15 maj, mbrëmje – Perëndia do ta përfundojë veprën e Tij

Mbani mend që ekzistojnë dy lloje përsosmërish që i nevojiten të krishterit—përsosmëria e drejtësimit në personin e Jezusit dhe përsosmëria e shenjtërimit e realizuar në të nga Fryma e Shenjtë. Edhe tani, ka ende prishje në zemrat e të rilindurve—përvoja na e mëson shpejt këtë. Brenda nesh ende mbeten epshe dhe përfytyrime të liga. Mirëpo, ngazëllehem, sepse e di që po vjen dita kur Perëndia do ta mbarojë punën që ka nisur dhe do ta paraqesë shpirtin tim jo vetëm të përsosur në Krishtin, por edhe të përsosur përmes Frymës, pa njolla ose të meta, ose të tjera si këto.
15 maj, mëngjes – Sot!

Besimtari në Krishtin është që tani i drejtësuar. Besimi nuk e prodhon këtë fryt të tijin më vonë, por tani. Duke qenë se drejtësimi është rezultat i besimit, ai i jepet shpirtit në çastin që lidhet me Krishtin dhe që e pranon Atë si të gjithën e tij në gjithçka. A nuk janë të drejtësuar tani ata që qëndrojnë përpara fronit të Perëndisë? Ashtu jemi edhe ne, pra, po aq realisht dhe qartësisht të drejtësuar, sa edhe ata që kanë hyrë tashmë në oborret e qiellit. Hajduti mbi kryq u drejtësua në çastin kur i ktheu sytë e besimit drejt Jezusit; dhe Pali, në fund të jetës së tij, pas kaq e kaq vitesh shërbese, nuk ishte më i drejtësuar sesa hajduti që nuk kishte shërbyer aspak.
14 maj, mbrëmje – Natyra e Jezusit

Ai i mban qengjat “në gjirin e tij”. Këtu shohim dashuri pa masë. A do t’i mbante në gji qengjat po qe se nuk do t’i donte shumë? Këtu dallojmë afërsi të përzemërt: ata janë kaq pranë njëri-tjetrit, sa më s’bëhet. Këtu vërejmë një marrëdhënie të shenjtë: ka shkëmbime të çmuara dashurie mes Krishtit dhe të dobëtve të Tij. Këtu ka siguri të përsosur: kush mund t’u bëjë keq atyre kur janë në gjirin e Tij? Do t’u duhet t’i bëjnë keq Bariut përpara [se të prekin tufën e Tij]. Mirëpo, këtu ka edhe prehje të përsosur dhe ngushëllim më të ëmbël. Me siguri që nuk jemi aq të vetëdijshëm sa duhet për zemërbutësinë e pafund të Jezusit!
14 maj, mëngjes – Ai e ndan kurorën e Tij

Ja, pra, ku është shpërblimi i çdo fitimtari të krishterë! Froni, kurora, skeptri, pallati, thesari, petkat [mbretërore] dhe trashëgimia e Krishtit janë të tuat! Për Krishtin, lumturia nuk është e plotë, po qe se nuk e ndan me njerëzit e Vet. “Dhe unë u kam dhënë atyre lavdinë që më ke dhënë” (Gjoni 17:22). “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjoni 15:11).
13 maj, mbrëmje – Ti je me të vërtetë i pasur

Por ti ke Perëndinë, dhe në Të gjen më shumë të mira sesa mund të blejë gjithë ari dhe kamja [e kësaj bote]. Disa e kanë pjesën e tyre në dy gjëra, të cilat u pëlqejnë jashtë mase njerëzve: fama dhe miratimi [i njerëzve]; por pyete veten, a nuk vlen vallë Perëndia yt shumë më tepër sesa kaq? A mendon vallë që lëvdatat e njerëzve dhe brohoritjet gjëmuese mund të të përgatitin për t’u përballur me vdekjen apo të të inkurajojnë në pritje të gjykimit? Jo! Në jetë, ka pikëllime që pasuria nuk mund t’i lehtësojë; por është edhe ajo nevoja e thellë në orën e vdekjes, të cilën nuk ka kamje që mund ta shuajë.
13 maj, mëngjes – Prit edhe pak

Mbase tani koka jote kurorëzohet nga gjembat e halleve, por nuk do të kalojë shumë dhe mbi të do të vendoset një kurorë yjesh. Megjithëse zemra jote mund të jetë e mbushur tani me shqetësime—shumë shpejt ajo do të mbushet me lavdërimin e qiellit. Rrobat e tua tani mund të jenë të bëra me pluhur; shumë shpejt do të bëhen më të bardha se bora. Prit edhe pak! Ah, sa të parëndësishme që do të na duken hallet dhe shqetësimet tona kur t’i shohim nga lartësitë qiellore! Na duken vigane kur i shohim nga kjo fushëpamje këtu poshtë; por kur të arrijmë në qiell, do ta shohim gjithçka nga një perspektivë e re.
12 maj, mbrëmje – Rreziku i ngurrimit

Ç’bekim është kur ndihemi të sigurt që Zoti është me ne në të gjitha udhët tona dhe begenis të përulet bashkë me ne në të gjitha poshtërimet dhe syrgjynosjet tona! Madje, edhe në kohë të tilla mund të rrezitemi në rrezet e diellit të dashurisë së Atit tonë! Nuk duhet të ngurrojmë të shkojmë aty ku Ai na premton praninë e Tij; madje edhe lugina më e errët ndriçon nga rrezatimi i kësaj sigurie. Duke marshuar përpara me besim në Perëndinë e tyre, besimtarët do të marrin premtimin e Jakobit. As hallet e kësaj jete dhe as dhomat e mortjes nuk do të mund t’i pengojnë ata. Pasardhja e Jakobit doli nga Egjipti në kohën e duhur, dhe porsi ata, edhe të gjithë besimtarët do të kalojnë pa u prekur, mes mundimeve të jetës dhe tmerrit të vdekjes.
12 maj, mëngjes – Përulësia, lumturia, shenjtëria

Në jetëshkrimet e shenjtorëve të shquar do të gjeni plot raste të regjistruara, në të cilat Zoti Jezus ka pasur kënaqësinë t’u fliste shpirtrave të tyre në një mënyrë shumë të veçantë dhe të shpaloste mrekullitë e personit të Tij; në këtë mënyrë, shpirtrat e tyre kanë gufuar nga lumturia dhe ata kanë menduar se ishin në qiell. Mirëpo, edhe pse nuk gjendeshin atje, ata ishin afër pragut të tij—sepse sa herë që Jezusi u dëftehet njerëzve të Tij, qielli zbret mbi tokë; kemi parajsë në embrion dhe lumturi në fillesat e saj.
11 maj, mbrëmje – Tregohu guximtar në shpirt

Dashuria e ngrohtë e Perëndisë tonë për shërbëtorët e Tij e bën atë të shqetësohet për ndjenjat e tyre të brendshme. Ai dëshiron që ata të jenë të guximshëm. Disa njerëzve u duket gjë e vogël që një besimtar të trazohet nga dyshimet dhe frikërat, por Perëndia nuk mendon kështu. Nga vargu në fjalë duket qartë se Mësuesit tonë nuk ia ka ënda që ne të zihemi rob nga frikërat. Ai do që të jetojmë pa shqetësime, pa dyshime dhe pa burracakëri. Ndryshe nga ne, Mësuesi ynë nuk e merr asnjëherë mosbesimin tonë si një gjë të parëndësishme. Kur na zë dëshpërimi, biem nën kthetrat e një sëmundjeje të rëndë, e cila nuk duhet nënvleftësuar, por përkundrazi, i duhet paraqitur pa humbur kohë Mjekut shumë të dashur.
11 maj, mëngjes – Është mirë

Oh, sa bukur është të ndriçohesh nga drita e diellit kur qiriu të jetë tretur! Përmbytja e errët shumë shpejt do të vërshojë ndërmjet teje dhe gjithçkaje që zotëron; prandaj, lidhe zemrën tënde me Atë që kurrë nuk do të të lërë; besoji Atij që do të ecë krah teje përmes rrjedhës së zezë dhe kanosëse të lumit të vdekjes, që do të të çojë të sigurt në bregun qiellor dhe që do të të bëjë të ulesh me Të në vendet qiellore për jetë e mot! Mes dhimbjeve të mundimit, thuaja të fshehtat e tua Mikut që është më i afërt se një vëlla! Besoja të gjitha shqetësimet e tua Atij, të cilin askush dhe asgjë nuk mund ta largojë dot prej teje, Atij që nuk do të të lërë asnjëherë dhe që kurrë nuk do të lërë që të largohesh prej Tij, “Jezu Krishtit që është i njëjtë dje, sot e përjetë” (Hebrenjve 13:8). “Unë jam me ju gjithë ditët”, kjo frazë më mjafton, që shpirti im të jetojë me anë të saj edhe sikur të gjithë të më braktisnin.