George Grant

Profecia e Mikeas është e gjashta ndër dymbëdhjetë profetët e vegjël. Tri orakujt e tij (Mikea 1:2–2:13; 3:1–5:15; 6:1–7:20) parathanë gjykimin e Zotit mbi mbretërinë veriore të Izraelit, qortuan padrejtësitë mbizotëruese në mbretërinë e begatshme jugore të Judës, si dhe shpallën shpresën e Mesias së premtuar që do të vinte.

1. Mikea ishte një bashkëkohës i Isaias dhe Oseas dhe bashkëndante mesazhin e tyre duke i bërë thirrje për pendim Izraelit.

Mikea shërbeu gjatë gjysmës së dytë të shekullit të tetë para Krishtit, gjatë mbretërimit të Jothamit, Ashazit dhe Ezekisë, një brez pas profetëve Amos dhe Jona. Ato qenë kohë të rrëmujshme. Mbreti asirian Shalmaneser kishte plaçkitur Samarinë, kishte pushtuar Izraelin dhe kishte kërcënuar Judën. Të pasurit shtypnin të varfrit. Korrupsioni politik, rënia kulturore dhe kriza frymërore ishin në kulmin e tyre. Ashtu si gjithë profetët e tjerë edhe Mikea, Isaia dhe Osea bashkëndanin të njëjtin mesazh, duke i bërë thirrje për pendim popullit të zgjedhur të Perëndisë. Njëlloj si me Zakarinë, qëllimi i mesazhit të tij ishte që të shpallte fjalët, statutet dhe urdhërimet e Zotit, me qëllim që populli të kapej në befasi dhe të pendohej (Zakaria 1:6). Njëlloj si me Joelin, qëllimi i mesazhit ishte i tillë që ata duhet të visheshin me thasë dhe të vajtonin (Joeli 1:13). Njëlloj si me Ezekielin, qëllimi i mesazhit ishte që ata të pendoheshin dhe të hiqnin dorë nga të gjitha shkeljet e tyre, me qëllim që paudhësia të mos kthehej në një gur pengese për ta (Ezekieli 18:30). Ky është refreni i vazhdueshëm i shpresës te librat profetikë:

“Sioni do të shpengohet me anë të së drejtës

dhe ata që do të pendohen me anë të drejtësisë” (Isaia 1:27)

Natyrisht, mesazhi i pendimit që shpallte Mikea, nuk ishte saktësisht një mesazh i mirëpritur, edhe pse ishte një refren shprese. Nuk ishte në ditët e profetëve dhe nuk është as sot.

2. Për shkak të rezistencës së izraelitëve ndaj mesazhit të pendimit, profetët shpesh merrnin rolin e “prokurorëve të akuzës” të Perëndisë.

Nganjëherë roli prej prokurori i profetëve shprehej qartë, siç ndodh në profecinë e Mikeas (Mikea 6:1-8). Aty vihen re të gjitha elementet e një skene dramatike në një sallë gjyqi, ku Zoti paraqet akuzat kundër popullit të Tij të zgjedhur. Çështja paraqitet nga vetë dhoma e fronit e qiellit (Mikea 6:1). Gjithë krijimi i gjallë, që nga malet dhe kodrat dhe deri tek themelet e tokës, thirret që të dëgjojë provat dhe të japë dëshmi (Mikea 6:2). Prokurori më pas paraqet provat (Mikea 6:3-5) dhe i pandehuri shqyrton mundësinë e një kërkese për pranimin e fajësisë (Mikea 6:6-7). Njerëzit e “kishin lodhur” Zotin (Mikea 6:3). Kështu që akuza kundër tyre ishte shumë e rëndë: mosbesnikëri. Akuza bazohej në katër ngjarje të marra nga historia e shpengimit të njerëzve. I pari ishte shpëtimi i tyre dramatik nga skllavëria e Egjiptit (Mikea 6:4). I dyti kishte të bënte me daljen e udhëheqësve të perëndishëm, sikurse Moisiu, Aaroni dhe Miriami, gjatë endjeve nëpër shkretëtirë (Mikea 6:4). I treti ishte anulimi i mallkimeve të Balaamit teksa ata po bëheshin gati të hynin në tokën e premtuar ku rridhte qumësht e mjaltë (Mikea 6:5). Së fundi, i katërti ishte kapërcimi i shumëpritur i Jordanit, sepse Shitimi ishte kampi i fundit në bregun lindor, ndërsa Gilgali ishte kampi i parë në bregun e tij perëndimor (Mikea 6:5).

Në secilin rast, Perëndia e kishte demonstruar në praktikë besnikërinë e Tij të besëlidhjes. Në provaninë e Tij të mirë, Ai e kishte bërë popullin të kapërcente çdo rrezik dhe kishte plotësuar çdo nevojë të tij. Mirëpo, njerëzit kishin dështuar që të përgjigjeshin ashtu si duhet. Dashuria e tyre ishte ftohur tashmë.

Vini re se të pandehurit e kishin pranuar me shumë dëshirë fajësinë e tyre, por po përpiqeshin të ulnin dënimin. Mbase përmes holokausteve? Mbase përmes viçave motakë? Apo mijërave të deshve? Apo dhjetëra mijërave lumenjve të vajit të ullirit? Apo madje edhe përmes të parëlindurve ndër bijtë e tyre (Mikea 6:6-7)? Jo, kjo nuk ishte e thënë, sepse Mbreti, Gjykatësi dhe Ligjvënësi përgjigjet duke thënë se kërkonte diçka shumë më të madhe e më të çmuar sesa të gjitha këto gjëra. Ai nuk kërkon dhuratë, përkundrazi, ai kërkon një dhurues:

O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë;

dhe çfarë tjetër kërkon ZOTI nga ti,

përveçse të zbatosh drejtësinë,

të duash mëshirën

dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd? (Mikea 6:8)

Thirrja për pendim që bëhet këtu është e qartë si kristali. Atëherë nuk është për t’u çuditur që Jezusi më pas do t’i përmblidhte “gjërat më të rëndësishme të ligjit” duke përsëritur trininë e virtyteve të profetit: drejtësia, mëshira dhe përulësia (Mateu 23:23), duke u bërë kështu thirrje skribëve dhe farisenjve që të pendoheshin. Fatkeqësisht, ata nuk e pranuan këtë thirrje më mirë sesa etërit e tyre. Kështu që Ai “erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan” (Gjoni 1:11). Mirëpo, pikërisht te pendimi i përulur e gjejmë rrugën tonë për t’u kthyer te shërimi dhe shpresa. Pikërisht në saje të pendimit aftësohemi që ta dëgjojmë mesazhin e hirit.

3. Mesazhi i hirit shpallet po aq qartë sa edhe paralajmërimi i gjykimit dhe thirrja për pendim.

Profecia e Mikeas ushton nga shpresa e shpengimit dhe rivendosjes. Si Isaia ashtu edhe Jeremia e citojnë Mikean për të përsëritur premtimin e tij profetik se, megjithëse “Sioni do të lërohet si një arë” dhe se “Jerusalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash”, prapëseprapë “në kohët e fundit”, “mali i Shtëpisë së ZOTIT do të vendoset” dhe “do të vijnë shumë kombe” (Isaia 2:2-4; Jeremia 26:17-19; Mikea 3:12–4:3). Mateu e citon Mikean teksa shpall ardhjen e Mesias nga Bethlehemi, “madhërinë e emrit të ZOTIT” dhe sundimtarin i cili “do të baritojë popullin” e Perëndisë (Mateu 2:6; Mikea 5:2-4). Luka po ashtu e citon atë (Luka 12:53; Mikea 7:6 dhe Luka 11:42-43; Mikea 6:8), duke e themeluar kështu shpalljen e lajmit të mirë përmes gjuhës që përdor profeti.

I marrë në tërësinë e vet, mesazhi i Mikeas është një shpallje e fuqishme e madhështisë së sovranitetit të Perëndisë, natyrës së padhunueshme të besëlidhjes së Perëndisë, sigurisë së drejtësisë së Perëndisë, si dhe mrekullisë së hirit të bollshëm të Perëndisë.

Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-micah

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Vilma Dina