23 tetor, mëngjes – E shkuara, e tashmja, e ardhmja

Sa i përket së ardhmes, a mund të tregosh qoftë edhe një arsye të vetme që mund të paraqitet, e cila do të të shtynte të ngrije krye kundër Tij ose të largoheshe nga radhët e ushtrisë së Tij për të shërbyer nën një komandant tjetër? Nuk mendoj se ka të tilla, sepse sado e gjatë që të jetë jeta, prapëseprapë nuk ka asnjë fije ndryshimi në Të. Në qoftë se jemi të varfër, ku ka më mirë sesa ta kemi Krishtin që na pasuron? Nëse jemi të sëmurë, ç’mund të kërkojmë më shumë veç Jezusit që na ngushëllon dhe na shëron? Kur të vdesim, a nuk është shkruar se “as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqitë dhe as gjërat e tashme, as gjërat e ardhshme… nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:38-39)! Prandaj themi bashkë me Pjetrin: “Zot, te kush të shkojmë?” (Gjoni 6:68).
22 tetor, mbrëmje – Puna zbatuese e Frymës

Dije mirë këtë, nëse vajton, Perëndia e ka për privilegj të fshijë çdo lot nga sytë e popullit të Tij. Samaritani i mirë nuk tha: “Ja ku e ke verën dhe ja ku e ke vajin”; ai, në fakt, e derdhi vajin dhe verën mbi plagët e të lënduarit. Po kështu, edhe Jezusi nuk të fal vetëm verën e ëmbël të premtimit, por e vendos kupën e artë mbi buzët e tua dhe e zbraz gjakun e jetës në gojën tënde. Shtegtari i gjorë, i sëmurë e i rraskapitur nga udha e gjatë, jo vetëm që forcohet për të vazhduar udhën, por edhe ngrihet mbi krahë shqiponjash. I lavdishmi Ungjill që siguron gjithçka për të dobëtit, që na afron pranë vetes kur nuk e arrijmë dot—na fal hirin përpara se ta kërkojmë atë! Ka po aq lavdi në dhuratën, sa edhe në mënyrën e dhënies së saj. Lum si ata njerëz të cilët e kanë Frymën e Shenjtë që ua sjell Jezusin shumë pranë!
22 tetor, mëngjes – Një vepër teologjie në miniaturë

Kjo fjali është një vepër teologjie në miniaturë. Kushdo që e rrok domethënien e saj, është një teolog i vërtetë, dhe kushdo që e ngërthen mbushullinë e saj, është një mësues i zoti! Kjo është, në fakt, përmbledhja e mesazhit të lavdishëm të shpëtimit që na u dha përmes Krishtit Jezus, Shpengimtarit tonë.
21 tetor, mbrëmje – Zëri i ëmbël i Jezusit

Besimtar, kape dhe shtrëngoje fort Fjalën hyjnore me një besim përvetësues vetjak! Përfytyro pak sikur po e dëgjon Jezusin të të thotë: “Unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket” (Luka 22:32). Përfytyroje sikur po e sheh tek ecën mbi ujërat e halleve dhe shqetësimeve të tua, sepse Ai është atje dhe po të thotë: “Jam unë, mos u frikëso!”. Këto janë fjalët e ëmbla të Krishtit! Dhëntë Fryma e Shenjtë që t’i përjetosh ato sikur po t’i thotë ty personalisht; pra, harroji për një çast të tjerët—merre zërin e Jezusit sikur po të drejtohet ty dhe thuaj: “Jezusi më pëshpërit fjalë ngushëllimi; nuk mund t’i refuzoj ato; do të ulem nën hijen e Tij me shumë dëshirë” (Shih Kënga e Këngëve 2:3).
21 tetor, mëngjes – Sa i madh është borxhi yt?

Mendo pak për dashurinë e Tij ndaj teje dhe si e dha Veten për ty! Vallë, a e njeh fuqinë e asaj dashurie? Atëherë, qoftë ajo si një erë e furishme që fryn brenda shpirtit tënd, për t’i shporrur retë e dashurisë sate për botën dhe për të larguar mjegullën e mëkatit! “Për hir të Krishtit”, qoftë kjo frazë gjuha e zjarrit që zbret e qëndron mbi ty! “Për hir të Krishtit”, qoftë ky ngazëllimi hyjnor, fuqizimi qiellor që të jep krahë të fluturosh mbi dheun, fryma hyjnore që do të të bëjë guximtar si luan dhe të shpejtë si shqiponjë në shërbim të Zotit tënd! Dashuria duhet t’i bëjë me krahë këmbët e shërbimit dhe duhet t’u japë fuqi krahëve të punës së lodhshme. Të rrënjosur në Perëndinë me qëndrueshmëri që nuk lëkundet, të vendosur për ta nderuar Atë me një zell që zor se tronditet, dhe tek çajmë përpara me pasion që nuk luhatet, le të bëhemi prova e gjallë e dashurisë që na shtrëngon në Jezusin! Na tërheqtë magneti hyjnor drejt vetë qiellit!
20 tetor, mbrëmje – Mos hezito
Mik i dashur, a je tashmë vallë i shpëtuar? Atëherë, shih se mos mbetesh prapa në të qëndruarit së bashku me popullin e Zotit! Mos i lër pas dore urdhërimet e pagëzimit dhe të Darkës së Zotit! Edhe pse mund të jesh natyrë e ndrojtur, duhet të luftosh kundër saj, nëse nuk do që të të çojë në mosbindje. Ekziston një premtim i bukur për ata që e rrëfejnë Krishtin—mos bëj gabim ta humbësh po qe se nuk do të biesh nën dënimin e atyre që e mohojnë Atë. Në qoftë se ke dhunti, mos i mbaj të papërdorura! Mos e grumbullo më kot pasurinë, mos e harxho keq kohën tënde; mos i lër aftësitë e tua të ndryshken ose ndikimin tënd pa e ushtruar! Jezusi nuk mbajti asgjë për vete; imitoje Atë, duke qenë i pari në radhën e vetëmohimeve dhe vetëflijimeve.
20 tetor, mëngjes – A po rritesh vallë?

Nëse duam të piqemi në hir, duhet të jetojmë pranë Jezusit—në praninë e Tij—të piqemi nga rrezatimi diellor i buzëqeshjeve të Tij. Lipset të kemi përbashkësi të ëmbël me Të. Boll qëndruam larg Tij, tani ka ardhur koha të ndjekim shembullin e Gjonit, pra, t’i afrohemi dhe ta mbështesim kokën mbi supin e Tij; vetëm atëherë do ta shohim se si do të përparojmë në shenjtëri, dashuri, besim dhe shpresë—madje në çdo dhuratë të vyer. Ashtu si dielli që fillimisht lind mbi majat e maleve dhe i lan ato me rrezet e Tij të praruara, duke nxjerrë përpara syve të udhëtarëve një nga pamjet më magjepsëse, po kështu, një nga soditjet më të këndshme në botë është të vëresh vezullimin frymëror mbi kryet e ndonjë shenjtori, i cili, njëlloj si Sauli, është rritur në shtat [frymëror] mbi bashkëbesimtarët e tij, derisa, si alpet madhështore të mbuluara me borë, ai i pasqyron rrezet e Diellit të Drejtësisë në mes të të zgjedhurve dhe e mban lart shkëlqimin e Tij vezullues që ta shohin të gjithë, dhe duke e parë, ta përlëvdojnë Atin e tij që është në qiell.
19 tetor, mbrëmje – Këngë prej Perëndisë

Kënga që këndoi Habakuku, tingujt e së cilës mbushën natën, ishte këngë hyjnore: “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem te ZOTI dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim” (Habakuku 3:17-18). Atëherë, meqenëse Krijuesi ynë edhe “natën na jep këngë gëzimi”, le të mbetemi në pritje të muzikës që do të na dërgojë Ai. O Kryemuzikanti ynë, mos na lër pa këngë në gojë për shkak të vuajtjeve me të cilat përballemi, por akordoji buzët tona sipas tingujve të melodisë së falënderimit!
19 tetor, mbrëmje – Këngë prej Perëndisë

Kënga që këndoi Habakuku, tingujt e së cilës mbushën natën, ishte këngë hyjnore: “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem te ZOTI dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim” (Habakuku 3:17-18). Atëherë, meqenëse Krijuesi ynë edhe “natën na jep këngë gëzimi”, le të mbetemi në pritje të muzikës që do të na dërgojë Ai. O Kryemuzikanti ynë, mos na lër pa këngë në gojë për shkak të vuajtjeve me të cilat përballemi, por akordoji buzët tona sipas tingujve të melodisë së falënderimit!
19 tetor, mëngjes – Barabar me të krishterin më të fortë

Ti je si një kandil që nxjerr tym; një njeri zemërgur do të thoshte: “Fikeni atë kandil që nxjerr tym, se na e mbushi dhomën me erë të qelbur!”. Mirëpo, Ai nuk do ta fikë kandilin që nxjerr tym. Duke qenë se je si një kallam i përkulur, një dorë tjetër më pak delikate nga ajo e Dirigjentit tonë të orkestrës do të të këpuste ose do të të hidhte tutje, por Ai nuk do ta thyejë kurrë kallamin e përkulur. Në vend që të trishtohesh e zymtohesh për shkak të asaj se kush je, duhet të ngazëllehesh në Krishtin. A nuk jam unë më i vogli dhe më i dobëti në mes të shoqërisë së panumërt të besimtarëve? Megjithatë, në Krishtin, mua më vënë të ulem në vendet qiellore. Vallë, a jam i dobët në besim? Megjithatë, në Jezusin, jam trashëgimtari i të gjitha gjërave. Nuk kam pse të mburrem për asgjë, apo ta lartësoj veten; por, madje edhe si një foshnjë në Krishtin, do të gëzohem në Zotin dhe do të lëvdohem në Perëndinë e shpëtimit tim.