11 shtator, mbrëmje – Mos vendosni asnjë gur pengese

Ata do të thërrasin me ngazëllim të pashoq: “Pa shiko! Shiko se si veprojnë këta të krishterët! Ata janë hipokritë në sytë e të gjithëve.” Kështu, kauzës së Krishtit do t’i shkaktohet dëm i madh, dhe emri i Tij do të përflitet shumë. Kryqi i Krishtit, në vetvete, është një skandal për botën; le të kemi kujdes që të mos i shtojmë ndonjë fyerje tonën. Është “skandal për judenjtë” (1 e Korintasve 1:23): le të ruhemi që të mos vendosim asnjë gur tjetër skandali aty ku ka mjaft të tjerë tashmë! [Mirëpo, është edhe] “marrëzi për grekët”: le të ruhemi se mos me marrëzinë tonë i japim arsye të dukshme atyre të botës që të tallen me Ungjillin! Sa shumë që duhet të ruhemi! Sa të rreptë duhet të tregohemi me ndërgjegjen tonë!
11 shtator, mëngjes – Jo nga bota

Edhe pse gjendet në botë, i krishteri nuk duhet t’i përkasë kësaj bote. Ai duhet të jetë i dallueshëm prej saj, për shkak të objektivit të madh të jetës së tij. Për të, “të jetuarit” duhet të jetë “Krishti” (Filipianëve 1:21). Pra, nëse ha ose pi, ose bën diçka tjetër, ai duhet ta bëjë për lavdinë e Perëndisë. Mund të mbledhësh thesare; por duhet t’i mbledhësh ato në qiell, ku nuk i brejnë dot as tenja, as ndryshku, dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin. Mund të përpiqesh të bëhesh i pasur; mirëpo, qoftë ambicia jote të bëhesh “i pasur në besim” (Jakobi 2:5) dhe në vepra të mira. Mund të kërkosh kënaqësi, por kur të jesh i gëzuar, këndo psalme dhe thuri Zotit këngë lavdërimi me zemrën tënde.
10 shtator, mbrëmje – Rreziku nga ujku i mbrëmjes

Mësuesit e rremë që e gjuajnë me dinakëri dhe zell jetën e çmuar, duke përlarë njerëz me anë të mësimeve të tyre të rreme, janë po aq të rrezikshëm dhe të urryer sa edhe ujqërit e mbrëmjes. Terri është ambienti i tyre; mashtrimi është karakteri i tyre; shkatërrimi është synimi i tyre. Mirëpo, kur maskohen me lëkurë delesh, ata përbëjnë rrezikun më të madh për ne. Lum ai që ruhet prej tyre, sepse me mijëra janë ata që bien pre e ujqërve grabitqarë që hyjnë vjedhurazi brenda vathës së kishës.
10 shtator, mëngjes – Përbashkësi me Perëndinë mbi mal

Mos pafshim asnjë fytyrë njeriu sot, pa u takuar së pari me Jezusin! Koha e kaluar me Të është një kohë që ia vlen. Edhe ne do t’i dëbojmë demonët dhe do të bëjmë mrekulli po qe se zbresim në botë të ngjeshur me atë energji hyjnore, të cilën vetëm Krishti mund ta falë. Nuk ia vlen që të dalim në betejat e Zotit pa qenë të armatosur me armët qiellore.
9 shtator, mbrëmje – Pranë fronit

Besimtarët në tokë duhet të imitojnë shenjtorët në qiell për nga afërsia e tyre me Krishtin. Ne duhet të ndjekim shembullin e pleqve në qiell, duke u ulur rreth e qark fronit. Krishti duhet të jetë në qendër të të gjitha mendimeve tona dhe në qendër të jetëve tona. Si mund të na e bëjë vallë zemra që të qëndrojmë në një largësi të tillë prej Tij? Zot Jezus, na afro gjithnjë e më shumë pranë Vetes! Na thuaj: “Qëndroni në mua dhe unë në ju”, dhe jepna mundësinë të këndojmë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë, Zoti i Plotfuqishëm, Ti që përjetë ishe, je dhe do të jesh!”.
9 shtator, mëngjes – Lutja ngadhënjyese

Lutja ngadhënjyese del fitimtare me Perëndinë e mëshirës: “…dhe me forcën e tij luftoi me Perëndinë. Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne” (Osea 12:4-5). Lutja ngadhënjyese e shpie të krishterin në mal dhe e bën atë ta mbulojë qiellin me re bekimi dhe tokën me reshje mëshire. Lutja ngadhënjyese e ngre të krishterin dhe i tregon atij trashëgiminë e tij, dhe e shpërfytyron sipas shëmbëllimit të Zotit të tij. Nëse do të dëshiroje të arrije diçka më të lartë sesa përjetimet e zakonshme e të çfarëdoshme, ngriji sytë te Shkëmbi që është më i lartë se ti, dhe vështro me sytë e besimit përmes dritares së lutjes ngulmuese. Kur ta hapësh atë dritare nga ana jote, ajo nuk ka për t’u mbyllur nga ana tjetër.
9 shtator, mëngjes – Lutja ngadhënjyese

Lutja ngadhënjyese del fitimtare me Perëndinë e mëshirës: “…dhe me forcën e tij luftoi me Perëndinë. Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne” (Osea 12:4-5). Lutja ngadhënjyese e shpie të krishterin në mal dhe e bën atë ta mbulojë qiellin me re bekimi dhe tokën me reshje mëshire. Lutja ngadhënjyese e ngre të krishterin dhe i tregon atij trashëgiminë e tij, dhe e shpërfytyron sipas shëmbëllimit të Zotit të tij. Nëse do të dëshiroje të arrije diçka më të lartë sesa përjetimet e zakonshme e të çfarëdoshme, ngriji sytë te Shkëmbi që është më i lartë se ti, dhe vështro me sytë e besimit përmes dritares së lutjes ngulmuese. Kur ta hapësh atë dritare nga ana jote, ajo nuk ka për t’u mbyllur nga ana tjetër.
8 shtator, mbrëmje – Cila është kjo fuqi?

Ishte po ashtu fuqi e përjetshme. “Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja nuk zotëron më mbi të” (Romakëve 6:9). Kështu edhe ne, të ringjallur së vdekurish, nuk kthehemi pas te veprat tona të vdekura dhe prishjet tona të vjetra, por jetojmë për Perëndinë. “…sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni” (Gjoni 14:19). “…sepse keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë” (Kolosianëve 3:3). “…ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Së fundi, në këtë varg, vini re bashkimin e jetës së re me Jezusin. E njëjta fuqi që e ringjalli së vdekurish Kreun, sjell jetë edhe te gjymtyrët e Tij. Çfarë bekimi i madh të ringjallesh së bashku me Krishtin!
8 shtator, mëngjes – Fryti ynë vjen nga rrënja

Fryti ynë vjen nga Perëndia edhe si rezultat i përkujdesjes duarartë. Thika e mprehtë e kopshtarit nxit frytshmërinë e hardhisë, duke rralluar vilet, si edhe duke krasitur lastarët e tepërt. Kështu ndodh edhe me ty, o i krishterë, me krasitjen që të bën Zoti! “Ati im është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt” (Gjoni 15:1-2). Meqenëse Perëndia është autori i virtyteve tona frymërore, le t’i japim Atij gjithë lavdinë për shpëtimin tonë.
7 shtator, mbrëmje – Detet e trazuara

Me mijëra kanë vdekur në thellësi, aty ku gjenden edhe margaritarët. Ka pikëllim mbi dete, i cili jehon në vajtimet pambarim të vejushave dhe jetimëve. Kripa e detit gjendet në sytë e shumë grave dhe nënave. Shkulme të pamëshirshme, keni përpirë dashuritë e sa e sa grave dhe krahun e fortë të sa e sa familjeve! Çfarë ringjalljeje madhështore do të jetë ajo kur deti t’i dorëzojë të vdekurit e vet nga skutat e thellësitë së tij!