5 maj, mbrëmje – Gjej urtësi

Pa urtësi, njeriu është si një kërriç gomari, i cili harbon sa andej-këtej, duke e harxhuar më kot forcën që mund të shfrytëzohej në mënyrë më të dobishme. Urtësia është busulla me anë të së cilës njeriu duhet të çajë udhën përmes shkretëtirave të pashkelura të jetës; pa të, ai është si një anije pa timon, nën mëshirën e dallgëve dhe erërave. Njeriut i nevojitet pjekuri në një botë si kjo ose përndryshe, nuk do ta zërë kurrë e mira, po do të bjerë viktimë e një mijë e një të ligave. Nëse nuk i zgjedh hapat me kujdesin më të madh, shtegtarit do t’i bëhen këmbët copë prej drizave e ferrave të pyllit të jetës. Ai që po ecën përmes një humbëtire ku gëlojnë kusarët, duhet të sillet me urtësi nëse do të udhëtojë i sigurt.

5 maj, mëngjes – “Populli im”

Miq të dashur, a mund ta shihni vallë veten përmes besimit në mes të atyre njerëzve? A mund t’i ngrini sytë drejt qiellit dhe të thoni: “Zoti im dhe Perëndia im: imi për shkak të asaj marrëdhënieje të bukur, e cila më jep të drejtën të të quaj Atë; imi për shkak të asaj përbashkësie të shenjtë, të cilën kam gëzimin që ta shijoj me Ty, sa herë që ke kënaqësinë të më shfaqesh, ashtu si kurrë nuk i shfaqesh botës!”. A mund ta lexosh vallë Biblën pa gjetur në të kontratën e shpëtimit tënd? A mund ta dallosh në të emrin tënd të shkruar me gjakun e çmuar? A mundesh ti, përmes besimit tënd të përulur, të kapesh fort pas rrobës së Jezusit dhe të thuash: “Krishti im”?

4 maj, mbrëmje – Natyra jonë mbretërore

Do të bënim mirë nëse, në frymën e përulësisë, do ta njihnim dinjitetin e vërtetë të natyrës sonë të rilindur dhe të jetonim në lartësinë e tij. Çfarë është vallë një i krishterë? Nëse e krahasojmë me një mbret, ai i shton shenjtëri priftërore dinjitetit mbretëror. Natyra mbretërore e një mbreti shpesh shfaqet vetëm te kurora e Tij, mirëpo te një i krishterë, ajo është e mbjellë në thellësi të natyrës së tij. Ai qëndron shumë më lart sesa shokët e vet, për shkak të rilindjes, ashtu siç qëndron njeriu mbi kafshën vdekatare. Sigurisht, në të gjitha marrëdhëniet e veta, i krishteri duhet të sillet si dikush që është i ndryshëm nga turma, si dikush që është zgjedhur nga kjo botë, i dalluar nga hiri hyjnor, pjesë e “popullit të veçantë [të Perëndisë]” (Titit 2:14).

4 maj, mëngjes – Mos je tunduar nga idhujt?

Idhujtaria ishte një mëkat që e tërhoqi vazhdimisht Izraelin e lashtë, por edhe kisha i hap vetes veç telashe duke shfaqur prirjen për ta përsëritur të njëjtën marrëzi. Perënditë e lashta të shpikura nga njeriu pothuajse janë zhdukur krejtësisht, ndërsa vendet e larta të krenarisë nuk janë braktisur, dhe viçi i artë është ende në këmbë. Natyra e vjetër vazhdon ende të mburret, ndërsa mishi i ngre altarët e vet kudo ku gjen hapësira për ta. Fëmijët e parapëlqyer janë shpesh shkaku i shumë mëkateve për besimtarët; Zotit i dhemb zemra kur na sheh tek e lëmë mendjen pas tyre përtej çdo mase; ata do të kthehen në një mallkim të madh për ne, ashtu siç qe Absalomi për Davidin, ose do të merren prej nesh, duke na i lënë shtëpitë të shkreta. Nëse të krishterët duan të kultivojnë gjemba me të cilët të mbushin jastëkët, që të mbeten pa gjumë, atëherë le t’i përkëdhelin pa fre të vegjlit e tyre!

3 maj, mbrëmje – Shko te Jezusi

Bekimet e besëlidhjes nuk janë bërë vetëm për t’u kundruar, por edhe për t’u zotëruar. Edhe Zoti Jezus na është dhënë për dobinë tonë të tanishme. Besimtar, ti nuk po e përdor Krishtin ashtu siç duhet! Kur je në vështirësi, përse nuk ia tregon Atij të gjitha brengat e tua? A nuk ka Ai vallë një zemër që vuan bashkë me ty dhe a nuk mund të të ngushëllojë dhe lehtësojë? Jo, ti po shkon te të gjithë miqtë e tu, përveçse te Miku yt më i mirë, madje e rrëfen historinë tënde gjithandej, përveçse në zemrën e Zotit tënd.

3 maj, mëngjes – Priti vështirësitë

Tani hidhe vështrimin përreth teje! A e di vallë se ku ndodhesh? Ti ndodhesh në vendin e armikut, si një i huaj dhe shtegtar. Bota nuk është miku yt. Nëse është kështu, atëherë, ti nuk je mik i Perëndisë, sepse kushdo që është mik i botës, [në të vërtetë] është armiku i Perëndisë. Ji i sigurt se do të gjesh armiq kudo! Kur të biesh të flesh, kujto që je duke pushuar në fushë të betejës; kur të jesh në udhëtim, ruhu se mos të kanë zënë pritë prapa çdo gardhi! Duke qenë se thuhet që mushkonjat i pickojnë të huajt më shumë sesa vendasit, ashtu edhe sprovat e kësaj bote do të jenë më të ashpra për ty [sesa për ta].

2 maj, mbrëmje – Të vdesësh në besim

Vdekja në besim i referohet qartësisht së kaluarës. Ata besonin në premtimet e dhëna më herët, dhe ishin të sigurt se mëkatet e tyre ishin fshirë në saje të mëshirës së Perëndisë. Vdekja në besim ka të bëjë edhe me të tashmen. Këta shenjtorë kishin siguri të plotë në pranimin e tyre nga Perëndia; ata shijuan të mirat e dashurisë së Tij dhe gjetën prehje në besnikërinë e Tij. Vdekja në besim e hedh vështrimin drejt së ardhmes. Ata ranë në gjumë, duke shpallur ardhjen e sigurt të Mesisë dhe duke qenë të sigurt se kur Ai të vinte mbi tokë në ditët e fundit, edhe ata do të ngriheshin nga varret e tyre për ta parë Atë. Për ta, dhimbjet e vdekjes nuk ishin veçse dhimbjet e lindjes drejt një jete më të mirë.

2 maj, mëngjes – Një dëshirë egoiste?

Në kohën e caktuar nga Perëndia, çdo besimtar do të përjetojë ndodhinë e bukur dhe të bekuar: vajtjen në shtëpi për të banuar me Jezusin. Pas disa vitesh, ushtarët e Zotit, që tani po luftojnë “luftën e mirë të besimit” (1 e Timoteut 6:12), do ta kenë përfunduar betejën dhe do të kenë hyrë në gëzimin e Zotit të tyre. Mirëpo, megjithëse Krishti lutet që në kohën e duhur, njerëzit e Tij të jenë me Të aty ku Ai është, Ai nuk lutet që ata të rrëmbehen sakaq nga kjo botë, drejt e në qiell. Ai dëshiron që ata të qëndrojnë këtu. Mirëpo, sa shpesh e ka bërë këtë lutje shtegtari i rraskapitur: “Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja për të gjetur prehje!” (Psalmi 55:6).

1 maj, mbrëmje – Bukuria e Krishtit

Bukuria e Tij është e larmishme. Trëndafili është i pashëm për syrin, ndërsa aroma e tij është e këndshme dhe flladitëse. Kështu, të gjitha shqisat e shpirtit, qoftë shijimi apo ndijimi, dëgjimi, shikimi apo nuhatja frymërore, e gjejnë përmbushjen e duhur në Jezusin. Madje edhe kujtimi i dashurisë së Tij është i bukur. Merre trëndafilin e Sharonit, këputja petalet një nga një dhe mbylli ato në kavanozin e kujtimeve, dhe do të zbulosh se çdo petal e ruan erën e mirë, duke ta mbushur shtëpinë me aromën e vet të këndshme. Krishti e kënaq deri në maksimum edhe shijen më fine të shpirtit më të edukuar. I pasionuari më i madh pas parfumeve është më se i kënaqur me një trëndafil: dhe kur shpirti të ketë arritur nivelin më të lartë të shijes së vërtetë, prapëseprapë do të jetë i kënaqur me Krishtin; në të vërtetë, do të jetë edhe më i aftë që ta vlerësojë Atë siç duhet.

1 maj, mëngjes – Është pranverë!

Në Jezusin, unë nuk gjej vetëm aromën e mirë, por një leh barërash aromatike; jo vetëm një bar aromatik, por lloj-lloj barërash të këndshme. Për mua, Ai është sherbela dhe majdanozi im, rozmarina dhe trumza ime. Kur Ai është me mua, është maj gjatë gjithë vitit, dhe shpirti im shkon ta lajë fytyrën e vet të lumtur në vesën mëngjesore të hirit të Tij dhe të përdëllehet me cicërimën e zogjve të premtimeve të Tij. I shtrenjti Zoti Jezus, jepmë mundësinë që në gjithçka të shoh lumturinë që rrjedh nga përbashkësia e qëndrueshme dhe e vazhdueshme me Ty! Unë jam një qenie e gjorë dhe e pavlerë, faqen e së cilës Ti ke denjuar ta puthësh! Oh, lërmë të të puth edhe unë nga ana ime, me puthjet e buzëve të mia!