Të thirrurve që u shenjtëruan në Perëndinë Atë dhe të mbajtur në Jezu Krishtin.

Juda 1:1

Të shenjtëruarve në Krishtin Jezus.

1 e Korintasve 1:2

Me anë të shenjtërimit të Frymës.

1 e Pjetrit 1:2

Vini re bashkëveprimin e Tre Personave të Hyjnisë në të gjitha veprat e Tyre të hirit. Sa të marrë janë ata besimtarë që shprehin parapëlqime në lidhje me Personat e Trinisë dhe që e shohin Jezusin si mishërimin e çdo gjëje të bukur dhe të hirshme, ndërsa Atin si rreptësisht të drejtë dhe të zhveshur nga çdo lloj mirësie. Po aq të gabuar janë ata që e madhërojnë dekretin e Atit dhe shlyerjen e Birit, por që e nënvleftësojnë veprën e Frymës.

Asnjë nga personat e Trinisë nuk vepron ndarazi nga të tjerët kur vjen puna për veprat e hirit. Ata janë po aq të njësuar në veprat e Tyre, sa edhe në thelbin e Tyre. Ata janë një në dashurinë e Tyre ndaj të zgjedhurve, dhe të pandashëm në veprat që rrjedhin prej atij kryeburimi madhështor.

Vëreje një gjë të tillë posaçërisht në veprën e shenjtërimit. Edhe pse nuk gabojmë aspak kur flasim për shenjtërimin si për veprën e Frymës, prapëseprapë, duhet të bëjmë kujdes që të mos mendojmë se Ati dhe Biri nuk kanë fare pjesë në këtë vepër. Është e drejtë të flasim për shenjtërimin si për veprën e Atit, Birit dhe Frymës. Megjithatë, Perëndia thotë: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë” (Zanafilla 1:26), pra, ne jemi “vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” (Efesianëve 2:10).

Shih, pra, vlerën që i jep Perëndia shenjtërisë së vërtetë, meqenëse të Tre Personat e Trinisë paraqiten si bashkëpunëtorë në veprën për krijimin e një Kishe pa “njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë” (Efesianëve 5:27). Dhe ti, o besimtar, si dishepull i Krishtit që je, duhet që ta vlerësosh lart shenjtërinë, jetën e dëlirë dhe të folurin e perëndishëm! Vlerësoje gjakun e Krishtit si themelin e shpresës sate, por mos fol asnjëherë me shpërfillje për veprën e Frymës! Le të jetojmë sot në një mënyrë të tillë që ta shfaqim veprën e Perëndisë Triun në ne!

Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023