Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde.
Psalmi 51:14
Është gjë e dobishme ta shohësh Davidin tek e shpall haptazi mëkatin e tij në këtë rrëfim solemn. Ai nuk e quan vrasje pa dashje dhe as nuk e etiketon si një pakujdesi për shkak të së cilës një aksident fatkeq i ndodhi një njeriu të drejtë, por i vë mëkatit emrin e tij të vërtetë: “gjaku i derdhur”. Davidi nuk e vrau me duart e veta burrin e Bath-Shebës; por meqenëse në zemrën e vet kishte bërë plan që Uriahu duhej të vritej, përpara Zotit, Davidi ishte përgjegjës për vrasjen e tij. Mësohu të jesh i ndershëm me Perëndinë kur i rrëfen mëkatet e tua! Mos u vër emra të bukur mëkateve të neveritshme, sepse sido që t’i quash, ato do të kutërbojnë erë të keqe! Duhet të përpiqesh që për ty ato të jenë ashtu siç i sheh Perëndia; dhe me gjithë zemrën tënde duhet ta pranosh natyrën e tyre të vërtetë. Vër re se si Davidi ishte qartazi i rënduar nga fëlliqësia e mëkatit të tij! Fjalët përdoren lehtë, por vështirë se mund ta ndiesh me zemër domethënien e tyre. Psalmi i pesëdhjetenjëtë është tabloja e një fryme të penduar. Le të kërkojmë të shfaqim të njëjtën zemër të thyer; sepse sado të shkëlqyera që të jenë fjalët tona, në qoftë se zemra jonë nuk është e vetëdijshme që mëkati meriton të ndëshkohet në ferr, nuk mund të presim që të marrim falje!
Vargu ynë përmban një lutje me gjithë zemër, e cila i drejtohet Perëndisë së shpëtimit. Është e drejta e Tij sovrane të falë; është vetë emri dhe ofiqi i Tij që t’i shpëtojë ata që kërkojnë fytyrën e Tij. Edhe më mirë akoma, vargu e quan Atë: Perëndia i shpëtimit tim. Ne bekojmë emrin e Tij, sepse ndërsa shkojmë ende tek Ai përmes gjakut të Jezusit, mund të ngazëllehemi në Perëndinë e shpëtimit tonë.
Psalmisti e mbyll me një betim të lavdërueshëm: në qoftë se Perëndia do ta shpëtojë, ai do të këndojë—në fakt, ai do të “kremtojë tërë gaz”. Vallë, kush mund ta bëjë të heshtë lavdërimin e tyre nën dritën e një mëshire kaq të madhe sa kjo?! Mirëpo, vërejeni temën e këngës: “drejtësinë tënde”. Duhet t’i këndojmë veprës së përfunduar të Shpëtimtarit të çmuar; dhe ai që e njeh më mirë këtë dashuri falëse, do të këndojë me më shumë gaz nga të gjithë ne.
Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© dritez.al 2023