dashuri, ndërsa supet e Tij nuk lodhen asnjëherë së mbajturi barrët e popullit të Vet.

18 gusht, mbrëmje – A je i gatshëm të vuash?

spurgeon dev 18 gusht pm

Është gjë e mirë të jesh në gjendje të thuash: “Zoti im, në qoftë se për ndonjë arsye nuk duhet të vuaj, ama nëse përmes vuajtjes mund të të nderoj Ty më shumë, dhe po qe se humbja e zotërimeve të mia tokësore do të të përlëvdojë Ty, atëherë u bëftë vullneti Yt! E refuzoj rehatinë po qe se të çnderon Ty.” Le të mësojmë të ecim në gjurmët e Zotit tonë, duke përballuar me gëzim çdo sprovë për hir të Tij, duke hequr dorë pa vonesë dhe vullnetarisht nga çdo mendim për veten dhe për rehatinë tonë, po qe se ky nuk do të na linte të përfundonim punën që Ai na ka dhënë për të bërë. Hir i madh nevojitet, por hir i madh sigurohet gjithashtu.

18 gusht, mëngjes – Të huaj në shtëpinë e Zotit

spurgeon dev 18 gusht am

Megjithatë, zelli ynë duhet të fillojë brenda mureve të shtëpisë. Le ta shqyrtojmë veten për të parë nëse kemi të drejtë të marrim pjesë në tryezën e Darkës së Zotit. Le të kujdesemi që t’i mbajmë veshur petkat prej dasmori, se mos edhe ne konsiderohemi si të huaj në shenjtoren e Zotit. Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur; rruga është e ngushtë dhe porta është e vogël. Oh, paçim hirin të vijmë te Jezusi ashtu siç duhet, pra, me besimin e të zgjedhurve të Perëndisë! Ai që goditi Uzain ngaqë preku arkën, është shumë xheloz për dy mjetet e Veta të hirit [pagëzimin dhe Darkën e Zotit]. Nëse jam besimtar i vërtetë, mund t’u afrohem atyre lirisht; nëse jam një i huaj, nuk guxoj t’i prek, se përndryshe vdes. Të gjithë ata që janë pagëzuar ose që vijnë te tryeza e Darkës së Zotit, kanë për detyrë ta shqyrtojnë veten. “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia” (Psalmi 139:23).

17 gusht, mbrëmje – Deri këtu e jo më tej

spurgeon dev 17 gusht pm

Nga fjalët e Zotit tonë mësojmë se edhe sëmundja e ka një cak. Ja ku kemi këtu shprehjen “është për”, e cila shërben edhe si caku përfundimtar i sëmundjes, cak përtej të cilit ajo nuk shkon dot. Llazari mund të kalonte edhe përmes vdekjes, por vdekja nuk do të ishte fundi i sëmundjes së tij. Në çdo sëmundje, Zoti u thotë valëve të dhimbjes: “Deri këtu mund të shkoni, por jo më tutje.” Synimi i Tij i mirëpërcaktuar nuk është shkatërrimi, por mësimi i popullit të Vet. Urtësia e vendos termostatin te gryka e furrnaltës dhe rregullon nxehtësinë brenda saj.

17 gusht, mëngjes – Mirësia e Perëndisë

Medito paksa rreth kësaj mirësie të Zotit. Është mirësi e dhembshur. Me një prekje të lehtë e plot dashuri, Ai i shëron zemërthyerit dhe i fashon plagët e tyre. Ai është po aq i hirshëm në mënyrën se si e fal mirësinë e Tij, sa edhe në përmbajtjen e saj. Është mirësi e madhe. Nuk ka asgjë të vogël te Perëndia; mirësia e Tij është si Ai Vetë—është e pafundme. As mos mendo se mund ta masësh dot atë. Mëshira e Tij është aq e madhe, saqë fal edhe mëkatet e mëdha të mëkatarëve të mëdhenj, shumë kohë pasi ato janë kryer, dhe pastaj u dhuron atyre favore dhe privilegje të mëdha, dhe i ngre në gëzime të mëdha në qiellin e madh të Perëndisë madhështor.

16 gusht, mbrëmje – Zotërim i tanishëm

spurgeon dev 16 gusht pm

Mirëpo, frytet e para nuk ishin e korra, po kështu edhe veprat e Frymës në ne tani nuk përbëjnë konsumimin përfundimtar, sepse përsosja ende pritet të vijë. Nuk duhet të mburremi se e kemi arritur, dhe kështu, ta llogarisim demetin e parë si prodhimin e të gjithë vitit: ne duhet të jemi të etur e të uritur për drejtësi dhe ta presim me padurim ditën e shpengimit të plotë. Lexues i dashur, hape gojën sonte, dhe Perëndia do ta mbushë atë! Nxittë pasuria jote e tanishme në zemrën tënde një lakmi të shenjtë për më shumë hir! Psherëti brenda vetes për nivele më të larta shenjtërimi, dhe Zoti yt do të t’i falë, sepse është i aftë të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë.

16 gusht, mëngjes – Reagimi ndaj lavdisë së Perëndisë

spurgeon dev 16 gusht am

Lavdia e Perëndisë vjen si rezultat i natyrës dhe veprave të Tij. Ai është i lavdishëm në karakterin e Tij, sepse në Perëndinë gjendet një tërësi e tillë e gjithçkaje që është e shenjtë, e mirë dhe e bukur, saqë Ai duhet të jetë i lavdishëm. Bëmat që rrjedhin nga karakteri i Tij, janë gjithashtu të lavdishme; mirëpo, megjithëse Ai ka për qëllim që përmes tyre t’u shfaqë krijesave të Tij mirësinë, mëshirën dhe drejtësinë e Tij, Ai është po kaq i interesuar që lavdia e lidhur me këto bëma, t’i takojë Atij dhe vetëm Atij. Jo se ka ndonjë gjë në ne për të cilën mund të lavdërohemi; sepse çfarë na bën ne vallë të ndryshëm nga njëri-tjetri? Dhe çfarë kemi ne që nuk e kemi marrë nga Perëndia i çdo hiri? Atëherë, sa të kujdesshëm që duhet të jemi për të ecur me përulësi përpara Zotit!

15 gusht, mbrëmje – Gur apo mish?

spurgeon dev 15 gusht pm

Një “zemër prej mishi” dallohet për ndjeshmërinë e saj ndaj mëkatit. Dorëzimi përpara një përfytyrimi të fëlliqur ose lejimi i një dëshire të marrë të na qëndrojë në zemër qoftë edhe për një çast të vetëm, mjafton për ta bërë një zemër prej mishi të vajtojë përpara Zotit. Për zemrën prej guri edhe një paudhësi e madhe nuk është asgjë, por e kundërta ndodh në rastin e zemrës prej mishi.

15 gusht, mëngjes – Shembulli i Isakut

spurgeon dev 15 gusht am

Shumë i admirueshëm është edhe vendi i zgjedhur prej Isakut. Fusha siguron një “sallë studimi” të mbushur me libra të dobishëm për përsiatje. Nga cedri te hisopi, nga shqiponja që fluturon lart te bulkthi cingërues, nga hapësira qiellore blu te një pikë vese, të gjitha këto janë gjëra prej të cilave mund të mësojmë shumë, dhe kur sytë hapen në mënyrë hyjnore, mësimi që marrim prej tyre, e ndriçon mendjen më fort sesa mësimi i marrë nga librat e shkruar. Kthinat tona të lutjes nuk janë aq të shëndetshme, mbresëlënëse, të këndshme ose aq frymëzuese sa fushat. Asgjë nuk duhet ta konsiderojmë të zakonshme ose të papastër, por duhet të perceptojmë se të gjitha krijesat japin dëshmi për Krijuesin e tyre, dhe fusha do të shenjtërohet sa hap e mbyll sytë.

14 gusht, mbrëmje – Qetësohu

spurgeon dev 14 gusht pm

Ai është Zoti, dhe njohja e Tij ka për qëllim të na shërbejë neve në vend të njohjes sonë; ne duhet të bindemi dhe jo të gjykojmë: “…shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti” (Gjoni 15:15). A do t’ia shpjegojë vallë arkitekti planet e tij çdo muratori në detyrë? A nuk mjafton vallë fakti që ky i fundit të jetë në dijeni të pjesës që i takon për të bërë? Ena prej balte që formësohet në rrotën e poçarit, nuk mund ta marrë me mend se cila do të jetë trajta e saj përfundimtare, por në qoftë se poçari është një zejtar i zotë, padija e baltës është e parëndësishme. Zoti im nuk duhet të merret në pyetje [për qëllimin e veprave të Tij] nga një kokërr injoranti si puna ime.