6 tetor, mëngjes – Nuk do të kesh më etje

Zemra e tij ishte po aq e pangopur, sa edhe varri përpara se Jezusi të hynte në të, por pastaj bëhet si një kupë që derdhet pasi është mbushur deri në buzë. Në Krishtin gjendet një mbushulli e tillë, që e bën Atë të jetë gjithçka për besimtarin. Shenjtori i vërtetë është kaq i plotmbushur me gjithëmjaftueshmërinë e Jezusit, saqë nuk ka më etje—përveçse ndoshta të pijë gllënjka gjithnjë e më të mëdha nga burimi i gjallë.
5 tetor, mbrëmje – Rruga e shpëtimit

Prandaj, nuk ka justifikim për ata që nuk e ndjekin atë rrugë. Të besosh do të thotë thjesht të kesh besim, të varesh dhe të mbështetesh te Krishti Jezus. Të pagëzohesh do të thotë t’i nënshtrohesh urdhërimit që Zoti ynë e përmbushi në lumin Jordan, të cilit besimtarët e parë iu bindën në ditën e Rrëshajëve dhe të cilin gardiani i burgut e vuri në jetë po atë natë të kthimit të vet në besim.
5 tetor, mëngjes – Qëllimi është shërbesa

Besimtar, puno për Krishtin me forcën që Ai të fal ditë për ditë! Disa prej nesh kanë ende shumë për të mësuar rreth synimit për të cilin Zoti ynë na e fal hirin e Vet. Nuk duhet t’i fshehim kokrrat e çmuara të së vërtetës, pa i dhënë asaj së vërtete asnjë mundësi për t’u rritur: ne duhet ta mbjellim dhe ta ujisim. Përse vallë e dërgon Zoti shiun mbi tokën e tharë për ujë dhe i jep rreze dielli? Vallë, a nuk e bën këtë që dielli dhe shiu të mund t’i ndihmojnë frytet e tokës të prodhojnë ushqim për ne? Në mënyrë të ngjashme, Zoti i ushqen dhe i rigjallëron shpirtrat tanë, me qëllim që ta përdorim forcën tonë të ripërtërirë për të shpallur dhe çuar përpara lavdinë e Tij.
4 tetor, mbrëmje – Ne kemi një avokat

Mirëpo, mbetet edhe një titull i emrit të Tij për t’u parë: “Jezu Krishti, i drejti.” Ky nuk është vetëm përshkrimi i karakterit të Tij, por edhe përgjërimi i Tij kryesor. Ky është karakteri i Tij, dhe nëse kam të Drejtin për avokat, çështja ime gjendet në duar të sigurta, ose përndryshe, Ai nuk do të kishte marrë përsipër të më përfaqësonte. Kjo është mbrojtja e Tij, sepse Ai i përgjigjet akuzës se jam i padrejtë me argumentin se Ai është i drejtë. Ai e shpall Veten zëvendësuesin tim dhe e vë bindjen e Tij në llogarinë time. Shpirti im, ti ke një mik që është më se i aftë për të qenë avokati yt—suksesi i Tij as që mund të vihet në dyshim, kështu që dorëzohu plotësisht në duart e Tij!
4 tetor, mëngjes – Altari i moshës

Njerëzit e Zotit do të gëzojnë edhe dritë në orën e tyre të vdekjes. Mosbesimi vajton hijet e mbrëmjes, natën që po vjen, ekzistencën që është në të sosur. Mirëpo, besimi klith: “Jo! Nata është gati në të thyer dhe dita e vërtetë po afrohet.” Drita ka ardhur, drita e pavdekësisë, drita e fytyrës së Atit. Mblidhi këmbët në shtrat; pa shihe pak ushtrinë e engjëjve që të presin, gati për të të marrë me vete! Lamtumirë, i dashur, ti po shkon! Ti tund dorën duke na përshëndetur; tani duket drita! Dyert e margaritarta janë të hapura; rrugët e arta shkëlqejnë nën dritën e diasprit. Ne mbulojmë sytë, por ti sodit të padukshmen; lamtumirë, mik i dashur, për ty edhe mbrëmja është bërë dritë, një dritë të cilën ne nuk e kemi parë ende!
3 tetor, mbrëmje – Eja te Shpëtimtari yt që u tundua!

Kreu ka ngadhënjyer, prandaj, edhe gjymtyrët do të marrin pjesë në triumfin e Tij. Nuk ka pse të kemi frikë, sepse Krishti është me ne, i armatosur për të na mbrojtur. Vendstrehimi ynë gjendet në përqafimin e Shpëtimtarit. Mbase tundimet janë duke na sulmuar edhe në këtë çast, por ato kanë për synim të na afrojnë tek Ai. Bekuar qoftë çdo erë që na çon drejt limanit të dashurisë së Shpëtimtarit! Të bekuara janë plagët që na bëjnë të kërkojmë Mjekun e dashur! Ju o të tunduar, ejani te Shpëtimtari juaj që u tundua, sepse Ai mund të vuajë bashkë me dobësitë tuaja dhe do ta ngushëllojë çdokënd që është i sprovuar dhe i tunduar!
3 tetor, mëngjes – Engjëjt: shërbyesit e padukshëm

Sa e lartë është pozita në të cilën ngrihen të zgjedhurit kur oborrtarët e shkëlqyer të qiellit kthehen vullnetarisht në shërbëtorët e tyre! Sa sublime është përbashkësia në të cilën kemi hyrë, meqenëse kemi marrëdhënie me krijesat e patëmeta qiellore! Sa të mbrojtur që jemi, përderisa të gjitha njëzet mijë koçitë e Perëndisë janë armatosur për shpëtimin tonë!
2 tetor, mbrëmje – Identiteti ynë

Atëherë, nëse një dashuri e tillë ekziston ndërmjet Perëndisë dhe nesh, jetofshim nën ndikimin dhe ëmbëlsinë e saj, dhe e përdorshim privilegjin e pozitës që kemi! Ne nuk duhet t’i qasemi Zotit tonë sikur të ishim të huaj, apo sikur Ai të mos kishte dëshirë të na dëgjonte—sepse jemi njerëz shumë të dashur për Atin tonë të dashur. “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?” (Romakëve 8:32). Afrohu me guxim, o besimtar, sepse, pavarësisht nga murmuritjet e Qoftëlargut dhe dyshimet e zemrës sate, ti je një njeri shumë i dashur! Sonte medito rreth madhështisë dhe besnikërisë së pamasë të dashurisë hyjnore, dhe pastaj shko të flesh në paqe!Atëherë, nëse një dashuri e tillë ekziston ndërmjet Perëndisë dhe nesh, jetofshim nën ndikimin dhe ëmbëlsinë e saj, dhe e përdorshim privilegjin e pozitës që kemi! Ne nuk duhet t’i qasemi Zotit tonë sikur të ishim të huaj, apo sikur Ai të mos kishte dëshirë të na dëgjonte—sepse jemi njerëz shumë të dashur për Atin tonë të dashur. “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?” (Romakëve 8:32). Afrohu me guxim, o besimtar, sepse, pavarësisht nga murmuritjet e Qoftëlargut dhe dyshimet e zemrës sate, ti je një njeri shumë i dashur! Sonte medito rreth madhështisë dhe besnikërisë së pamasë të dashurisë hyjnore, dhe pastaj shko të flesh në paqe!
2 tetor, mëngjes – Shpresë për të ardhmen dhe gëzim për të sotmen

Mirëpo, le të sigurohemi që të mos e harrojmë të tashmen duke ëndërruar për të ardhmen. Të gjitha mendimet për të ardhmen na shërbefshin që të jemi të dobishëm në të tashmen. Shpresa qiellore, falë Frymës së Perëndisë, është forca më e madhe për prodhimin e virtytit në ne; është burimi i përpjekjeve të gëzueshme; është gur i themelit të shenjtërisë së hareshme. Ata që e kanë një shpresë kësisoj përbrenda, i hyjnë punës me entuziazëm, sepse gëzimi i Zotit është fuqia e tyre. Ata i luftojnë tundimet me zell, sepse shpresa për botën që do të vijë, i hedh tutje shigjetat e zjarrta të kundërshtarit. E vazhdojnë punën edhe pa një shpërblim të menjëhershëm, pasi mezi presin të marrin një shpërblim në botën që do të vijë.
1 tetor, mbrëmje – Zemërgjerësia e Perëndisë

Yahveh-u është jashtëzakonisht zemërgjerë për nga natyra; Ai gjen kënaqësi kur jep. Dhuratat e Tij janë pakrahasimisht të vyera dhe jepen po aq falas sa edhe drita e diellit. Ai u jep hir të Vetëve, sepse këtë ia do zemra; i mbush me hir të shpenguarit e Vet, për shkak të besëlidhjes së Tij; u dhuron hir të thirrurve, për shkak të premtimit të Tij; u fal hir besimtarëve, sepse ata e kërkojnë atë, por edhe mëkatarëve, sepse ata kanë nevojë për të. Ai e fal hirin me bollëk, në kohën e duhur, vazhdimisht, me gjithë dëshirë dhe në mënyrë sovrane; vlera e bekimeve dyfishohet nga mënyra në të cilën jepen.