10 prill, mbrëmje – Ndihmë në vështirësi

Në qoftë se e kemi frikë Zotin, mund të presim ndërhyrjen e Tij në kohën e duhur edhe atëherë kur rrethanat tona nuk kanë ku të shkojnë më keq. Nuk ka errësirë që t’i pengojë dhe stuhi që t’i mbajë larg nesh engjëjt. Serafimët nuk e kanë për turp që t’i vizitojnë edhe pjesëtarët më të varfër të familjes qiellore. Edhe pse mund të jenë të rralla në kohë të zakonshme, vizitat e engjëjve do të bëhen më të shpeshta në netët tona me shtrëngata e stuhi. Shokët edhe mund të na braktisin në kohë të vështira, por vetëdija jonë për anëtarët e botës engjëllore do të bëhet edhe më e qartë. Falë forcës së fjalëve plot dashuri që na vijnë nga froni përmes shkallës së Jakobit, do të jemi në gjendje të bëjmë edhe bëma trimash.
10 prill, mëngjes – Ngushëllim mbi kodër

Drita buron nga terri i mesditës së Golgotës dhe çdo lule e lëndinës lulëzon ëmbël nën hijen e drurit që dikur ishte i mallkuar. Në atë vend etjeje, hiri ka hapur një burim prej të cilit gurgullon ujë i pastër si kristali, ku çdo pikë e tij është e aftë të lehtësojë mjerimet e njerëzimit. Ti që ke kaluar periudhat e tua të luftës së brendshme do të rrëfesh, pra, se nuk gjete ngushëllim mbi Malin e Ullinjve, as në malin e Sinait, dhe as në malin e Taborit; por se vendet e tua të përdëllimit kanë qenë Gjetsemani dhe Golgota. Barishtet e hidhura të Gjetsemanit shpesh i kanë larguar dhimbjet e jetës sate; dhe rënkimet e Kalvarit të falin ngushëllime të rralla e të pasura.
9 prill, mbrëmje – Zemërbutësia e Perëndisë

Ose ndryshe mund të themi: “Përulësia jote më ka bërë të madh.” “Përfillja Jote” do të ishte ndoshta një shqipërim gjithëpërfshirës, duke qenë se termi “përfillje” i përmbledh në vetvete të gjitha këto nocione, përfshirë edhe atë të përulësisë. Ne bëhemi të mëdhenj për shkak se Perëndia zgjodhi ta bënte Veten të vogël. Ne jemi kaq të vegjël, saqë në qoftë se Perëndia do të na e shfaqte madhështinë e Tij pa përulësinë, do të shtypeshim nën këmbët e Tij. Mirëpo, Perëndia, edhe pse duhet të përkulet për të vështruar qiejt dhe të ulet poshtë për të parë se çfarë bëjnë engjëjt, i ul sytë e Tij edhe më poshtë dhe e hedh vështrimin drejt të përulurve e zemërthyerve, dhe i bën ata të mëdhenj.
9 prill, mëngjes – Burimi i vajtimit të tij

Mes turmës që i ishte vënë pas Shpengimtarit, tek i hidhte hapat drejt vdekjes së Tij, kishte edhe disa shpirtra të hirshëm, pikëllimi i hidhur i të cilëve gjeti shprehje vetëm në kujë e vajtime—një muzikë e përshtatshme për ta shoqëruar atë kortezh të vajtueshëm. Kur, përmes përfytyrimit, e shoh Shpëtimtarin tek e mban kryqin e Tij drejt Golgotës, shpirti im u bashkohet grave të perëndishme dhe qan bashkë me to; sepse pa dyshim që ai ka një arsye të vërtetë për t’u pikëlluar—një shkak që shtrihet më thellë nga sa mund të kuptonin ato vajtuese. Ato po qanin pafajësinë e keqtrajtuar, mirësinë e përndjekur, dashurinë e gjakosur dhe zemërbutësinë që gatitej të vdiste; por zemra ime ka një arsye më të thellë dhe më të madhe për të vajtuar. Mëkatet e mia ishin fshikujt e kamxhikut që i bënë plagë ato supe të bekuara dhe e kurorëzuan me gjemba ballin e gjakosur. Mëkatet e mia klithën me të madhe: “Kryqëzojeni! Kryqëzojeni”, dhe po ato e vendosën kryqin e rëndë mbi shpatullat e tij të shtrenjta.
8 prill, mbrëmje – Ngazëllohu në vështirësi

A ke nisur t’i vëresh shenjat e dobësimit të fuqive të tua fizike? A pret të vuash net pa gjumë dhe ditë të mbushura me dhimbje? Oh, mos u trishto! Shtrati yt mund të kthehet në një fron për ty. Ti nuk mund ta dish se si çdo sëmbim që ta shpon trupin, mund të kthehet në një zjarr pastrues për të ta hequr zgjyrën—një rreze lavdie për të ndriçuar edhe skutat më të errëta të shpirtit tënd.
8 prill, mëngjes – Çfarë shansesh ke?

Perëndia nuk e kurseu as Jezusin kur e pa të zinte vendin e mëkatarit; prandaj, nuk ka për t’i kursyer as të parilindurit pa Krishtin, kur t’i dalin përpara. O mëkatar, Jezusin erdhën dhe e morën armiqtë e Tij; dhe ti do të tërhiqesh zvarrë nga djajtë për në vendin që të është caktuar. Jezusi u braktis nga Perëndia, dhe në qoftë se u braktis Ai që u thjesht llogarit si një mëkatar, sa herë më i braktisur do të jesh ti?
7 prill, mbrëmje – Një zemër e thyer

Vargu ynë përmban një lutje me gjithë zemër, e cila i drejtohet Perëndisë së shpëtimit. Është e drejta e Tij sovrane të falë; është vetë emri dhe ofiqi i Tij që t’i shpëtojë ata që kërkojnë fytyrën e Tij. Edhe më mirë akoma, vargu e quan Atë: Perëndia i shpëtimit tim. Ne bekojmë emrin e Tij, sepse ndërsa shkojmë ende tek Ai përmes gjakut të Jezusit, mund të ngazëllehemi në Perëndinë e shpëtimit tonë.
7 prill, mëngjes – Një listë e përzishme nderimesh

Titulli i nderit ishte formalisht “Mbreti i judenjve”, por kjo u hodh poshtë hapur. Në të vërtetë, ata e quajtën “Mbreti i kusarëve”, duke parapëlqyer Barabën dhe duke e vendosur Jezusin në vendin e turpit më të madh, në mes të dy hajdutëve. Kështu, bijtë e njerëzve e kthyen lavdinë e Tij në një turp, por megjithatë, ajo do t’i gëzojë në përjetësi sytë e shenjtorëve dhe të engjëjve.
6 prill, mbrëmje – Shkatërrojini armiqtë!

Shpirti im, përderisa je fëmijë i Perëndisë, duhet të pushtosh atë çka mbetet prej vetes sate, që ende nuk është bekuar; duhet t’i nënshtrosh të gjitha fuqitë dhe pasionet e tua, dhe nuk duhet të gjesh kënaqësi derisa Ai që është Mbret për shkak të blerjes, po ashtu të njihet si Mbret edhe me anë të kurorëzimit të hirshëm dhe të mbretërojë mbi gjithçka tënden. Duke parë se mëkati nuk ka më të drejta mbi asnjë pjesë tonën, i hyjmë një lufte të drejtë e të ligjshme kur përpiqemi ta shporrim atë prej nesh në emër të Perëndisë. Duke qenë se trupi im është gjymtyrë e Krishtit, a do ta toleroj nënshtrimin e tij ndaj princit të errësirës?
6 prill, mëngjes – Jashtë fushimit

Nuk mund të rriteni në ndonjë masë të madhe në hir ndërkohë që jeni konformuar me këtë botë. Jeta e veçuar mund të jetë një shteg i mbushur me dhimbje, por nga ana tjetër, ajo është autostrada drejt sigurisë; dhe megjithëse jeta e veçuar mund të jetë e dhimbshme dhe e kthen çdo ditë në një betejë, prapëseprapë, ajo është një jetë e lumtur në fund të fundit. Nuk ka gëzim që t’ia kalojë atij të një ushtari të Krishtit; Jezusi e zbulon Veten me kaq hir dhe siguron një freskim kaq të këndshëm, saqë luftëtari ndihet më i qetë dhe ka paqe më të madhe në luftën e vet të përditshme nga sa kanë të tjerët në orët e tyre të çlodhjes.