26 mars, mbrëmje – Me Të në gjithçka

Çfarë?! Do ta shoqërojnë engjëjt? E megjithatë, Ai nuk mori për nuse engjëjt, por pasardhësit e Abrahamit. A nuk janë vallë engjëjt e shenjtë me Të? Eja, shpirti im; nëse vërtet je e dashura e Tij, nuk mund t’i qëndrosh dot larg Atij. Nëse miqtë dhe të afërmit e Tij janë ftuar që së bashku të sodisin lavdinë e Tij, a mos do t’i qëndrosh larg? Megjithëse do të ketë një ditë gjykimi, prapëseprapë nuk mund t’i qëndrosh dot larg asaj zemre e cila, ndonëse i pranon engjëjt në përbashkësi të afërt, të ka zgjedhur ty që të jesh bashkëshortja e Tij. O shpirti im, a nuk të ka thënë Ai vallë: “Do të fejohesh me mua përjetë; po, do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri, në dashamirësi dhe në dhembshuri”?
26 mars, mëngjes – I lini këta të shkojnë

Bariu i Mirë jep jetën e Tij për delet, dhe për pasojë kërkon që ata të lihen të lirë. Dorëzani është lidhur, dhe drejtësia kërkon që ata për të cilët Ai u bë zëvendësues, të lirohen. Në kulmin e skllavërisë së Egjiptit, zëri ushtoi fuqishëm: “Lëre popullin tim të shkojë!”. Të shpenguarit duhet të dalin nga zgjedha e skllavërisë së mëkatit dhe të paudhit. Në çdo qeli të hapsanës së Dëshpërimit ushton jehona: “I lini këta të shkojnë”, dhe prej tyre dalin Zemërlëshuari dhe Frikacaku. I paudhi e dëgjon atë zë që e njeh shumë mirë dhe e heq këmbën nga zverku i të rënëve; të njëjtin zë e dëgjon edhe Vdekja dhe varri i hap portat e veta, që t’i lërë të vdekurit të ringjallen. Këta njerëz shkojnë në udhën e përparimit, shenjtërisë, ngadhënjimit dhe lavdisë, dhe askush nuk guxon t’ua presë udhën. Nuk ka luan që mund t’ua zërë shtegun apo kafshë grabitqare që mund t’u afrohet tek ecin në të.
25 mars, mbrëmje – Biri i Njeriut

Sa shpesh e përdorte Mësuesi ynë titullin: “Biri i Njeriut”! Kishte të drejtën dhe mundësinë ta quante veten Bir të Perëndisë, Atë të Përjetshëm, Këshilltar të Admirueshëm, Princ të Paqes; por shihni sesa i përulur është Jezusi! Atij ia ka ënda që ta thërrasin “Biri i Njeriut”. Le ta marrim këtë mësim përulësie nga Shpëtimtari ynë, pra, le të mos lakmojmë kurrë tituj pompozë dhe as grada sublime. Megjithatë, duhet theksuar një pikë tjetër akoma më interesante. Jezusi e donte kaq shumë njerëzimin, saqë e kishte për kënaqësi që ta nderonte.
25 mars, mëngjes – A e kam tradhtuar Atë?

Mirëpo, po sikur ta kisha kryer edhe unë mëkatin e tmerrshëm të Judës, birit të humbjes? Unë jam pagëzuar në emër të Zotit Jezus; jam anëtar i një bashkësie besimtarësh; marr pjesë në Darkën e Zotit: të gjitha këto janë kaq shumë puthje të buzëve të mia. A janë të sinqerta puthjet e mia? Nëse jo, atëherë jam një tradhtar i poshtër. A mos jetoj vallë në këtë botë aq i shkujdesur sa të tjerët, dhe nga ana tjetër shpall se jam një nxënës i Jezusit? Nëse është kështu, atëherë po e ekspozoj besimin tim ndaj përqeshjeve dhe jam duke i bërë njerëzit të flasin keq për vetë titullin i krishterë. Natyrisht, nëse jeta dhe vepra ime janë kaq kontradiktore, atëherë jam një Judë, dhe do të kishte qenë më mirë për mua sikur të mos kisha lindur fare. A guxoj të shpresoj se jam i pafajshëm në këtë drejtim? Atëherë, bëj që të jem i tillë, o Zoti im! Bëmë, o Zot, të sinqertë dhe të vërtetë! Më ruaj nga çdo shteg falsiteti! Mos më lër kurrë që ta tradhtoj Shpëtimtarin tim! Unë të dua ty, Zoti Jezus, dhe megjithëse të lëndoj herë pas here, prapëseprapë dëshiroj të të qëndroj besnik, madje deri në vdekje.
24 mars, mbrëmje – Të ngazëllesh në vuajtje

Në këtë aspekt, Zoti Jezus është një shëmbëlltyrë e bekuar e kishës së Tij mbi tokë. Në këtë orë, kisha pret të ecë me të njëjtin hap me Zotin e saj përgjatë rrugës plot gjemba, dhe përmes shumë vuajtjeve, ajo po e çan rrugën drejt kurorës. Mbajtja e kryqit është ofiqi i saj, ndërsa talljet dhe mosnjohja nga fëmijët e nënës së vet janë shorti i saj. Megjithatë, kisha ka një pus të thellë gëzimi, nga i cili nuk mund të pijë askush tjetër përveç fëmijëve të saj. Në mes të Jerusalemit tonë gjenden depo të fshehura vaji, drithi dhe vere, me anë të të cilave shenjtorët e Perëndisë furnizohen dhe ushqehen për jetë e mot.
24 mars, mëngjes – U dëgjua në sprovën e Tij

Sa e mahnitshme është kjo frikë nën dritën e mendimit të skëterrshëm se Ai ishte plotësisht i braktisur! Mbase mund të ketë edhe sprova më të këqija sesa kjo, por sigurisht që një nga më të këqijat është të jesh plotësisht i braktisur. “Pa shiko”, tha Satani, “ke mbetur vetëm e pa shokë! Yt Atë nuk ka më asnjë ndjenjë dhembshurie për ty. As edhe një engjëll i oborreve të Tij nuk do ta zgjasë dorën për të të ndihmuar. Mbarë qielli i ka mbyllur portat përpara Teje; Ti ke mbetur vetëm. Pa vështroji pak shokët e tu me të cilët ke bërë biseda të këndshme dhe më thuaj pak sa vlejnë ata? Bir i Marisë, shiko atje vëllanë tënd Jakob, pa hidhi një sy dishepullit tënd të dashur Gjon dhe apostullit tënd të guximshëm Pjetër, shiko se si flenë burracakët, ndërsa ti je i pushtuar nga vuajtjet! Pa shiko, nuk të ka mbetur asnjë mik, as në qiell e as në tokë. Gjithë ferri është ngritur kundër teje. Kam ngritur peshë mbarë shtëpinë time të skëterrshme. U kam dërguar letra të gjitha rajoneve, nuk kam lënë princ errësire pa e thirrur që të vërsulet kundër Teje sonte. Nuk do të kursejmë asnjë shigjetë dhe do ta përdorim tërë fuqinë tonë të ferrit për të të mposhtur; dhe çfarë do të bësh Ti vallë, o Vetmitar?”.
23 mars, mbrëmje – Nëse këta do të heshtnin…

Shkëmbinjtë e lashtë mund të na rrëfejnë për kaosin dhe rregullin, dhe për veprën e duarve të Perëndisë në fazat e njëpasnjëshme të dramës së krijimit. Po ne, a nuk mund të flasim vallë për dekretet e Perëndisë, për veprat e mëdha të Perëndisë qysh prej së lashti, dhe për gjithçka që Ai bëri për kishën e Tij përpara agimit të kohërave? Sikur gurët të flisnin, do të mund të na tregonin për gurgdhendësin e tyre, se si i nxori nga gurorja dhe i gdhendi që të vendoseshin në tempull. Po ne, a nuk mund të flasim vallë për Gurgdhendësin tonë të lavdishëm, i cili na i theu zemrat me çekanin e Fjalës së Tij, me qëllim që me ne të ndërtonte tempullin e Tij? Në qoftë se gurët do të bërtisnin, do të lartësonin ndërtuesin e tyre, i cili i lëmoi dhe u dha formën e një pallati të bukur. Po a nuk mund të flasim ne vallë për Arkitektin dhe Ndërtuesin tonë, i cili na ka vendosur në vendin tonë, në tempullin e Perëndisë së gjallë? Sikur gurët të mund të bërtisnin, do të kishin një histori të gjatë, shumë të gjatë, për të rrëfyer në formën e përkujtimoreve, sepse ka ndodhur shpesh që një gur i madh është vendosur si një përkujtimore përpara Zotit; por dhe ne kemi ç’të dëshmojmë për ata gurë ndihme dhe ato shtylla kujtese.
23 mars, mëngjes – Agonia e Tij e madhe

Është një vëzhgim shumë i dobishëm ai që thotë se limfa më e mirë është gjithmonë ajo që kullon nga pema, pa e prerë atë. Kjo pemë e çmuar e kamfurit lëshoi aroma të mira kur u lëndua nga kamxhikët dhe kur u tejshpua nga gozhdët e kryqit; por vëreni se si ajo e përhap aromën e vet më të mirë kur nuk preket nga kamxhiku, gozhdët dhe plagët. Kjo është një dëshmi e faktit se Krishti i hoqi vuajtjet e Tij me vullnet të plotë, meqenëse, edhe pa u tejshpuar nga heshta, gjaku i tij rrodhi lumë. Nuk ka nevojë të vësh shushunja, apo ta presësh lëkurën me thikë, sepse gjaku rrjedh vetvetiu. Nuk ka nevojë që sundimtarët të thërrasin: “Nxirr ujë, o pus”, sepse ai rrjedh vetvetiu, me currila të kuq si gjaku.
22 mars, mbrëmje – Lutje konkurruese

Është pikërisht ajo lutje që i çon ata në qiell mbi krahë shqiponjash. Sa herë që një besimtar e le këtë botë për t’u ngjitur në qiell, lutja e Krishtit merr një përgjigje tjetër. Një shërbesëtar i mirë qëmoti thoshte: “Ndodh shpesh që Jezusi dhe populli i Tij bëjnë tërheqje litari në lutje. Ti përgjunjesh në lutje dhe thua: ‘Atë, unë lutem që shenjtorët e Tu të jenë me mua aty ku jam unë’, ndërsa Krishti thotë: ‘O, Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë.’”
22 mars, mëngjes – Lutja e Shpëtimtarit tonë

Në lutjen e Shpëtimtarit tonë, në orën e tij të sprovës, shquajmë disa karakteristika udhëzuese. Së pari, ishte një lutje e vetmuar. Ai u largua madje edhe nga tre dishepujt e Tij më të preferuar. Besimtar, ji i zellshëm në lutje vetmitare, sidomos kur kalon kohë sprove! Lutja familjare, lutja në grup, lutja në kishë nuk janë të mjaftueshme; ato janë tepër të çmuara, por aroma e mirë e qiellit do të jetë më e fortë në kohën tënde të qetë, kur nuk të dëgjon askush tjetër përveç Perëndisë. Ishte një lutje me përulësi. Luka thotë se Ai u gjunjëzua, por një ungjilltar tjetër thotë se Ai “ra me fytyrë përdhe”. Atëherë, ku duhet të jetë vendi yt, o shërbëtor i përulur i Mësuesit të madh? Ah, çfarë pluhuri dhe hiri duhet ta mbulojnë kokën tënde! Përulja është një pikëmbështetje e mirë në lutje. As të mos shpresojmë të fitojmë me Perëndinë, nëse nuk e përulim veten, që Ai të na lartësojë në kohën e duhur.