0

30 janar, mbrëmje – Trashëgimia jonë në Krishtin

Nëse je falur, je falur përmes gjakut të Tij; nëse je shfajësuar, je shfajësuar përmes drejtësisë së Tij; nëse je shenjtëruar, kjo ka ndodhur për shkak se Ai u bë për ty shenjtëri prej Perëndisë; nëse do të ruhesh nga rënia, kjo do të ndodhë për shkak se ruhesh në Krishtin Jezus; dhe nëse do të përsosesh në fund, kjo do të ndodhë për shkak se je i plotë në Të. Kështu madhërohet Jezusi—sepse gjithçka është në Të dhe prej Tij; kështu, trashëgimia bëhet e sigurt për ne—sepse është fryti i veprës së Tij; kështu, çdo bekim bëhet më i bukur, madje, edhe vetë qielli bëhet më i ndritshëm, për shkak se është Jezusi i Dashuri ynë, në të cilin kemi siguruar gjithçka.

30 janar, mëngjes – Ji gati

I krishterë, vjen një kohë kur brenda teje do “të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit”. Ato janë kohë kur ke një fuqi të veçantë në lutje; Fryma e Perëndisë të fal gëzim dhe hare; Shkrimi zbërthehet lehtësisht; premtimet vihen në zbatim; ti ecën në dritën e fytyrës së Perëndisë; ndihesh veçanërisht i lirë dhe i papenguar në kohën tënde të qetë dhe shijon një përbashkësi shumë më të afërt me Krishtin, sesa e ke pasur ndonjëherë. Tani, në periudha kaq të gëzueshme, kur dëgjon “një zhurmë hapash në majat e Balsamit”, dije se është koha të zgjohesh; tani është koha për të hequr qafe ndonjë zakon të keq, ndërsa Perëndia Frymë e Shenjtë të ndihmon në dobësitë e tua. Shpalosi velat e tua; por kujto këngën që këndon herë pas here…

29 janar, mbrëmje – Një tjetër ditë mëshire

O Zot, më aftëso këtë mbrëmje, që edhe unë të kthehem te Jezusi! Pëllumbi nuk e kalonte dot natën duke fluturuar mbi ujërat e trazuara, kështu edhe unë nuk mund të duroj dot të qëndroj as edhe për një orë tjetër larg Jezusit, prehjes së zemrës sime dhe shtëpisë së shpirtit tim. Pëllumbi nuk u ul mbi çatinë e arkës, por “u kthye tek ai [Noeu]”, kështu edhe shpirti im i përmalluar dëshiron të arrijë në vendin e fshehtë të Zotit, të zhbirojë brendësinë e së vërtetës, të zbulojë se çfarë fshihet prapa perdes dhe të arrijë Të Dashurin tim në çdo vepër.

29 janar, mëngjes – Mbaji sytë përpara

Heshtni, heshtni, dyshimet e mia! Vdekja nuk është veçse një përrua i ngushtë, të cilin shumë shpejt do ta keni kapërcyer. Sa e shkurtër koha, sa e gjatë përjetësia! Vdekja është vetëm një çast, ndërsa pavdekësia e pafundme! Rruga që mbetet është shumë, shumë e shkurtër! Shpejt do të kem arritur atje, në destinacion.

28 janar, mbrëmje – Përlëvdo dhe lavdëro Perëndinë

Krishti më është dukur më i bukur, sesa të gjitha përshkrimet e shërbëtorëve të Tij të marra së bashku. E pashë shëmbëlltyrën e Tij tek e pikturonin, por ishte thjesht një shkarravinë në krahasim me Vetë Atë; sepse Mbreti, në bukurinë e Tij, shkëlqen më fort sesa çdo përfytyrim imi për hijeshinë. Pa dyshim, ajo që kemi “parë” është e njëjtë, në fakt, jo, ajo e tejkalon së tepërmi atë që kemi “dëgjuar”. Prandaj, le ta përlëvdojmë dhe adhurojmë Perëndinë për një Shpëtimtar kaq të shtrenjtë, i cili na fal kënaqësi kaq të mëdha!

28 janar, mëngjes – Përsosmëria në Krishtin

Mirëpo, ekziston një përsosmëri tjetër, që mbetet ende për t’u përmbushur, e cila është po aq e sigurt. A nuk është kënaqësi të presim me padurim kohën kur çdo njollë mëkati do të hiqet nga besimtari dhe kur ai do të paraqitet i patëmetë përpara fronit, pa njolla a rrudha e të tjera si këto? Atëherë Kisha e Krishtit do të jetë kaq e pastër, saqë as syri i të Gjithëdijshmit nuk do të mund të gjejë një njollë a të metë tek ajo.

27 janar, mbrëmje – Ushtrimi i tri aftësive

Duaje personin e Zotin tënd! Nxirre enën e alabastrës së zemrës sate edhe në qoftë thyer, dhe le të rrjedhë i gjithë vaji i çmuar i dashurisë sate mbi këmbët e Tij të shpuara! Lëre intelektin tënd të meditojë rreth Zotit Jezus! Kalo kohë në përsiatje për vargjet që lexon! Mos u ndal në sipërfaqe, por zhytu thellë e më thellë! Mos ji si dallëndyshja që vetëm sa e prek përroin me krahun e vet, përkundrazi, ji si peshku që futet edhe poshtë dallgës më të thellë!

27 janar, mëngjes – Plotësia në Krishtin

Oh, ç’plotësi duhet të jetë kjo prej së cilës marrin të gjithë! Duhet të jetë vërtet plotësi, nëse burimi rrjedh pa ndërprerje, dhe megjithatë, uji del prej tij po aq i bollshëm, po aq gurgullues dhe po aq i plotë sa përherë. Eja, besimtar, dhe plotëso këtu të gjitha nevojat e tua! Sa më shumë që të kërkosh, aq më tepër do të marrësh, sepse kjo “plotësi” është e pashtershme dhe ruhet aty ku mund ta arrijnë të gjithë nevojtarët, edhe në Jezusin, Emanuelin—Perëndia me ne.

26 janar, mbrëmje – Veprat madhështore të Perëndisë sonë

Perëndia i trupëzuar duhet adhuruar si “I Mrekullueshmi”. Fakti që Perëndia i kushton vëmendje krijesës së Tij të rënë, njeriut, dhe në vend që ta fshijë tutje me fshesën e shkatërrimit, merr Vetë përsipër të bëhet Shpenguesi i tij, duke paguar çmimin e shpengimit, është me të vërtetë i mrekullueshëm!

26 janar, mëngjes – Ati ynë që je në qiej

Atë! Ky është një titull me nderim dhe dashuri. Sa e madhe që është dashuria e një Ati për fëmijët e tij! Atë që miqësia nuk mund ta bëjë dhe që dashamirësia nuk e realizon dot e vetme, mund ta bëjë zemra dhe dashuria e një Ati për bijtë e tij. Ata janë pasardhësit e tij, ndaj ai do t’i bekojë medoemos. Ata janë fëmijët e tij, ndaj ai do t’iu dalë në mbrojtje me të gjitha forcat. Nëse një baba tokësor kujdeset për fëmijët e tij me dashuri dhe përkujdesje të pareshtur, sa më shumë do ta bëjë këtë Ati ynë qiellor?