10 maj, mbrëmje – I vetëmlinduri

spurgeon dev 10 maj pm

Besimtar, dil e dëshmo se Krishti është i vetëmlinduri nga Ati, por edhe i paralinduri nga të vdekurit! Mund të thuash: “Ai është Perëndi për mua, edhe sikur të konsiderohej thjesht njeri për pjesën tjetër të botës. Ai ka bërë për mua gjëra që vetëm një Perëndi mund t’i bëjë. Ai ka nënshtruar vullnetin tim kryeneç, ka shkrirë zemrën time rebele, ka hapur dyert e bronzit dhe ka thyer shufrat e hekurta. Ai e ka kthyer vajtimin tim në gaz dhe dëshpërimin tim në gëzim; e ka zënë rob robërinë time dhe e ka bërë zemrën time të ngazëllehet me një gëzim të patregueshëm dhe plot me lavdi. Le të mendojnë ç’të duan të tjerët për Të—për mua, Ai është i Vetëmlinduri prej Atit: Bekuar qoftë emri i Tij!

10 maj, mëngjes – Të ringjallur prej së vdekurish

Prova më e sigurt e hyjnisë së Krishtit është pikërisht ringjallja e Tij, meqë ishte “i caktuar Biri i Perëndisë me fuqi, sipas Frymës së Shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurish” (Romakëve 1:4). Nëse nuk do të ishte ringjallur, me të drejtë do të ngrinim dyshime rreth hyjnisë së Tij. Veç kësaj, sovraniteti i Krishtit bazohet në ringjalljen e Tij, “sepse për këtë edhe vdiq Krishti dhe u ngjall e u kthye në jetë: që të zotërojë edhe mbi të vdekurit, edhe mbi të gjallët” (Romakëve 14:9). Po ashtu, edhe drejtësimi ynë, ai bekim i zgjedhur i besëlidhjes, është i lidhur me fitoren e Tij ngadhënjyese mbi vdekjen dhe varrin, sepse Ai “u dorëzua për shkak të shkeljeve tona dhe u ringjall për drejtësimin tonë” (Romakëve 4:25).

9 maj, mbrëmje – Me Jezusin përkrah nesh

Kur populli i Perëndisë mendon si duhet, ai dëshiron të gëzojë përbashkësinë me Krishtin. Disa mund të mendojnë se nuk mund t’i shërbejnë Krishtit në mënyrë aktive, dhe ende të kenë përbashkësi me Të; mirëpo, këta gabohen. Pa dyshim që mund ta shpërfillim lehtësisht jetën tonë të brendshme në ushtrime të jashtme, dhe pastaj të detyrohemi të themi: “…më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur” (Kënga e Këngëve 1:6). Nuk ka asnjë arsye se përse të ndodhë kështu, përveçse për shkak të marrëzisë dhe pakujdesisë sonë. Natyrisht, dikush që e shpall veten besimtar, mund të mos bëjë asgjë, e megjithatë të përfundojë po aq i pajetë frymërisht, sa edhe ata që janë tepër të zënë [me punë].

9 maj, mëngjes – Të gjitha janë tonat

Vlesa e madhe e Princit të Lavdisë është e jona, sepse Ai është fejuar me ne, dhe nuk do të kalojë shumë kohë përpara se të mbahet dasma e shenjtë përpara gjithësisë së mbledhur së bashku. Trupëzimi i mrekullueshëm i Perëndisë së qiellit, me gjithë përuljen dhe poshtërimin e mahnitshëm që e shoqëruan, është yni. Djersa prej gjaku, fshikullimi dhe kryqi janë po ashtu tonat përgjithmonë. Të gjitha pasojat e hareshme që rrjedhin prej bindjes së përsosur, shlyerjes së përfunduar [të mëkateve], ngjitjes së Tij në qiell apo ndërmjetësimit, janë të gjitha tonat si një dhuratë prej Tij.

8 maj, mbrëmje – Njihe Perëndinë

Mirëpo, mos e harro Frymën e Shenjtë dhe bëj të pamundurën për të pasur një ide të qartë të natyrës dhe karakterit të Tij, atributeve dhe veprave të Tij! Sodite Frymën e Zotit, i cili në fillimet [e kohërave] zhvendosej mbi kaosin, duke sjellë rregull, ndërsa tani hyn në kaosin e shpirtit tënd dhe krijon rregullin e shenjtërisë! Sodite Atë si Zotin dhe Dhënësin e jetës frymërore, si Ndriçuesin, Udhëzuesin, Ngushëlluesin dhe Shenjtëruesin! Sodite Atë tek zbret mbi kryet e Jezusit, dhe pastaj tek prehet edhe mbi ty!

8 maj, mëngjes – Njohuri e pjesshme

Megjithatë, padija është një gjë e keqe; sepse ky njeri i gjorë u vu në një situatë shumë të vështirë nga farisenjtë, dhe nuk qe aspak i aftë të përballej me ta. Është mirë të jemi në gjendje që t’u përgjigjemi kritikëve tanë; por nuk mund ta bëjmë dot një gjë të tillë pa e njohur qartë dhe në mënyrë të kuptueshme Zotin Jezus. Mirëpo, shërimi i padijes së tij ndodhi fill pas shërimit të tij nga sëmundja, sepse erdhi dhe e vizitoi Zoti në tempull; dhe pas asaj bisede të hirshme, shpejt filloi t’u dëshmonte të gjithëve se “Jezusi ishte ai që e shëroi”. Zot, nëse Ti më ke shpëtuar, m’u shfaq, me qëllim që të Të shpall përpara bijve të njerëzve!

7 maj, mbrëmje – Cila është pjesa jote?

E ktheftë Zoti shikimin e Tij drejt turmave që ndodhen në këtë gjendje sonte! Faltë mungesën e besimit të tyre ndaj pushtetit të Tij hyjnor dhe i thërrittë me atë zërin e ëmbël e urdhërues, për t’u ngritur prej vigut të dëshpërimit dhe me energjinë e besimit, ta marrin vigun e tyre dhe të ecin! O Zot, dëgjoje lutjen tonë për të gjithë ata në këtë orë muzgu, në mënyrë që përpara se të agojë dita e re, të mund të shikojnë dhe të jetojnë!

7 maj, mëngjes – Atëherë dhe tani

Ai del fitimtar edhe sot. Cilado qoftë lëngata nga e cila vuaj, Mjeku i dashur mund të më shërojë; por edhe cilado qoftë gjendja e atyre që mund t’i kujtoj në këto çaste në lutje, paça shpresë në Jezusin, se Ai do të jetë në gjendje që t’i shërojë ata nga mëkatet e tyre! Kam shpresë për këdo, për të gjithë—për birin tim, mikun tim, të dashurit e mi, kur kujtoj fuqinë shëruese të Zotit tim; por edhe sa më përket mua, mund të ngazëllohem dhe ta kem moralin të lartë, sado e ashpër që të jetë lufta ime me të miat mëkate dhe sëmundje. Ai që kur jetonte mbi tokë shërbente nëpër spitale, vazhdon ta derdhë hirin e tij dhe të bëjë mrekulli mes bijve të njerëzve: le të paraqitem menjëherë tek Ai me një zemër të pastër!

6 maj, mbrëmje – Të sprovuar dhe të munduar

Qëndrimi ynë i zgjatur këtu poshtë është pa dyshim për lavdinë e Perëndisë. Një shenjtor i sprovuar, duke qenë si një diamant i prerë me finesë, shkëlqen tej mase në kurorën e Mbretit. Punëtorin nuk e nderon asgjë më tepër sesa një sprovë e stërzgjatur dhe e ashpër gjatë punës së tij, si dhe përballimi i saj me sukses, pa u dorëzuar apo pa hequr dorë. Ne jemi vepra e Perëndisë, dhe Ai do të përlëvdohet nga pikëllimet tona. Pikërisht në nderim të Jezusit, ne e përballojmë sprovën e besimit tonë me gëzim të shenjtë. Gjithsecili prej nesh duhet t’ia dorëzojë dëshirat e tij të zjarrta lavdisë së Jezusit dhe të deklarojë: “Sikur falë dergjjes sime Zoti të lartësohej qoftë edhe një centimetër të vetëm, atëherë, lërmëni të dergjem përtokë! Nëse të jetuarit tim për jetë e mot në këtë botë, do ta bënte Zotin tim edhe më të lavdishëm, për mua do të ishte parajsë, edhe sikur të më mbylleshin vetë portat e parajsës.”

6 maj, mëngjes – Një shtëpi e re

Besimtar, lumturia jote do të shumëfishohet në një banesë të tillë! Çfarë privilegji është për ty që të jetosh në një banesë kaq të sigurt—në një vend sigurie. Dhe duke qëndruar në Të, ti jo vetëm që ke një banesë të përkryer dhe të të sigurt, por edhe të përjetshme. Kur kjo botë të jetë shkrirë si një ëndërr, banesa jonë do të mbetet [aty ku është], dhe do të qëndrojë më e pavdekshme se mermeri, më e fortë se graniti, vetekzistuese si Perëndia, sepse ajo banesë është vetë Perëndia. “[Ne] qëndrojmë në të.”