Në të vërtetë shumë njerëz ranë të vrarë, sepse këtë luftë e kishte dashur Perëndia.
1 i Kronikave 5:22
O luftëtar, teksa lufton nën flamurin e Zotit Jezus, zbatoje vargun e mësipërm me gëzim të shenjtë, sepse bëmat e kohëve të lashta përsëriten edhe sot e kësaj dite! Në qoftë se luftën e do vetë Perëndia, atëherë fitorja është e sigurt. Ushtria e Perëndisë mezi u bë dyzet e pesë mijë burra trima, e megjithatë, në betejën e tyre me armikun, ata zunë rob “njëqind mijë njerëz”, “sepse gjatë betejës i thirrën Perëndisë, që e dëgjoi lutjen e tyre, duke qenë se ata kishin pasur besim tek ai”.
Zoti nuk shpëton me shumë dhe as me pak. Është detyra jonë të dalim në betejë në emër të Jahveh-ut, edhe pse mund të jemi vetëm një grusht burrash, sepse Zoti i Ushtrive është me ne si Komandanti ynë. Ata nuk qenë të pakujdeshëm që të mos armatoseshin [përpara se të dilnin në betejë], por as nuk e vunë besimin e tyre tek armët; ne duhet të përdorim të gjitha mjetet e përshtatshme, por besimi ynë duhet t’i takojë vetëm Zotit tonë, sepse Ai është shpata dhe mburoja e popullit të Vet. Arsyeja e vërtetë për suksesin e tyre të jashtëzakonshëm qëndronte në faktin se “këtë luftë e kishte dashur Perëndia”.
Shumë i dashur, kur lufton me mëkatin brenda dhe jashtë teje, me gabimet doktrinare ose praktike, me mbrapshtinë frymërore në vendet e larta dhe të ulëta, me djajtë dhe me aleatët e djallit, dije se po lufton luftën e Jahve-ut, dhe përderisa askush nuk mund ta mposhtë Atë, nuk ke përse t’i druhesh disfatës. Prandaj, mos të të bëjë syri tërr përpara armiqve të panumërt, mos u zmbraps përpara vështirësive dhe sfidave në dukje të pamundura; mos e lësho veten përpara plagëve apo vdekjes; godit me shpatën dytehëshe të Frymës së Shenjtë dhe të vrarët do të mblidhen kapicë përreth teje!
Beteja i takon Zotit, dhe Ai do të na i dorëzojë armiqtë në duar. Me këmbë të qëndrueshme, krahë të fortë, sypatrembur dhe me zell të zjarrtë, nxito drejt mejdanit, dhe ushtritë e të ligut do t’ia mbathin nga sytë këmbët kur të të shohin.
Çohu! Për Jezusin, çohu!Lufta nuk e ka të gjatë;Sot e betejës zhurmë,Nesër e fitores këngë:Ai që ngadhënjenNjë kurorë jete do të marrë; Dhe me Mbretin e lavdisëDo mbretërojë përngaherë.
Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© dritez.al 2023