30 prill, mbrëmje – Mendimet e Perëndisë

I dashur lexues, a nuk është e çmueshme kjo për ty? Atëherë, kapu fort pas saj! Mos i lër ata filozofë të marrë, të cilët propagandojnë [teoritë e tyre] rreth një Perëndie jopersonal dhe materies vetekzistuese dhe vetërregulluese, të të çojnë në rrugë të gabuar! Zoti jeton dhe mendon për ne; kaq e çmueshme është kjo e vërtetë për ne, [sa do të bënim një marrëzi të madhe po ta linim] të na e merrnin lehtësisht nga duart. Nëse vëmendja e një personi të rëndësishëm është kaq e lakmueshme, sa ai që e ka, mendon se e ka të fituar davanë e jetës, atëherë, sa më e rëndësishme është vëmendja e Mbretit të mbretërve! Nëse Zoti mendon për ne, gjithçka shkon mirë dhe mund të ngazëllehemi për jetë e mot.
30 prill, mëngjes – Mos je murmuritës?

Mirëpo, nëse do të murmurisësh kundër ndëshkimit, dije se gjërat nuk do të shkojnë mirë për murmuritësit. Ndëshkimin e parë nga Perëndia gjithnjë e pason një i dytë, nëse fëmijët e Tij nuk reagojnë si duhet herën e parë. Mirëpo, dije këtë—“… [Zoti] nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve” (Vajtimet 3:33). Të gjitha disiplinimet e Tij karakterizohen nga dashuria, për të të pastruar dhe për të të afruar te Vetja. Me siguri do të të ndihmojë që ta përballosh purtekën me nënshtrim, po të arrish të dallosh dorën e Atit mbi të. “Sepse Zoti ndreq atë që do; dhe fshikullon çdo bir që ai pranon” (Hebrenjve 12:6). “As të mos murmurisni, sikundër edhe disa nga ata murmuritën, dhe u vranë nga shkatërruesi” (1 e Korintasve 10:10).
29 prill, mbrëmje – Dashuria gjithëpërfshirëse e Krishtit

Oh, sa zemër e madhe është e Tija, sepse jo vetëm që e njeh dhe e kupton natyrën e njerëzve të Vet, por edhe njeh e kupton shqetësimet e panumërta dhe të larmishme të këtyre të fundit! A mos mendon vallë, o i krishterë, se je i aftë ta masësh dashurinë e Krishtit? Mendo se ç’fryte të ka sjellë dashuria e Tij: drejtësim, birësim, shenjtërim dhe jetë të përjetshme! Pasuritë e mirësisë së Tij janë të panjohshme; nuk do të jesh ndonjëherë i aftë t’i përshkruash ose të paktën t’i konceptosh ato.
29 prill, mëngjes – Një shpjegim i sprovave

Ndofta Zoti të ndau për pjesë fillimisht një shteg të shtruar mirë dhe pa re, sepse ishe i dobët dhe i ndrojtur. Ai e zbuti erën për shkak të dobësisë sate, por tani që je më i fortë në jetën frymërore, duhet të fillosh të marrësh pjesë në përvojat më të pjekura dhe më të vështira, të cilat u takojnë fëmijëve të rritur të Perëndisë. Na lipsen murrlan dhe stuhi për ta ushtruar besimin tonë, me qëllim që t’i shkulim degët e kalbura të mbështetjes në forcat tona, për t’i hedhur rrënjët tona thellë e më thellë në Krishtin. Dita e fatkeqësisë na zbulon vlerën e shpresës sonë të lavdishme.
28 prill, mbrëmje – Një ballë i fortë dhe një zemër kryeneçe

Bekuar qoftë emri i Zotit, sëmundja nuk është e pashërueshme! Gjaku i çmuar i Shpëtimtarit është ilaçi universal [që nuk lë gjë pa zbutur e tretur], dhe në fund do të më zbutë mua, madje edhe mua, derisa zemra ime të shkrihet si dylli përpara zjarrit.
28 prill, mëngjes – Bëji të tuat premtimet e Perëndisë

A mos je vallë i shqetësuar për shkak të mëkatit dhe i rënduar nga barra e rëndë e paudhësive të tua? Dëgjoji, pra, këto fjalë—“Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetvetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua” (Isaia 43:25). Megjithëse nuk ke asnjë meritë tënden në bazë të së cilës t’i kërkosh Atij të të falë, paraqiti me përgjërim zotimet e Tij të shkruara dhe Ai do t’i mbajë ato! A mos ke frikë vallë se nuk do të jesh i aftë të qëndrosh i fortë deri në fund dhe se pasi ta kesh mbajtur veten për fëmijë të Perëndisë, të dalësh bir i humbjes? Nëse ndodhesh në të tillë gjendje, merre këtë fjalë hiri, çoje përpara fronit dhe shpalle atë: “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje, as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet” (Isaia 54:10)!
27 prill, mbrëmje – Rroftë mbreti!

Veç kësaj, Zoti ynë Jezus është Mbreti i Sionit për shkak të së drejtës së pushtimit: Ai ka marrë me luftë zemrat e popullit të Tij dhe i ka shfarosur armiqtë që i mbanin ata nën zgjedhë mizore. Shpëtimtari ynë e ka mbytur Faraonin e mëkateve tona në Detin e Kuq të gjakut të Vet. E pra, a nuk e meriton Ai vallë të sundojë si Zot dhe Mbret? Ai na ka shpëtuar nga sundimi i mëkatit dhe mallkimi i rëndë i ligjit: e pra, a nuk duhet kurorëzuar Çlirimtari? Ne jemi pjesa e trashëgimisë së Tij, të cilën Ai ia hoqi nga duart armikut, me shpatën dhe me harkun e Tij. Kush mund t’ia rrëmbejë vallë ata që Ai i ka pushtuar? Nderime, Mbreti Jezus! E pranojmë me gëzim pushtetin Tënd të butë! Sundofsh në zemrat tona për jetë e mot, Ti Princ i dashur i Paqes!
27 prill, mëngjes – Është faji ynë

Është faji ynë nëse nuk i shijojmë pasuritë e Perëndisë tonë. Përderisa ke një mik të tillë, që të fton, kërkoje ndihmën e Tij ditë për ditë! Nuk duhet të të mungojë asgjë, për sa kohë që ke një Perëndi, të cilit mund t’i drejtohesh në çdo kohë. Mos u frikëso dhe as mos e humb toruan, për sa kohë që ke një Perëndi i cili është i gatshëm të të ndihmojë! Shko te thesari yt dhe merr atje ç’të nevojitet—sepse aty mund të gjesh ç’të të dojë zemra! Mësoje artin hyjnor që të tregon se si ta bësh Perëndinë të jetë gjithçka për ty! Ai mund të të sigurojë gjithçka, ose më mirë akoma, Ai vetë mund të jetë gjithçka për ty.
26 prill, mbrëmje – Rreziqet e ditës sonë

I krishterë, mos mendo se në këto kohë mund të mbijetosh pa qenë syçelë dhe pa pasur zell të shenjtë; këto gjëra të nevojiten sot më shumë se kurrë, madje dashtë Perëndia Frymë e përjetshme që ta shfaqë në ty gjithëfuqishmërinë e Tij, me qëllim që në kohë të vështira e të bukura, ti të jesh në gjendje të thuash: “[Ne] jemi më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi” (Romakëve 8:37)!
26 prill, mëngjes – Më kujtoni mua

A nuk të flet ndërgjegjja jote për vërtetësinë e një fakti të tillë? A nuk të duket se e harron shpesh Jezusin? Një dashuri tjetër ta rrëmben zemrën, dhe e harron Atë të cilit duhet t’ia japësh dashurinë tënde. Punët e kësaj bote ta largojnë vëmendjen, atëherë kur ti duhet t’i mbaje sytë të ngulur në kryq. Rrëmuja e pandërprerë e botës, apo tërheqja e vazhdueshme e gjërave tokësore e largojnë shpirtin nga Krishti. Kujtesa e ruan me përkujdesje një bimë helmuese, ndërsa trëndafilin e Sharonit e lë të thahet. Marrshim zotimin që të lidhim një përkujtues qiellor rreth zemrave tona për Jezusin, Shumë të Dashurin tonë, me qëllim që edhe në harrofshim gjithçka tjetër, të paktën Atë ta mbërthejmë fort!