20 prill, mbrëmje – Beteja e Zotit

Largoje vështrimin tënd të ankthshëm nga beteja këtu poshtë, ku të rrethuar nga tymi, besnikët luftojnë me rrobat e lyera në gjak! Hidhe lart vështrimin, aty ku Shpëtimtari jeton dhe ndërmjetëson [në lutje], sepse për sa kohë që ndërmjetëson, kauza e Perëndisë është e sigurt! Le të luftojmë sikur gjithçka të varej prej nesh, por le të shohim edhe lart dhe të dimë se gjithçka varet prej Tij!
20 prill, mëngjes – Nuk jemi larg shtëpisë

O fëmijë i Perëndisë, vdekja e ka humbur gjëmbën e saj, sepse pushteti i të paudhit mbi të, është shkatërruar! Prandaj, mos e ki më frikë vdekjen! Kërkoji Perëndisë Frymë e Shenjtë të të japë një njohje intime dhe besim të palëkundshëm në vdekjen e Shpenguesit tënd, që të forcohesh për atë udhëtim! Duke jetuar pranë kryqit të Kalvarit, mund të mësosh të mendosh me kënaqësi për vdekjen dhe kur të vijë koha, ta mirëpresësh atë me një ëndje të thellë. Është gjë vërtet e bekuar të vdesësh në Zotin: është si një bekim besëlidhjeje të vdesësh në Jezusin. Vdekja nuk është më një dëbim [prej kësaj jete]; ajo është si një kthim nga mërgimi; është një kthim në shtëpi, te banesat e panumërta ku tashmë banojnë të dashurit tanë. Largësia mes frymëve të përlëvduara në qiell dhe shenjtëve luftarakë mbi tokë, duket e madhe; por në realitet nuk është e tillë.
19 prill, mbrëmje – Vërtetuesi i madh

I krishterë, vallë a nuk të ngushëllon fort edhe ty fakti se nuk ka as dhe një fjalë që të ketë dalë prej gojës së Shpëtimtarit, të cilën Ai ta ketë marrë ndonjëherë mbrapsht? Fjalët e Jezusit do të qëndrojnë edhe atëherë kur toka dhe qielli të mos jenë më. Edhe sikur të rrokësh një gjysmë premtimi, ke për ta parë se do të vërtetohet. Ruaju nga ata që i shpërfillin premtimet, dhe kështu, nuk e shijojnë një pjesë të madhe të ngushëllimit që na jep Fjala e Perëndisë!
19 prill, mëngjes – I shqyer në dy

Çarja e velit po ashtu zbuloi të gjitha gjërat e fshehura të besëlidhjes së vjetër: Froni i mëshirës tanimë mund të shihej dhe lavdia e Perëndisë shkëlqente mbi të. Me anë të vdekjes së Zotit tonë Jezus përftojmë një zbulesë të qartë të Perëndisë, sepse Ai nuk ishte “si Moisiu, i cili vinte një mbulesë mbi fytyrën e vet” (2 e Korintasve 3:13). Jeta dhe pavdekësia tani kanë dalë në dritë dhe gjërat që ishin fshehur qysh prej themelimit të botës, janë zbuluar në Të.
18 prill, mbrëmje – Ti the

Atributi i besnikërisë së Perëndisë është një bri i shkëlqyer altari, që ne të kapemi pas tij; por premtimi i cili e përfshin atributin dhe madje diçka më tepër, është edhe më i fortë se kaq—“Dhe ti the: Patjetër, unë do të të bëj mirë.” Dhe nëse Ai ka thënë, a nuk do ta bëjë vallë realitet Fjalën e Tij? “…qoftë Perëndia i vërtetë dhe çdo njeri gënjeshtar” (Romakëve 3:4). A nuk do të jetë i vërtetë Ai vallë? Vallë, a nuk do ta mbajë Ai fjalën e Tij? A nuk do t’i qëndrojë kohës dhe a nuk do të përmbushet çdo fjalë e dalë nga goja e Tij?
18 prill, mëngjes – Ndiq shembullin e Rahabit

Eja, shpirti im! A nuk e dallon dot vallë një mësim në këtë varg? A je treguar i kujdesshëm në bërjen e gjithë vullnetit të Zotit tënd, edhe pse disa prej urdhëresave të Tij mund të të duken jo edhe aq të rëndësishme? Ai i ke zbatuar ashtu siç do Ai dy urdhëresat, atë të pagëzimit të besimtarëve dhe të Darkës së Zotit? Lënia pas dore e këtyre dy urdhëresave tregon se në zemrën tënde ka mosbindje dhe mungesë dashurie. Sot e tutje, ji i paqortueshëm në të gjitha gjërat, madje edhe në lidhjen e kordonit nëse një gjë e tillë të urdhërohet!
17 prill, mbrëmje – Përqendroji dëshirat tona

O lexuesi im, a mos vallë je edhe ti në këtë gjendje pikërisht tani? A ke edhe ti një dëshirë të vetme dhe a ka të bëjë ajo me Krishtin? Atëherë, nuk je larg mbretërisë së qiellit. A mos vallë ke një dëshirë të vetme në zemër që të pastrohesh nga të gjitha mëkatet e tua në gjakun e Jezusit? A mund të thuash me gjithë zemër: “Do të jepja gjithçka sa kam që të jem i krishterë. Do të hiqja dorë nga gjithçka që zotëroj dhe shpresoj, vetëm e vetëm që të kisha në zemër një ndjenjë të vërtetë interesi për Krishtin”? Atëherë, mos ua vër veshin frikërave të tua, por merr zemër—Zoti të do dhe shpejt do të dalësh në dritën e diellit, dhe do të gëzohesh me lirinë me anë të së cilës Krishti të bën të lirë!
17 prill, mëngjes – Çdo ditë

Oh, sa i ëmbël është tingulli i gjakut të çmuar të Jezusit! Nëse ke ardhur tek ai gjak njëherë, do të vish vazhdimisht. Do ta jetosh jetën tënde “duke i drejtuar sytë te Jezusi”. E gjithë sjellja jote do të përmblidhet në këto fjalë: “duke ardhur tek Ai”. Jo tek ai ku kam ardhur, por tek Ai ku vij përherë. Nëse i je afruar ndonjëherë gjakut të spërkatjes, do ta ndiesh nevojën të vish tek ai përditë. Ai që nuk ka dëshirë të lahet në të përditë, nuk është larë kurrë në të. Besimtarët e konsiderojnë vazhdimisht si një gëzim dhe privilegj që ende kanë në dispozicion një burim të tillë gurgullues. Përvojat e së kaluarës janë një ushqim i pasigurt për të krishterët; vetëm afrimi i vazhdueshëm te Krishti mund të na falë gëzim e ngushëllim. Këtë mëngjes, le t’i spërkasim shtalkat e derës sërish me gjak, dhe pastaj të shtrojmë gosti për Qengjin, duke qenë të sigurt se engjëlli i shkatërrimit do të kalojë mbi ne [pa na prekur]!
16 prill, mbrëmje – Rëndësia e lutjes

Ju duhet të përlesheni me mëkatin tuaj, por shumica e këtyre përleshjeve duhet të bëhet kur të jeni vetëm për vetëm me Perëndinë. Një lutje si ajo e Moisiut e ngre lart dëshminë e besëlidhjes përpara Zotit. Bastuni ishte shenja treguese që Perëndia vepronte përmes Moisiut, simboli i sundimit të Perëndisë mbi Izraelin. Mëso, o shenjtor lutës, si ta ngresh lart premtimin dhe betimin e Perëndisë përpara Tij! Zoti nuk mund t’i mohojë deklaratat e Tij. Ngrije lart bastunin e premtimit, dhe do të marrësh atë që dëshiron!
16 prill, mëngjes – Gjak i çmuar!

I njëjti gjak që shfajëson duke na hequr mëkatin, po ashtu sjell në jetë [brenda nesh] natyrën e re dhe e udhëheq atë në mposhtjen e mëkatit dhe në bindje ndaj urdhëresave të Perëndisë. Nuk ka një arsye më të fortë për të qenë të shenjtë, sesa ajo që rrjedh nga damarët e Jezusit. “I çmuar”, madje papërshkrueshmërisht i çmuar, është ky gjak për shkak të fuqisë së tij ngadhënjyese. Është shkruar: “Dhe ata e mundën atë me anë të gjakut të Qengjit…” (Zbulesa 12:11). E si mund të fitonin ndryshe? Ai që lufton me gjakun e çmuar të Jezusit, ka në duar një armë që nuk njeh disfatë.