26 dhjetor, mbrëmje – Gjithmonë i pranishëm

Kujtoji vetes se prania e Tij mund të shijohet. Premtimi i Tij është po aq i vërtetë sot, sa edhe përherë. Atij ia ka ënda të qëndrojë me ne. Në qoftë se nuk vjen, kjo ndodh sepse e pengojmë me indiferencën tonë. Ai do t’u zbulohet lutjeve tona të sinqerta dhe do të lejojë plot hir që përgjërimet tona dhe lotët tanë ta bëjnë atë të qëndrojë me ne, sepse këta janë zinxhirët e artë që e lidhin Jezusin me popullin e Tij.
26 dhjetor, mëngjes – Garanti dhe zëvendësuesi

Jezusi është kreu përfaqësues i popullit të Tij. Çdo trashëgimtar prej mishi dhe gjaku ka pjesë në Adamin, sepse ai është kreu i besëlidhjes dhe përfaqësuesi i gjithë racës njerëzore nga pikëpamja e ligjit të veprave; po ashtu, nga pikëpamja e ligjit të hirit, çdo shpirt i shpenguar është bërë njësh me Zotin qiellor, përderisa Ai është Adami i dytë, Garanti dhe Zëvendësuesi i të zgjedhurve në besëlidhjen e re të dashurisë.
25 dhjetor, mbrëmje – A ke mëkatuar sot?

Eja, o besimtar, e më thuaj se çfarë mëkati ke bërë sot? A mos vallë e ke harruar thirrjen tënde të lartë? A mos vallë edhe ti ke qenë si të tjerët në përdorimin e fjalëve të kota e bisedave të shthurura? Atëherë, rrëfeje mëkatin dhe rend drejt flijimit. Flijimi të shenjtëron. Gjaku i çmuar i Qengjit e largon fajin dhe na pastron nga ndotja e mëkateve tona të kryera në padije dhe në pakujdesi. Kjo është mënyra më e mirë për ta mbyllur ditën e Krishtlindjes—të lahesh sërish në burimin pastrues. Besimtar, eja vazhdimisht te ky flijim; nëse është i dobishëm sonte, do të jetë i tillë për çdo natë. Të jetuarit pranë altarit është privilegji i priftërisë mbretërore; për ta, mëkati, sado i madh qoftë, nuk është arsye për t’u dëshpëruar, duke qenë se mund t’i qasen sërish flisë mëkatshlyese, dhe kështu ndërgjegjja e tyre pastrohet nga veprat e vdekura.
25 dhjetor, mëngjes – Një ngjizje e mrekullueshme

Emanuel-Perëndia me ne në natyrën tonë, në pikëllimin tonë, në punët tona të përditshme, në ndëshkimin tonë, në vdekjen tonë dhe tashmë me ne, ose më saktë, ne me Të, në ringjalljen, ngjitjen, ngadhënjimin dhe shkëlqimin e ardhjes së Tij të dytë.
24 dhjetor, mbrëmje – Në anën e kujt je ti?

Ç’kënaqësi e madhe do të jetë në atë ditë që morëm pjesë në luftim dhe që ndihmuam për thyerjen e shigjetave të harkut dhe që u bëmë pjesë e fitores së Zotit tonë! Lum si ata që ia besojnë veten këtij Zoti ngadhënjimtar, dhe ata që luftojnë përkrah Tij, duke e bërë pjesën e tyre në emrin e Tij dhe me anë të fuqisë së Tij! Sa të trishtuar janë ata që mbajnë anën e së keqes! Ajo është një anë humbëse, dhe kjo është një luftë në të cilën ajo anë humbëse do të humbasë vërtet, dhe do të pësojë një humbje të përjetshme. Po ti, në anën e kujt je?
24 dhjetor, mëngjes – Ai u bë i varfër

Varfëria duhet pasuruar prej Atij në të cilin gjenden thesare të pafundme, përpara se të fillojë të ketë përbashkësi; dhe faji duhet të tretet mes drejtësisë së llogaritur dhe asaj të falur përpara se shpirti të mund të ecë në përbashkësi me dëlirësi. Jezusi duhet t’i veshë njerëzit e Tij me petkat e Veta, përndryshe nuk i pranon dot në pallatin e Tij të lavdisë; pra, duhet t’i lajë me gjakun e Tij, përndryshe, ata do të ishin tepër të fëlliqur për përqafimin e përbashkësisë së Tij.
23 dhjetor, mbrëmje – Të shohim Ty ballë për ballë

Zot, Ti nuk e lë fronin Tënd me të perënduar dielli, dhe as e lë botën që të bëhet preja e të ligut gjatë të gjitha atyre netëve të gjata dimërore! Sytë e Tu na vështrojmë ashtu si yjet, ndërsa krahët e Tu na rrethojnë ashtu si brezi i planetëve ngjesh qiellin. Dobia e gjumit të mirë dhe të gjitha ndikimet e hënës janë në dorën Tënde, dhe po ashtu të Tuat janë kushtrimet dhe solemnitetet e natës. Kjo është diçka shumë e bukur për mua tek eci gjatë orëve të mesnatës ose kur përpëlitem sa andej-këtej nga ankthi.
23 dhjetor, mëngjes – Shohim ballë për ballë

Ai do të shohë te Perëndia mirësinë e Tij më tepër sesa madhërinë e Tij, dhe më tepër prej dashurisë së Tij sesa prej madhështisë së Tij. Atëherë, shpirti do të bjerë përmbys po aq përulësisht, sa edhe më parë, dhe do të shijojë një liri më të shenjtë ndërmjetësimi; sepse duke rënë përmbys përpara lavdisë së Perëndisë të përjetshëm, do të mbështetet nga vetëdija përtëritëse e të qenët në prani të mëshirës së pamasë dhe dashurisë së pafund, si dhe nga kuptimi i të qenët i pëlqyer “në Të Dashurin” (Efesianëve 1:6). Kështu, besimtari ftohet të ngjitet më lart dhe aftësohet për të ushtruar privilegjin e ngazëllimit në Perëndinë dhe afrimit më pranë Atij me siguri të shenjtë, duke thirrur: “Aba, o Atë.”
22 dhjetor, mbrëmje – Ai kujdeset për delet e veta

Pra, në qoftë se besoj në emrin e Jezu Krishtit—domethënë, nëse thjesht ia besoj veten me gjithë zemër Shpengimtarit të kryqëzuar, por tani të lartësuar—unë jam një pjesëtar i familjes së Shumë të Lartit. Nëse e kam këtë, edhe sikur të më mungojë çdo gjë tjetër, kam privilegjin të bëhem një fëmijë i Perëndisë. Zoti Jezus e shpreh këtë në një mënyrë tjetër, tek thotë: “Delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.”
22 dhjetor, mëngjes – Si mundet vallë të të lërë në baltë?

Perëndia im, Ti që je forca ime, besoj se ky premtim do të përmbushet, sepse rezervuari i pamasë i hirit Tënd nuk mund të shterojë kurrë dhe depozitat vërshuese të hirit Tënd nuk mund të boshatisen nga miqtë e Tu ose të plaçkiten nga armiqtë e Tu!