1 shtator, mbrëmje – E vërteta në çdo gjë

Ec në udhën e integritetit me besim dhe trego se je i pathyeshëm në fuqinë që vetëm besimi në Perëndinë ta fal! Kështu do të çlirohesh nga shqetësimet plot ankth; nuk do të trazohesh nga lajmet e këqija, dhe zemra jote do të bëhet e qëndrueshme, duke besuar në Zotin. Ç’kënaqësi është të lundrosh përgjatë burimit të provanisë! Nuk ka mënyrë jetese më të bekuar sesa një jetë e kaluar në varësinë e Perëndisë besëlidhjembajtës. Nuk kemi pse të shqetësohemi, sepse Ai kujdeset për ne; nuk na duhet t’i mbartim barrët e shqetësimit, sepse Ai na fton t’i hedhim ato mbi Të.
1 shtator, mëngjes – Udhëheqje hyjnore

O Perëndi, ne të bekojmë Ty, sepse mund t’i besojmë udhëheqjes Sate tani, dhe madje edhe deri në fund! Pas kësaj udhëheqjeje përgjatë gjithë jetës së vet, psalmisti pret një pranim hyjnor—“dhe do të më çosh pastaj në lavdi”. Çfarë mendimi i mrekullueshëm për ty, o besimtar! Vetë Perëndia do të të çojë në lavdi—ty dora vetë! Edhe pse je duke u endur, duke gabuar, duke humbur rrugën, prapëseprapë, Ai do të të shpjerë ty më së fundi në lavdi! Kjo është pjesa jote; jeto me anë të saj sot dhe, në të rrethofshin pështjellimet, shko me fuqinë e këtij vargu drejt e te froni!
31 gusht, mbrëmje – Ecja në dritë

Mirëpo, çfarë do të thotë shprehja që i krishteri duhet të ecë në dritë, sikurse Perëndia është në dritë? Mendojmë se ajo përcjell një ngjashmëri, por jo nivelin në të cilin ajo duhet arritur. Ne jemi po aq realisht në dritë, po aq me zemër në dritë, po aq sinqerisht në dritë, po aq ndershmërisht në dritë, ndonëse nuk mund të jemi të gjithë në të njëjtën masë në dritë. Unë nuk e ngre dot banesën në diell—ai është një vend tepër i shndritshëm për të qenë vendbanimi im, por unë mund të eci në dritën e diellit. Po kështu, megjithëse nuk mund ta arrij atë përsosmëri të dëlirësisë dhe të së vërtetës që i përket Zotit të ushtrive, për vetë natyrën e Tij si pafundësisht i mirë, prapëseprapë mund ta vë vazhdimisht Zotin përpara syve dhe të përpiqem që, me anë të ndihmës së Frymës që banon brenda meje, të përshtatem me shëmbëllimin e Tij.
31 gusht, mëngjes – I pasur në varfëri, i fortë në dobësi

Oh, besimtar i përplasur nga stuhia, e bekuar është vështirësia që të çon tek yt Atë! Meqë ke veç Perëndinë të cilit mund t’i besosh, sigurohu që ta vendosësh gjithë besimin tënd tek Ai. Mos e çndero Zotin dhe Mësuesin tënd me frikëra dhe dyshime të kota; por ji i fortë në besim, duke i dhënë lavdi Perëndisë! Tregoji botës se Perëndia yt vlen sa dhjetë mijë të tilla për ty! Tregoju pasanikëve se sa i pasur je në skamjen tënde kur Zoti Perëndi është Ai që të ndihmon! Tregoju të fortëve se sa i fuqishëm je në dobësinë tënde kur poshtë teje ndodhen krahët e përjetshëm!
30 gusht, mbrëmje – Doktori frymëror

Shpirti im, dije se ky Mjek i madh mund të të shërojë, cilado qoftë sëmundja që të ka zënë! Nëse Ai është Perëndi, fuqia e Tij nuk mund të ketë asnjë cak. Eja, pra, me syrin e verbër të kuptimit të errësuar; eja me këmbën çalamane të forcave të harxhuara; eja me dorën e thatë të besimit të dobët, ethet e temperamentit zemërak ose të ngjethurat e shkurajimit drithërues; eja ashtu siç je, sepse Ai që është Perëndi, me siguri që mund të të rimëkëmbë! Askush nuk mund ta ndalojë fuqinë shëruese që rrjedh nga Zoti ynë Jezus. Legjione të tëra djajsh kanë provuar që ta mposhtin fuqinë e Mjekut të dashur, por Ai nuk është vënë asnjëherë në pozitë të vështirë. Gjithë pacientët e Tij janë mjekuar në të kaluarën dhe do të mjekohen edhe në të ardhmen, madje edhe ti mund të jesh njëri prej tyre, miku im, nëse ia dorëzon veten Atij sonte.
30 gusht, mëngjes – Durim në mundime

Asnjëherë mos u anko duke murmuritur kundër shkaktarit dytësor, ashtu siç vepruan bijtë e Izraelit kundër Moisiut. Asnjëherë mos dëshiro të kthehesh te bota, por pranoje situatën ashtu siç është, dhe vendose atë ashtu siç është, thjesht dhe me gjithë zemër, pa asnjë qëllim egoist, në duart e Perëndisë tënd të besëlidhjes, duke thënë: “Tani, Zot, mos u bëftë vullneti im, por Yti. Nuk di se çfarë të bëj. Më janë shterur të gjitha fuqitë, por do të pres derisa t’i largosh ujërat e përmbytjes ose t’i shporrësh armiqtë e mi. Unë do të pres, edhe sikur Ti të më sprovosh për pak kohë, sepse zemra ime të takon vetëm ty, o Perëndi, dhe shpirti im të pret me ngulm, me sigurinë e plotë se Ti do të jesh sërish gëzimi dhe shpëtimi im, strehimi dhe kështjella ime e fortë.”
29 gusht, mbrëmje – Shpërblimi i të ecurit me kujdes

Përshtatja me botën, në çfarëdo shkalle qoftë, është një kurth për shpirtin dhe e bën atë gjithnjë e më të prirë për mëkate të vullnetit. Veç kësaj, nazireu që pinte lëng rrushi, nuk mund të ishte krejtësisht i sigurt nëse lëngu ishte fermentuar ose jo, dhe si rrjedhojë, kishte dyshime nëse e kishte shkelur ose jo zotimin. Në të njëjtën mënyrë, edhe i krishteri që dorëzohet dhe luhatet, nuk mund të ketë një ndërgjegje të qetë, por do të jetë vazhdimisht i vetëdijshëm për standardin e tij të dyfishtë. Nuk ka pse të shqetësohemi për gjërat e dyshimta, sepse ato janë të dëmshme për ne. Nuk duhet të luajmë me gjërat që na shtien në ngasje, por duhet t’ia mbathim sa më shpejt prej tyre. Më mirë të na përqeshin si puritanë, sesa të na përbuzin si hipokritë. Ecja e kujdesshme mund të kërkojë shumë vetëmohim, por kënaqësitë që vetëm ajo mund t’i falë, përbëjnë një shpërblim më se të mjaftueshëm.
29 gusht, mëngjes – Mëshirë për besimtarin

Kur njëri nga shërbëtorët e zgjedhur të Perëndisë, William Carey*, po vuante nga një sëmundje e rëndë, iu bë pyetja e mëposhtme: “Në qoftë se kjo sëmundje nga e cila po vuan do të sillte vdekjen tënde, çfarë pasazhi do të përzgjidhje për predikimin që do të mbahet në funeralin tënd?”. Ai u përgjigj: “Oh, unë mendoj se një krijesë e gjorë mëkatare si puna ime nuk është e denjë që të thuhet ndonjë fjalë e mirë rreth saj; por nëse do të mbahet ndonjë predikim në funeral, atëherë le të jetë prej këtyre fjalëve: “Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke, fshiji të ligat që kam bërë.”
28 gusht, mbrëmje – Shpresë në shterpësi

Këndo, besimtar, sepse kështu do të ngazëllosh zemrën tënde dhe zemrat e tjera të dëshpëruara! Vazhdo të këndosh, sepse megjithëse tani të vjen turp që je shterpë, shpejt do të bëhesh i frytshëm; tani që Perëndia të shtyn që ta urresh shterpësinë tënde, Ai shpejt do të të mbulojë me vile. Përjetimi i shterpësisë sonë është i dhimbshëm, por vizitat e Zotit janë të këndshme. Ndjesia e varfërisë sonë na shtyn te Krishti, dhe pikërisht atje duhet të qëndrojmë, sepse tek Ai gjendet fryti ynë.
28 gusht, mëngjes – Vaj dhe dritë nga Perëndia

Shpirti im, sa shumë të nevojitet ky vaj i shenjtë, sepse llamba jote shpejt do të shuhej nëse ai do të mbaronte! Fitili yt do të nxirrte tym dhe do të kthehej në një skandal po qe se nuk do të bënte më dritë, dhe sigurisht që do të fikej nëse do të të sosej vaji. Ti nuk ke një burim të vazhdueshëm vaji në natyrën tënde njerëzore, prandaj duhet të shkosh tek ata që merren me tregtinë e tij, dhe të blesh për vete, ose përndryshe, si ato virgjëreshat budallaqe, do të të duhet të klithësh: “Më është fikur llamba!”. Madje edhe llambat e shenjtëruara nuk bënin dot dritë pa vaj; edhe pse ndriçonin në tabernakull, ato kishin nevojë të mbusheshin; ndonëse mbi to nuk frynin erëra të forta, fitilat e tyre duheshin shkurtuar, dhe porsi llambat, edhe ty të nevojitet po aq shumë një shërbim i tillë. Edhe në rastin më të mirë, ti nuk mund të bësh dritë qoftë edhe për një orë tjetër po qe se nuk mbushesh me vajin e freskët të hirit.