Daniel Timmer
Dëshira e thellë e Habakukut për drejtësi nderuese ndaj Perëndisë dhe reagimi i tij i fortë negativ ndaj mungesës së saj e bëjnë këtë një libër shumë interesant për lexuesit bashkëkohorë. Siç jemi ashtu të përmbytur prej lajmeve dhe pamjeve tronditëse që vijnë nga mbarë bota, madhësia e jashtëzakonshme e këtij problemi do të na dërmonte nëse nuk e shohim atë nga këndvështrimi i ungjillit. Veç kësaj, vetëdija e Habakukut për të metat e tij morale dhe ato të bashkëvendësve të tij tregojnë se problemi i mëkatit është thellësisht i rrënjosur në natyrën njerëzore, dhe kjo na përfshin ne të gjithë. Mirëpo, pavarësisht nga fakti se sa e rëndë ishte situata në Judë dhe përtej kufijve të saj, përgjigjet e Perëndisë ndaj lutjeve plot pezëm[1] të profetit e kalojnë atë nga një gjendje dyshimi dhe dëshpërimi në një gjendje besimi të fortë dhe gëzimi, pavarësisht se asgjë nuk kishte ndryshuar në Judë apo jashtë vendit.
Tri elemente të këtij libri të shkurtër dalin në pah si për rolin që luajnë në ndryshimin e drejtimit frymëror të profetit, ashtu edhe për potencialin që kanë për të drejtuar qëndrimet, veprimet dhe pritshmëritë tona në një botë që duket po aq e dalë nga binarët dhe vetëshkatërruese, sa edhe Lindja e Afërme në shekullin VII para Krishtit.
1. Perëndia nuk mban qëndrim moskokëçarës ndaj padrejtësive në Judë.
Kjo e vërtetë përbën një përgënjeshtrim të drejtpërdrejtë të asaj që në dukje ishte teza e Habakukut në fillim të librit. Ai nuk shkon aq larg sa ta akuzojë Zotin për padrejtësi, por po qe se Zoti nuk bën diçka, ky përfundim duket i pashmangshëm (Habakuku 1:2-4). Përgjigjja që i jep Zoti profetit është e durueshme dhe mësimdhënëse. Përkushtimi i Tij për ta gjykuar Judën mëkatare (shqetësimi fillestar i Habakukut) tregon se fakti që Ai ka një përkushtim besëlidhjeje ndaj popullit të Vet, nuk i ruan ata nga pasojat e mëkatit. Zoti nuk mban qëndrim moskokëçarës ndaj padrejtësive.
Mirëpo, kur Zoti i zbulon profetit se Ai do t’i përdorë babilonasit për të ndëshkuar Judën, Habakuku mbetet sidoqoftë i hutuar. Duke e marrë të mirëqenë se Juda është “më e drejtë” se Babilonia (Habakuku 1:13), profeti lë të kuptohet se, nëse Zoti do ta lejonte këtë, do të ishte njëlloj sikur të toleronte të keqen (Habakuku 1:13).
2. Perëndia nuk mban qëndrim moskokëçarës ndaj padrejtësive në Babiloni.
Përgjigjja e gjatë e Perëndisë ndaj akuzave të Habakukut në kapitullin 2 demonstron se Zoti është plotësisht i vetëdijshëm për fajin e Babilonisë, madje që më përpara se ta sulmonte Judën. Perëndia i paraqet hollësisht krenarinë, dhunën dhe vetëlëvdimin e thellë, të cilat e bënë perandorinë babilonase që të vinte nën sundimin e saj një pjesë të madhe të Lindjes së Afërme. Siç e përmbledh Habakuku 2:5, perandoria babilonase dënohet për plaçkitjen e dhunshme të kombeve të tjera për pasurimin e vetes (Habakuku 2:6-13) dhe përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme në dispozicionin e vet për të marrë atë çka donte prej kombeve të tjera (Habakuku 2:15-17), ndërkohë që ia kushtonte suksesin e saj perëndive të rreme që ata si popull adhuronin (Habakuku 2:18-19).
Përkundër projektit të Babilonisë për sundim botëror, Zoti shpall se një gjykim i tmerrshëm po gatitet të bjerë mbi perandorinë. Mirëpo, ndërhyrja e Perëndisë do të arrijë shumë më tepër, sesa ta bëjë Babiloninë që të paguajë për mëkatet e saj, duke u marrë kështu edhe me shqetësimin e dytë të Habakukut. Perëndia nuk premton asgjë më pak sesa vendosjen e sundimit të Tij shpëtues në mbarë botën, në mënyrë që toka të mbushet me njohurinë e Tij (Habakuku 2:14). Kjo na çon në elementin e tretë të përgjigjes së Perëndisë dhënë Habakukut.
3. Besimi në Perëndinë sjell paqe dhe të çon në jetë.
Edhe para se Perëndia ta zbërthente premtimin e dhënë te Habakuku 2:14 e veçanërisht te kapitulli 3, duke treguar kështu se drejtësia e Tij e përsosur dhe hiri i Tij i mahnitshëm do t’i ndëshkojnë mëkatarët dhe do ta heqin mëkatin një herë e përgjithmonë (Habakuku 3:3-15), premtimi hyjnor për drejtësi të plotë dhe shpëtim ka filluar ta riorientojë profetin (Habakuku 3:2). Ky riorientim plotësohet nga vizioni i guximshëm i ardhjes së Zotit për të shpëtuar dhe për të gjykuar, dhe gjendet në vijim.
Dy pasoja të mesazhit se Zoti do ta gjykonte plotësisht mëkatin dhe do ta shpëtonte plotësisht popullin e Tij janë posaçërisht të rëndësishme për Habakukun dhe lexuesit e tij. Së pari, kjo e vërtetë depërton thellë në zemrën e Habakukut dhe sjell një transformim të plotë të këndvështrimit të tij jetësor. Nervozizmi dhe dyshimi zëvendësohen nga besimi i qetë që i zë besë fjalës së Perëndisë dhe sheh përmes besimit pastrimin dhe përsosjen e gjithë krijimit. Duke pasur këtë gjendje të re zemre dhe mendjeje, profeti mund të presë me durim që Zoti t’i përmbushë premtimet e Tij në mënyrën dhe kohën që Ai i ka caktuar në mënyrë sovrane.
Së dyti, drejtësia shpenguese dhe shpëtuese që Perëndia do t’u sjellë atyre që i zënë besë premtimeve të Tij të hirshme (Habakuku 2:4) të çon në jetë. Gjuha në ngritje e kapitullit 3 paraqet ndërhyrjen shpëtuese të Perëndisë si një eksod i dytë që e çliron popullin e Perëndisë jo edhe aq nga kthetrat e Babilonisë, por më tepër prej dënimit dhe skllavërisë që vjen si pasojë e mëkatit të tyre. Kjo gjë është e mundur vetëm përmes Mesias (Habakuku 3:13), të cilin Perëndia e dërgoi të vuante në vend të popullit të Tij dhe e lartësoi duke e ngjallur prej të vdekurve (Veprat e Apostujve 17:3).
Mesazhi i Habakukut përbën përgjigjen përfundimtare ndaj problemit të mëkatit që kaq shumë e shqetësonte profetin. Jeta, vdekja dhe ringjallja e Jezu Krishtit zbulojnë si sigurinë e fitores përfundimtare të Perëndisë mbi të ligën, ashtu edhe mundësinë e shpëtimit përmes Mesias së Tij. Duke pasur parasysh këto të vërteta, mund ta kremtojmë durimin e Perëndisë që nuk e dërgon ende gjykimin, dhe kështu të bëjmë maksimumin për ta çuar ungjillin deri në skajet e dheut përpara se Ai të kthehet (II e Pjetrit 3:9).
[1] Pezmatim. (Shënim i redaktores.)
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-habakkuk
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina