7 shtator, mëngjes – Besimi është krijues!

spurgeon dev 07 shtator am

Kur besimi dhe dashuria kanë vërtet si qëllim fitimin e shpirtrave, do të mësojmë edhe ne që të jemi krijues në qasjen tonë. Në qoftë se uria për bukë mund t’i shtyjë njerëzit që të çajnë muret e gurta, me siguri që uria për t’i fituar shpirtrat nuk do të mund të pengohet në përpjekjet e saj. O Zot, na bëj të shpejtë të përpilojmë metoda dhe t’i zbatojmë ato për arritjen e miqve dhe fqinjëve tanë, dhe për t’i prezantuar ata me Ty!

6 shtator, mbrëmje – Bëj pyetjet e duhura

spurgeon dev 06 shtator pm

Kur i krishteri i sheh provat e tij nga maja e Sinait, ai shqetësohet për shpëtimin e vet, por do të ishte më mirë ta shihte pozitën e tij në dritën e Golgotës. Ai thotë: “Besimi im përmbajtka mosbesim; ai nuk është i aftë të më shpëtojë.” Mirëpo, mendo pak sikur ai të kishte menduar rreth objektit të besimit të vet, në vend që të merrej me besimin e vet. Atëherë ai do të kishte thënë: “Në Të nuk ka asnjë të metë, prandaj jam i sigurt.” Ai psherëtin mbi shpresën e tij: “Shpresa ime është mekur dhe dobësuar nga përqendrimi i ankthshëm te gjërat e tashme; e si mund të pranohem unë vallë?”.

6 shtator, mëngjes – Jetoni si pishtarë

spurgeon dev 06 shtator am

Dritat gjithashtu përdoren për të paralajmëruar. Aty ku ka shkëmbinj dhe cekëtina me siguri që do të ndërtohet ndonjë far. Të krishterët duhet ta dinë se ka shumë drita të rreme anekënd botës, dhe ja përse nevojitet drita e duhur. Sirenat e qoftëlargut janë përherë në veprim, duke e tunduar të paperëndishmin të mëkatojë nën pretekstin e kënaqësisë ndërsa ngrenë lart drita mashtruese. Është përgjegjësia jonë që ta ndriçojmë dritën e vërtetë mbi çdo shkëmb të rrezikshëm, të vëmë në dukje çdo mëkat dhe të nxjerrim në pah pasojat e tij, në mënyrë që të mos bjerë mbi ne gjaku i të gjithë njerëzve, dhe të ndriçojmë si pishtarë në këtë botë. Dritat gjithashtu sjellin shumë hare, ashtu si edhe vetë të krishterët. I krishteri duhet të jetë një ngushëllues, me fjalë të ëmbla në gojë dhe dhembshuri për të tjerët në zemër; ai duhet t’i çojë rrezet e diellit kudo ku shkon dhe të përhapë lumturi përreth vetes.

5 shtator, mbrëmje – Bindje apo njohuri?

spurgeon dev 05 shtator pm

Në qoftë se do të arrija deri te burimet e detit, kjo bëmë nuk do t’i sillte askujt dobi, as mua dhe as të tjerëve; ajo nuk do ta shpëtonte dot anijen që mbytet, dhe as do t’ia kthente detarin e mbytur gruas dhe fëmijëve të tij vajtues. Po kështu edhe zgjidhja e mistereve të thella nuk do të më sillte asnjë përfitim. Vepra më e thjeshtë e bindjes ndaj Tij, vlen shumë më tepër sesa njohja më e thellë. Zoti im, e lë të pafundmen në duart e tua dhe të lutem të largosh nga unë dashurinë për pemën e njohurisë, sepse mund të më pengojë në udhën drejt pemës së jetës!

5 shtator, mëngjes – Të jesh konsekuent dhe i dobishëm për Perëndinë

spurgeon dev 05 shtator am

Si i krishterë që je të bie të jetosh në mes një bote të paperëndishme, dhe më kot vajton: “I mjeri unë!”. Jezusi nuk u lut që ti të nxirreshe nga kjo botë, dhe nuk ke pse i dëshiron gjërat për të cilat Ai nuk u lut. Është shumë herë më mirë të mbështetesh në fuqinë e Zotit për t’u përballur me vështirësinë dhe duke vepruar kështu ta përlëvdosh Atë. Armiku i mban përherë sytë hapur se mos dallon ndonjë luhatje në sjelljen tënde; ja pse duhet të jesh shumë i shenjtë. Kujtoji vetes se sytë e të gjithëve janë mbi ty, dhe se prej teje pritet më shumë sesa prej bashkëkohësve të tu! Përpiqu të mos krijosh asnjë mundësi për t’u kritikuar nga të tjerët! Qoftë mirësia jote e vetmja e metë që ata të mund të gjejnë në ty! Ashtu si edhe në rastin e Danielit, detyroji ata të thonë: “Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit, veçse po ta gjejmë kundër tij në vetë ligjin e Perëndisë të tij” (Danieli 6:5).

4 shtator, mbrëmje – Peshoret morale dhe frymërore

spurgeon dev 04 shtator pm

I krishterë, bëj kujdes në këtë pikë! Masat me të cilat vlerësojmë detyrimet dhe përgjegjësitë tona duken disi të vogla. Kur një i pasur jep për punën e Perëndisë të njëjtën shumë që japin edhe skamnorët, a mendon se gjërat janë peshuar saktë? Kur pastorët lihen pas dore, a bëhet fjalë atëherë për tregti të ndershme? Kur të vobektët përbuzen, ndërkohë që të pasur të paperëndishëm trajtohen me admirim, a është kjo vallë një peshore e saktë? Lexues, mund ta zgjasnim listën edhe më tepër, por parapëlqejmë të ta lëmë ty si detyrë të mbrëmjes, që të identifikosh dhe të shkatërrosh të gjitha peshoret, peshat dhe masat e pasakta në jetën tënde!

4 shtator, mëngjes – I sëmurë nga mëkati

spurgeon dev 04 shtator am

Po kështu, Jezu Krishti u bë mëkat për ne, edhe pse Ai Vetë nuk njihte mëkat, që ne të bëheshim drejtësia e Perëndisë në Të. Ah, sikur mëkatarët e mjerë të shkonin te Jezusi, duke besuar në fuqinë e veprës së Tij të bekuar zëvendësuese, sa shpejt që do ta njihnin fuqinë e prekjes së Tij të hirshme! Ajo dorë që shumoi bukët, që shpëtoi Pjetrin tek po mbytej, që i mban fort shenjtorët e përvuajtur, që kurorëzon besimtarët—është e njëjta dorë që do të prekë çdo mëkatar kërkues dhe do ta pastrojë atë sa hap e mbyll sytë. Dashuria e Jezusit është burimi i shpëtimit. Ai na do, e hedh vështrimin mbi ne, na prek, dhe ne jetojmë.

3 shtator, mbrëmje – Sprovat dhe provania e Perëndisë

spurgeon dev 03 shtator pm

Rehatia e botës është një armik i madh për besimin; ajo i liron lidhjet e zellit të shenjtë dhe i këput tejzat e guximit të shenjtëruar. Balona nuk ngrihet kurrë po qe se nuk këputen litarët, dhe është pikërisht vuajtja ajo që e kryen një shërbim të tillë për shpirtrat besimtarë. Ndërsa gruri fle rehat-rehat në lëvore, nuk vlen asnjë dyshkë për ne; ai duhet të shoshitet dhe të nxirret nga lëvozhgat pa të njihet vlera e tij. Prandaj, Zoti bën mirë që i vë në provë të drejtët, sepse kështu i bën të pasur ndaj Perëndisë.

3 shtator, mëngjes – Dashuri e vërtetë për Krishtin

spurgeon dev 03 shtator am

Dashuria e vërtetë për Krishtin është përherë vepër e Frymës së Shenjtë dhe duhet të ngjallet në zemër prej Tij. Ai është shkaku i efektshëm i saj; por arsyeja logjike se përse e duam Jezusin qëndron në Atë Vetë. Përse e duam Jezusin? Sepse Ai na deshi i pari. Përse e duam Jezusin? Sepse Ai e dha veten për ne. Ne kemi jetë nëpërmjet vdekjes së Tij; kemi paqe përmes gjakut të Tij.

2 shtator, mbrëmje – Një dëshirë e pashuar për mrekulli

spurgeon dev 02 shtator pm

Një dëshirë e pashuar për mrekulli ishte një simptomë e gjendjes së sëmurë të mendjeve njerëzore në ditët e Zotit tonë; ata e refuzonin ushqimin e shëndoshë dhe dëshironin me zjarr të shihnin vetëm mrekulli. Nuk e donin Ungjillin për të cilin kishin aq shumë nevojë, ndërsa mrekullitë të cilat Jezusi zgjodhi të mos ua jepte gjithmonë, ata i kërkonin me ngulm. Madje edhe në ditët e sotme, të shumtë janë ata që duan të shohim medoemos shenja dhe mrekulli, se përndryshe as që besojnë. Disa kanë thënë në zemrën e tyre: “Duhet të ndiej tmerr të thellë në shpirt, ose përndryshe nuk do të besoj kurrë në Jezusin.” Mirëpo, ç’ndodh nëse nuk e përjeton kurrë këtë ndjenjë, sepse ka shumë gjasa të mos e ndiesh asnjëherë? A mos vallë do të shkosh në ferr për inat të Perëndisë meqë nuk të trajtoi asnjëherë si dikë tjetër?