Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte.

Gjoni 5:13

Vitet kalojnë shpejt për njerëzit e lumtur e të shëndetshëm; por tridhjetë e tetë vite lëngate duhet të kenë qenë tepër të gjata për jetën e këtij të sëmuri të gjorë. Prandaj, kur Jezusi e shëroi me një fjalë [të vetme], teksa dergjej pranë pellgut të Betesdës, i paralizuari e përjetoi me hare ndryshimin që ndodhi. Po ashtu, edhe mëkatari që për muaj e vite me radhë ka qenë i paralizuar në dëshpërim dhe ka psherëtirë i kapitur [me etje] për shpëtim, është më se i vetëdijshëm për ndryshimin [që ndodh] kur Zoti Jezus shpall Fjalën e fuqisë dhe fal gëzim e paqe përmes besimit. E keqja që u largua, ishte tepër e madhe për të mos u vënë re; jeta e përçuar është kaq e jashtëzakonshme, sa vështirë të mbetemi pasivë pas marrjes së saj, ndërsa ndryshimi [që ka ndodhur] është kaq i mrekullueshëm për të mos u dalluar.

E megjithatë, ai njeri i gjorë nuk e njihte autorin e shërimit të tij; ai nuk e njihte këtë person, as rolin që ai luajti, ose planin që e kishte sjellë mes njerëzve. Mirëpo, edhe zemrat e atyre që e përjetojnë fuqinë e gjakut të Tij, mund të mbeten ende të paditura për rrugët e Tij. Nuk duhet t’i dënojmë nxitimthi njerëzit për mungesë njohurie; por atje ku dallojmë besimin që shpëton shpirtin, duhet të besojmë se shpëtimi është dhënë. Fryma e Shenjtë i bën njerëzit të penduar shumë më përpara se t’i bëjë ata shërbëtorë; dhe ai që e beson atë që di, shumë shpejt do ta njohë më qartë atë se çfarë beson.

Megjithatë, padija është një gjë e keqe; sepse ky njeri i gjorë u vu në një situatë shumë të vështirë nga farisenjtë, dhe nuk qe aspak i aftë të përballej me ta. Është mirë të jemi në gjendje që t’u përgjigjemi kritikëve tanë; por nuk mund ta bëjmë dot një gjë të tillë pa e njohur qartë dhe në mënyrë të kuptueshme Zotin Jezus. Mirëpo, shërimi i padijes së tij ndodhi fill pas shërimit të tij nga sëmundja, sepse erdhi dhe e vizitoi Zoti në tempull; dhe pas asaj bisede të hirshme, shpejt filloi t’u dëshmonte të gjithëve se “Jezusi ishte ai që e shëroi”. Zot, nëse Ti më ke shpëtuar, m’u shfaq, me qëllim që të Të shpall përpara bijve të njerëzve!

Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023