28 gusht, mëngjes – Vaj dhe dritë nga Perëndia

spurgeon dev 28 gusht am

Shpirti im, sa shumë të nevojitet ky vaj i shenjtë, sepse llamba jote shpejt do të shuhej nëse ai do të mbaronte! Fitili yt do të nxirrte tym dhe do të kthehej në një skandal po qe se nuk do të bënte më dritë, dhe sigurisht që do të fikej nëse do të të sosej vaji. Ti nuk ke një burim të vazhdueshëm vaji në natyrën tënde njerëzore, prandaj duhet të shkosh tek ata që merren me tregtinë e tij, dhe të blesh për vete, ose përndryshe, si ato virgjëreshat budallaqe, do të të duhet të klithësh: “Më është fikur llamba!”. Madje edhe llambat e shenjtëruara nuk bënin dot dritë pa vaj; edhe pse ndriçonin në tabernakull, ato kishin nevojë të mbusheshin; ndonëse mbi to nuk frynin erëra të forta, fitilat e tyre duheshin shkurtuar, dhe porsi llambat, edhe ty të nevojitet po aq shumë një shërbim i tillë. Edhe në rastin më të mirë, ti nuk mund të bësh dritë qoftë edhe për një orë tjetër po qe se nuk mbushesh me vajin e freskët të hirit.

27 gusht, mbrëmje – Thesari yt i zgjedhur

spurgeon dev 27 gusht pm

“Ti më shpengove, o Zot, Perëndi i së vërtetës.” Shpengimi është një themel i fortë për besimin. Davidi nuk e njohu Golgotën siç e njohim ne, por ashtu siç ngazëlleu ai për shkak të shpengimit [të përkohshëm], ne do të ngushëllohemi ëmbëlsisht nga shpengimi i përjetshëm. Çlirimet e së kaluarës janë garanci të forta për ndihmë të tanishme. Zoti do t’i përsërisë bëmat e së kaluarës, sepse nuk ndryshon dot. Ai u qëndron besnik premtimeve të Veta dhe është i hirshëm me shenjtorët e Tij; Ai nuk do t’ia kthejë kurrizin njerëzve të Tij.

27 gusht, mëngjes – Dyshimi dhe mosbesimi

spurgeon dev 27 gusht am

Shporre tutje këtë mosbesim tradhtar e gënjeshtar, sepse qëllimi i tij i vetëm është të prishë lidhjet e përbashkësisë dhe të na bëjë të vajtojmë një Shpëtimtar të munguar! Bunyan-i na thotë se mosbesimi ka “po aq jetë sa edhe macja”; në qoftë se është kështu, le ta vrasim një nga jetët e tij tani dhe le ta vazhdojmë punën derisa t’i mbysim që të nënta. Shporru, ti tradhtar, sepse zemra ime të ka neveri!

26 gusht, mbrëmje – Më i madh se Moisiu

spurgeon dev 26 gusht pm

Mirëpo, ligji nuk arrin të të tërheqë te Perëndia; por përkundrazi, ta ngurtëson zemrën, gjë që të bën të priresh drejt dëshpërimit. Prandaj, hiqi sytë nga Moisiu, me gjithë shkëlqimin e tij zmbrapsës, dhe drejtoji ato për te Jezusi që vezullon me lavdi më të buta për syrin! Pa vështro plagët e Tij që rrjedhin gjak dhe kryet me kurorën e gjembave! Ai është Biri i Perëndisë, pra, është më i madh sesa Moisiu, por Ai është edhe Zoti i dashurisë, dhe si rrjedhojë, më zemërbutë sesa ligjdhënësi. Ai duroi zemërimin e Perëndisë dhe në vdekjen e Tij e shfaqi drejtësinë e Perëndisë më shumë sesa Sinai, por ajo drejtësi tashmë është lartësuar dhe është rojtari i besimtarëve në Jezusin. O mëkatar, pa hidhe vështrimin te Shpëtimtari i përgjakur, dhe ndërsa e ndien tërheqjen e dashurisë së Tij, vrapo drejt e në krahët e Tij dhe do të shpëtohesh!

26 gusht, mëngjes – Të gjesh kënaqësi në besëlidhje

spurgeon dev 26 gusht am

Vetë besëlidhja është një burim kënaqësie për popullin e Zotit. Ajo është për ta një burim i pashtershëm ngushëllimi sa herë që Fryma e Shenjtë i udhëheq drejt shtëpisë së gostive dhe valëvit flamurin e dashurisë. Ata kënaqen duke soditur lashtësinë e asaj besëlidhjeje, duke i kujtuar vetes që, përpara se ylli i agut ta dinte vendin e tij ose planetët të ndiqnin trajektoren e tyre, privilegjet e shenjtorëve ishin siguruar në Krishtin Jezus. Një kënaqësi të veçantë u fal edhe të kujtuarit e sigurisë së besëlidhjes, tek meditojnë rreth “hirit të qëndrueshëm [të Perëndisë që iu premtua] Davidit” (Isaia 55:3). Ata kënaqen duke e festuar besëlidhjen si të nënshkruar, të vulosur dhe të ratifikuar. Zemrat e tyre gufojnë nga gëzimi sa herë që mendojnë për pandryshueshmërinë e saj, si një besëlidhje që as koha dhe as përjetësia, as jeta dhe as vdekja nuk do të jenë në gjendje që ta shkelin—një besëlidhje kjo po aq e vjetër sa edhe vetë përjetësia dhe po aq e amshuar sa edhe Shkëmbi i përjetshëm.

25 gusht, mëngjes – Besim në çdo kuptim

spurgeon dev 25 gusht am

Besimi përshkruhet në mënyra të ndryshme në Bibël. Ai është shikim: “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni…” (Isaia 45:22). Është edhe dëgjim: “…dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë…” (Isaia 55:3). Besimi është edhe nuhatje: “Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloeje dhe kasie” (Psalmi 45:8); [por edhe] “…emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur…” (Kënga e Këngëve 1:3). Besimi është prekje frymërore. Falë këtij besimi, gruaja [me fluks gjaku] iu qas Krishtit nga pas dhe i preku cepin e rrobës së Tij, dhe përmes këtij besimi, ne prekim gjërat e fjalës së mirë të jetës. Besimi është po ashtu shijimi i frymës. “Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time” (Psalmi 119:103). “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme” (Gjoni 6:54).

25 gusht, mbrëmje – Meditime mbi besimin

spurgeon dev 25 gusht pm

Perëndia nuk bën dallime në dashurinë që ka për fëmijët e Vet. Fëmija është fëmijë për Të; Ai nuk do ta kthejë kurrë atë në një rrogëtar. Biri do të gostitet me viçin e majmur dhe do të këndojë e vallëzojë sikur të mos kishte dalë asnjëherë nga udha e drejtë. Kur Jezusi vjen në zemër, Ai lëshon një leje të përgjithshme për të qenë i gëzuar në Zotin. Nuk ka pranga në oborrin e Mbretit Jezus. Pranimi ynë për të marrë pjesë në shijimin e plotë të privilegjeve, mund të jetë gradual, por është i sigurt. Mbase lexuesi ynë po thotë: “Sa do të dëshiroja t’i gëzoja këto premtime dhe të ecja në liri në urdhëresat e Zotit tim!”. “Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh.” Këputi zinxhirët nga qafa dhe jeto në liri, sepse Jezusi të çliron!

24 gusht, mbrëmje – Laje dëmin

spurgeon dev 24 gusht pm

Ata që ushqejnë zjarrin, e meritojnë një qortim të mirë, por ai që e ndez i pari, mban fajin më të madh. Ndasitë zakonisht shfaqen së pari mes gjembave; ato ushqehen nga hipokritët dhe besimtarët sa për sy e faqe në kishë, dhe pastaj përhapen mes të drejtëve, të fryra nga erërat e ferrit, derisa nuk dihet se si mund t’i vejë halli kësaj pune. O Zot, dhënësi i paqes, bëna paqebërës, dhe kurrë mos na lër që të ndihmojmë dhe përkrahim ngatërrestarët, si dhe mos na lër që të shkaktojmë pa dashje as ndasitë më të vogla mes njerëzve të Tu!

24 gusht, mëngjes – Fitorja e Krishtit

spurgeon dev 24 gusht am

Duke qenë se Jezusi ka kaluar andej përpara nesh, gjërat nuk janë siç do të kishin qenë nëse Ai nuk do ta kishte përshkuar atë rrugë. Ai e ka mposhtur çdo armik që zinte udhën. Gëzohu me ngazëllim tani, o luftëtar zemërlëshuar! Jo vetëm që Krishti e ka përshkuar atë rrugë, por edhe i ka mposhtur armiqtë e tu. A i druhesh vallë mëkatit? Ai e ka gozhduar atë në kryqin e Vet. A i druhesh vallë mortjes? Ai u bë vdekja e Mortjes. A mos vallë i druhesh ferrit? Ai e ka mbyllur portën e tij për fëmijët e Vet; ata kurrë nuk do ta shohin honin e humbjes. Çfarëdo armiqsh që mund të ketë përpara të krishterit, të gjithë ata janë mposhtur. Ka luanë, por dhëmbët e tyre janë thyer; ka gjarpërinj, por dhëmbët e tyre helmues janë shkulur; ka lumenj, por ata janë të kalueshëm, ose mbi ta janë ndërtuar ura; ka zjarre, por ne veshim atë rrobë prej amianti që na bën të paprekshëm nga flakët.

23 gusht, mbrëmje – Zemra juaj, banesa e Krishtit

spurgeon dev 23 gusht pm

Kjo gjë nuk mund të arrihet përveçse përmes besimit. Besimi duhet të jetë i fortë, ose përndryshe, dashuria nuk do të jetë e zjarrtë; rrënja e lules duhet të jetë e shëndetshme, ose përndryshe, kot që presim që lulja të jetë e mahnitshme. Besimi është rrënja e bimës, ndërsa dashuria është lulëzimi i saj. Tani, lexues, Jezusi nuk mund të jetë në dashurinë e zemrës sate po qe se ti nuk je kapur fort pas Tij me anë të besimit të zemrës. Prandaj lutu që të mund të kesh besim të vazhdueshëm në Krishtin, me qëllim që të mund ta duash Atë gjithnjë. Në qoftë se dashuria është e ftohtë, dije se edhe besimi po lëkundet.