Ngazëllo, o shterpë.

Isaia 54:1

Ndonëse mund të kemi dhënë ca fryte dhe kemi një shpresë të gëzueshme se po qëndrojmë në hardhi, prapëseprapë, ka raste kur ndihemi sikur të ishim shterpë kokë e këmbë. Lutja është e pajetë, dashuria është e ftohtë, besimi është i dobët, çdo hir në kopshtin e zemrës sonë vyshket dhe var kokën. Ne jemi si lulet nën diellin e nxehtë, të cilat kanë dëshpërimisht nevojë për shiun freskues. Mirëpo, ç’duhet bërë nëse biem në një gjendje të tillë? Vargu i mësipërm na drejtohet pikërisht neve kur jemi në një gjendje të tillë. “Ngazëllo, o shterpë… Shpërthe në britma të larta gëzimi.” Mirëpo, për çfarë mund të këndoj? Nuk mund të këndoj për të tashmen dhe madje edhe e kaluara duket e mbushur me shterpësi, por mund t’i këndoj Jezu Krishtit. Mund të këndoj për vizitat që më ka bërë Shpëtimtari im në të shkuarën; ose nëse nuk mund të këndoj dot për këto, mund të lartësoj dashurinë e madhe, me të cilën Ai e deshi popullin e Vet, përderisa zbriti prej lartësive të qiellit për shpengimin e tij.

Do të kthehem sërish te kryqi. Eja, shpirti im, sa i ngarkuar ishe dikur dhe pikërisht atje e humbe atë barrë të rëndë! Shko sërish në Golgotë! Mbase pikërisht i njëjti kryq që të dha jetë, mund të të bëjë sërish të frytshëm. Mirëpo, ç’është shterpësia ime? Është platforma ku shfaqet fuqia e Tij që sjell frytshmëri. Ç’është shkretimi im? Është sfondi i zi për safirin e dashurisë së Tij të përjetshme. Do të shkoj tek Ai me gjithë skamjen, paaftësinë, turpin dhe besëprerjen time; do t’i them se, prapëseprapë, jam fëmija i Tij, dhe duke pasur besim në zemrën e Tij besnike, madje edhe unë, shterpi, do të këndoj dhe do të shpërthej me britma të larta gëzimi.

Këndo, besimtar, sepse kështu do të ngazëllosh zemrën tënde dhe zemrat e tjera të dëshpëruara! Vazhdo të këndosh, sepse megjithëse tani të vjen turp që je shterpë, shpejt do të bëhesh i frytshëm; tani që Perëndia të shtyn që ta urresh shterpësinë tënde, Ai shpejt do të të mbulojë me vile. Përjetimi i shterpësisë sonë është i dhimbshëm, por vizitat e Zotit janë të këndshme. Ndjesia e varfërisë sonë na shtyn te Krishti, dhe pikërisht atje duhet të qëndrojmë, sepse tek Ai gjendet fryti ynë.

Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023