3 gusht, mbrëmje – Mirësi ekstravagante

spurgeon dev 03 gusht pm

Jezusi po kalonte përmes turmës për të vajtur te shtëpia e Jairit, që të mund të ringjallte bijën e vdekur të kryetarit të sinagogës. Mirëpo, Ai është kaq i mbushur me mirësi, saqë kryen një mrekulli tjetër gjatë rrugës për atje. Për shumicën prej nesh mjafton që të kemi një qëllim të caktuar dhe të shkojmë e ta realizojmë atë, pa i harxhuar në mënyrë impulsive energjitë tona gjatë rrugës. Nëse nxitojmë të shpëtojmë një shok që po na mbytet, nuk mund t’ia lejojmë vetes që ta harxhojmë fuqinë tonë duke i ardhur në ndihmë një personi tjetër, që gjendet në të njëjtin rrezik. Mjafton që një pemë të japë vetëm nga një lloj fryti, ndërsa një njeri të përmbushë thirrjen e tij të veçantë.

3 gusht, mëngjes – Drita e qiellit

spurgeon dev 03 gusht am

Drita është gjithashtu shkaku i bukurisë. Me venitjen e dritës, çdo bukuri e mundshme zhduket. Në mungesë të dritës, safirët pushojnë së vezulluari, margaritarët nuk rrezatojnë më paqësisht; dhe kështu, Jezusi është burimi parësor i bukurisë së shenjtorëve atje lart. Ashtu si planetët, edhe ata pasqyrojnë dritën e Diellit të Drejtësisë; ata jetojnë si rreze që dalin prej sferës qendrore. Nëse Ai do të tërhiqej, ata do të vdisnin; nëse lavdia e Tij do të mbulohej, lavdia e tyre do të zhdukej.

2 gusht, mbrëmje- Një e nga një

spurgeon dev 02 gusht pm

Ka ardhur koha të mësoj nga Ruthi, mbledhësja e kallinjve. Ashtu si doli ajo fushave të mblidhte kallinj gruri, kështu duhet të dal edhe unë fushave të lutjes, përsiatjes, mjeteve të hirit dhe dëgjimit të Fjalës, për të mbledhur ushqim frymëror. Mbledhësja e grumbullon pjesën e saj kalli më kalli; frytet e saj mblidhen pak nga pak: kështu edhe unë duhet të kënaqem duke i kërkuar të vërtetat një nga një, nëse ato janë të rralla. Çdo kalli ndihmon për të bërë një tufë, dhe çdo mësim i ungjillit na ndihmon duke na bërë të urtë për shpëtimin tonë.

2 gusht, mëngjes – Sipas vullnetit të Tij

spurgeon dev 02 gusht am

Besimi ynë në urtësinë e Perëndisë supozon dhe shtron nevojën për një plan dhe qëllim të caktuar të Perëndisë në veprën e shpëtimit. Çfarë do të kishte qenë vepra e krijimit pa projektin e Tij? A ekziston vallë ndonjë peshk në det apo shpend në qiell, krijimi i të cilit të jetë produkt i rastësisë? Jo, aspak; në çdo kockë dhe kyç, muskul dhe tejzë, gjendër dhe enë gjaku vëre praninë e Perëndisë që vepron në të gjitha gjërat sipas projektit të urtësisë së pakufishme. Dhe duke qenë se Perëndia është i pranishëm në krijim, duke sunduar mbi gjithçka, a nuk është Ai vallë i pranishëm edhe në veprat e hirit? A do të vazhdojë krijimi i ri të lëngojë nën zgjedhën tekanjoze të vullnetit të lirë kur këshilla hyjnore sundon mbi krijimin e vjetër? Pa shikoni pak provaninë!

1 gusht, mbrëmje – Zoti i të korrave

spurgeon dev 01 gusht pm

Mirëpo, ashtu si dielli në ditët e verës na gëzon me rrezet e tij më të ngrohta dhe më të ndritshme sesa në stinët e tjera, ashtu si lumenjtë fryhen nga shiu në stinë të caktuara, ashtu si vetë ajri ndonjëherë është i mbushur me puhi më të freskëta sesa në kohë të tjera, kështu ndodh edhe me mëshirën e Perëndisë; ajo ka orët e saj të arta, ditët e saj të bollëkut, kur Zoti e madhëron hirin e Tij përpara bijve të njerëzve. Ditët e hareshme të të korrave janë një periudhë e veçantë mbrothësie të jashtëzakonshme. Është për lavdinë e vjeshtës që frutat e provanisë janë me bollëk në atë stinë, sepse është stina e ëmbël kur shijojmë gjithçka që kishim shpresuar. E madhe është hareja e të korrave. Lum si korrësit që i mbushin krahët me bollëkun e qiellit!

1 gusht, mëngjes – Fusha e gjerë e premtimit

spurgeon dev 01 gusht am

I krishterë i trazuar dhe i vrarë shpirtërisht, eja sot dhe mblidh kallinj në fushën e gjerë të premtimit. Këtu do të gjesh premtime të vyera me shumicë, të cilat janë pikërisht ato që të nevojiten. Le të marrim këtë zotim: “Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym” (Isaia 42:3). Vallë, a nuk të ndihmon ky premtim? Një kallam, i pambrojtur, i parëndësishëm dhe i dobët, një kallam i thyer, prej të cilit nuk mund të dalë asnjë tingull muzikor; më i dobët sesa vetë dobësia—e megjithatë, Ai nuk do të të thyejë, por përkundrazi, do të të rimëkëmbë dhe do të të forcojë.

31 korrik, mbrëmje – Lavdëro Zotin

spurgeon dev 31 korrik pm

Zoti meriton të lavdërohet gjithmonë për atë që Ai është në Veten e Tij, për veprat e Tij të krijimit dhe të provanisë, për mirësinë e Tij ndaj krijesave të Veta, dhe veçanërisht për veprën e Tij të jashtëzakonshme të shpengimit, si dhe për të gjitha bekimet e tjera që rrjedhin prej saj. Bëjmë mirë ta lavdërojmë gjithnjë Zotin; lavdërime të tilla e bëjnë të hareshme ditën dhe e bëjnë dritë natën, lehtësojnë punën e lodhshme të ditës dhe zbusin pikëllimin; por edhe mbi gëzimin e kësaj bote derdhin një rrezatim shenjtërues, i cili e bën më të vështirë verbimin tonë prej shkëlqimit të tij. A nuk kemi vallë arsye për të thurur këngë në këtë çast? A nuk mund ta kompozojmë dot një këngë duke përdorur si burim frymëzimi gëzimet tona të tanishme ose çlirimet e së kaluarës, ose shpresat tona për të ardhmen? Toka jep frytet e saj verore: bari i thatë futet në plevicë, gruri i artë pret draprin dhe dielli e zgjat edhe ca kohën e tij të ndriçimit mbi tokën pjellore dhe e shkurton intervalin e natës, me qëllim që ne të mund të shtojmë orët e adhurimit të devotshëm. Falë dashurisë së Jezusit, le të nxitemi që ta mbyllim ditën me një psalm që rrezaton hare të shenjtëruar!

31 korrik, mëngjes – A po e shfrytëzon dobinë e Tij?

spurgeon dev 31 korrik am

Oh, sa të marrë do të ishim po qe se nuk do të kishim përbashkësi të përhershme me Të! Normalisht, nuk është për t’u habitur që miqtë takohen rrallë me njëri-tjetrin kur i ndan një udhë e gjatë, e rrezikshme dhe e vështirë, por kur ata jetojnë së bashku, a do ta harrojë vallë Jonathani Davidin e tij? Kur i shoqi niset për një udhëtim, një grua mund të rrijë për ditë të tëra pa biseduar me të, por ajo nuk do të mund ta duronte kurrë ndarjen prej tij po qe se do ta dinte se ai gjendej në një prej dhomave të vetë shtëpisë së saj. Përse vallë, o besimtar, nuk ulesh në gostinë e Tij të verës? Kërkoje Zotin tënd, sepse Ai gjendet afër; përqafoje Atë, sepse është yt Vëlla! Pushtoje fort, sepse është Bashkëshorti yt dhe shtrëngoje fort pas zemrës sate, sepse Ai është mish nga mishi yt.

30 korrik, mbrëmje – Një premtim i qëndrueshëm

spurgeon dev 30 korrik pm

Mirëpo, po sikur besimtari të mëkatojë edhe pas ardhjes te Zoti i tij? “…në qoftë se ndokush ka mëkatuar, kemi një avokat tek Ati, Jezu Krishtin, të drejtin” (1 e Gjonit 2:1). Po sikur besimtarët t’i kthehen sërish udhës së vjetër të mëkatit? “Unë do të shëroj shthurjen e tyre, do t’i dua me gjithë zemër, sepse zemërimi im u tërhoq prej tyre” (Osea 14:4). Por besimtarët mund të shtihen në ngasje! “…Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugëdalje, që ju të mund ta përballoni” (1 e Korintasve 10:13). Mirëpo, besimtari mund të bjerë në mëkat sikurse Davidi! Po, por Ai do ta [plotësojë lujtjen]: “Më pastro me hisop dhe do të jem i dëlirë; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora” (Psalmi 51:7).

30 korrik, mëngjes – Kujto rrëzimin dhe hirin

spurgeon dev 30 korrik am

Edhe neve, porsi Pjetrit, na kujtohet premtimi ynë mburracak: “Edhe sikur të gjithë të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem kurrë” (Mateu 26:33). Ne i hamë vetë fjalët tona me barishtet e hidhura të pendimit. Kur mendojmë për atë që ishim betuar se do të ishim dhe për atë që kemi qenë, mund të qajmë për orë të tëra për shkak të pikëllimit. Ai mendonte për mënyrën se si e kishte mohuar Zotin e vet—vendin ku e kreu atë gjë, shkakun e papërfillshëm që e shtyu të binte në një mëkat kaq të neveritshëm, betimet dhe blasfemitë me të cilat u përpoq ta vërtetonte gënjeshtrën e vet, dhe zemërngurtësinë e frikshme që e shtyu ta përsëriste disa herë një gënjeshtër të tillë. Si mundemi vallë të mbetemi kokëfortë dhe të palëkundur tek na kujtohen mëkatet tona dhe mëkatshmëria e tyre e pashembullt? A nuk do ta kthejmë vallë banesën tonë në një vend flijimi dhe t’i klithim Zotit për siguri të ripërtëritura të dashurisë falëse?