29 qershor, mbrëmje – Beso vetëm në Perëndinë

spurgeon dev 29 qershor pm

Prandaj le t’i thërrasim fort Perëndisë që të mos na braktisë kurrë. “Zot, të lutem mos më hiq Frymën tënde të Shenjtë! Mos na lër pa hirin Tënd që banon në zemrat tona! A nuk ke thënë Ti vallë: ‘Unë, ZOTI, e ruaj, e ujis çdo çast, e ruaj natën e ditën, që askush të mos e dëmtojë’ (Isaia 27:3)? Zot, na ruaj kudo ku ndodhemi! Na ruaj kur jemi në luginë, që të mos ankohemi duke folur nëpër dhëmbë kundër dorës Sate përulëse; na ruaj kur ndodhemi në majë të malit, që të mos na merren mendtë nga krenaria; na ruaj në rini kur i kemi të forta pasionet; na ruaj në pleqëri kur, duke u bërë krenarë për urtësinë tonë, mund të biem në marrëzi më të mëdha sesa ata që janë të rinj dhe mendjelehtë; na ruaj kur të jemi duke ndërruar jetë, me qëllim që mos të të mohojmë në çastet e fundit! Na ruaj në jetë, na ruaj në vdekje, na ruaj kur punojmë, na ruaj kur vuajmë, na ruaj kur luftojmë, na ruaj kur pushojmë, na ruaj gjithkund, sepse kudo kemi nevojë për Ty, o Perëndia ynë!”.

29 qershor, mëngjes – Të flesh në Jezusin

spurgeon dev 29 qershor am

Por çfarë është vallë ky gjumë? Ideja që lidhet me gjumin, është “prehja”, dhe ky është mendimi që dëshiron të na përcjellë Fryma e Perëndisë. Gjumi e kthen çdo natë në shabatin e ditës. Gjumi e mbyll fort portën e shpirtit dhe i lë pas dere të gjithë furacakët për pak kohë, me qëllim që jeta e brendshme të futet brenda kopshtit veror të çlodhjes. Besimtari i rropatur nga puna e lodhshme fle në paqe, porsi fëmija i pagjumë që dremit në gjirin e së ëmës.

28 qershor, mbrëmje – Fitorja i takon Perëndisë

spurgeon dev 28 qershor pm

Me dashuri entuziaste për Jezusin kapërcehet çdo vështirësi; sakrificat kthehen në kënaqësi dhe vuajtjet në nderime. Mirëpo, nëse besimi digjet si një pasion kaq i zjarrtë në zemër, atëherë del se ka shumë njerëz që thonë se e kanë besimin, por realisht nuk e kanë; pasi ajo që kanë, nuk do t’i rezistojë kësaj sprove. Ka ardhur çasti, lexues i dashur, që ta shqyrtosh veten. Bastuni i Aaronit e dëshmoi në praktikë fuqinë e tij të dhënë prej qiellit. A e bën të njëjtën gjë edhe besimi yt? Në qoftë se Krishti është diçka, Ai duhet të bëhet gjithçka. Mos gjej prehje derisa dashuria për Jezusin dhe besimi në Të të jenë dy pasionet kryesore të shpirtit tënd!

28 qershor, mëngjes – Shiko drejt Jezusit

spurgeon dev 28 qershor am

Thjesht mbaji sytë të ngulur vetëm tek Ai; sill vazhdimisht në mendje vdekjen, vuajtjet, meritat, lavditë dhe ndërmjetësimin e Tij. Kur të zgjohesh në mëngjes, drejtoji sytë tek Ai; kur të biesh të flesh natën, hidhe vështrimin drejt Tij! Mos i lër shpresat dhe frikërat e tua të ngrihen mes teje dhe Jezusit; ndiqe Atë me këmbëngulje, dhe Ai nuk do të të lërë kurrë në baltë!

27 qershor, mbrëmje – Cila është thirrja jote

spurgeon dev 27 qershor pm

Bëj kujdes, lexues i dashur, që të mos e braktisësh shtegun e detyrës duke e lënë profesionin tënd, dhe ruhu se mos e çnderon profesionin tënd gjatë ushtrimit të tij! Mos i jepni shumë rëndësi vetes, por mos i jepni pak rëndësi thirrjeve tuaja! Ungjilli mund ta shenjtërojë çdo profesion të ligjshëm për qëllimet më fisnike. Kthehu te Bibla, dhe do të shihni se format më të rëndomta të punës janë të lidhura me veprat më guximtare të besimit ose me njerëz, jetët e së cilëve kanë qenë shembuj të shenjtërisë.

27 qershor, mëngjes – Të bësh pazar si Faraoni

spurgeon dev 27 qershor am

Urtësia e kësaj bote rekomandon shtegun e kompromisit dhe flet për “maturi”. Sipas kësaj politike mishërore pranohet që dëlirësia është shumë e dëshirueshme, por po ashtu paralajmërohemi që të mos jemi shumë të përpiktë; natyrisht që e vërteta duhet ndjekur, por gabimi nuk duhet dënuar ashpër. “Po”, thotë bota: “kini mendje frymërore, pse jo, por mos ia mohoni vetes pak miqësi me botën, udhëtimin e habitshëm për në Panairin e Kotësisë. Ç’dobi sjell dënimi i këtij stili të kotë jete kur është kaq në modë dhe kur e bëjnë të gjithë!?”. Shumë nga ata që shpallin se janë besimtarë, bien pre e kësaj këshille dinake për të zezën e tyre të përjetshme.

26 qershor, mbrëmje – Çfarë të kënaq

spurgeon dev 26 qershor pm

Ti je shërbëtori i Perëndisë: sillu, pra, si i tillë! Ti je mbreti i Perëndisë: mbretëro, pra, mbi epshet e tua! Ti je i zgjedhuri i Perëndisë: mos u shoqëro me Satanin! Qielli është pjesa jote: jeto si një shpirt qiellor, sepse kështu do të provosh që ke besim të vërtetë në Jezusin, pasi nuk mund të kesh besim në zemër nëse nuk jeton një jetë vërtet të shenjtë.

26 qershor, mëngjes – Shqyrtoje veten

spurgeon dev 26 qershor am

Ruhuni nga dera e pasme e ferrit, o besimtarë! “Hetoni veten tuaj a jeni në besim” (2 e Korintasve 13:5)! Kushtojini vëmendje gjendjes suaj, për të parë nëse jeni në Krishtin ose jo. T’i japësh vetes nota të larta kur korrigjon detyrat e tua, është gjëja më e lehtë në botë. Por jini të vërtetë dhe të drejtë [në gjykimin tuaj]! Tregohuni të hirshëm me të gjithë, por jini të rreptë me veten! Kujtojini vetes se, nëse nuk po ndërtoni mbi shkëmb, shtëpia juaj do të bjerë! Oh, Zoti ju faltë sinqeritet, qëndrueshmëri dhe vendosmëri; por edhe mos ju lëntë që të përmbyseni në asnjë ditë, sado e ligë qoftë ajo!

25 qershor, mbrëmje – Gjetja e prehjes së vërtetë

spurgeon dev 25 qershor pm

Lexues, a mund të gjesh vallë prehje diku tjetër përveçse në arkën tënde, Krishtin Jezus? Atëherë dije mirë se besimi yt mund të jetë i kotë. Vallë, a je i kënaqur me ndonjë gjë më pak sesa njohja e bashkimit tënd me Krishtin dhe e interesit tënd në Të? Atëherë, mjerë ti! Në qoftë se me gojë shpall se je i krishterë, ndërkohë që kënaqësi të plotë të falin vetëm zbavitjet dhe dëfrimet e kësaj bote, atëherë besimi që shpall, ndoshta është i rremë. Në qoftë se shpirti yt mund të rehatohet në dhomat e mëkatit, duke gjetur shtratin e përshtatshëm dhe shtresa e mbulesa që bëjnë për të, atëherë je një hipokrit; je shumë larg mendimeve që i shkojnë për shtat Krishtit, dhe nuk ke një kuptim të qartë të vlerës së Tij të pamasë.

25 qershor, mëngjes – T’i ngjitesh një mali

spurgeon dev 25 qershor am

E këtillë është edhe jeta e krishterë. Kur sapo kemi besuar në Krishtin, shohim vetëm pak prej Tij. Sa më lart që ngjitemi, aq më shumë zbulojmë nga bukuria e Tij. Mirëpo, kush vallë ka mbërritur ndonjëherë deri në majë? Kush i ka njohur të gjitha lartësitë dhe thellësitë e dashurisë së Krishtit, të cilat ia tejkalojnë çdo njohurie? Pali, kur ishte mplakur e thinjur, dhe dridhej në një qeli burgu në Romë, mund të thoshte me më shumë patos sesa të gjithë ne: “E di kujt i kam besuar” (2 e Timoteut 1:12), sepse, për të, çdo përvojë kishte qenë si ngjitja e një kodre, çdo sprovë kishte qenë si ngjitja e një maje tjetër, ndërsa vdekja e tij ngjante me arritjen e majës së malit, nga i cili mund të shihte të gjithë panoramën e besnikërisë dhe dashurisë së Atij të cilit ia kishte besuar shpirtin e vet. Eja, miku im, dhe ngjitju përpjetë malit të lartë!