Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë.

Zanafilla 1:4

Sot në mëngjes pamë mirësinë e dritës dhe se si Perëndia e ndau atë nga errësira, ndërsa tani do të shohim vëmendjen e veçantë që Perëndia i kushtoi dritës. “Perëndia e pa dritën”; e vështroi me kënaqësi, duke e soditur me ëndje dhe e pa që “ishte e mirë”. I dashur lexues, nëse Perëndia ka hedhur dritë mbi ty, Ai e vështron atë dritë me interes të veçantë, ngaqë jo vetëm është e dashur për Të si vepra e duarve të Tij, por edhe sepse ngjan me Të, sepse “Ai është dritë”. Është kënaqësi për besimtarin kur e di se sytë e Perëndisë po e vështrojnë me kaq dashamirësi atë vepër hiri që Ai vetë e ka nisur. Ai nuk i largon kurrë sytë nga thesaret që ka vendosur në enët tona prej balte. Ka raste kur nuk mund ta shohim dritën, por Perëndia e sheh atë përherë, duke e parë shumë më qartë sesa ne vetë. Është më mirë kur gjyqtari e sheh pafajësinë time sesa kur mendoj unë se e shoh atë. Ndihem më i lehtësuar kur e di se jam pjesë e popullit të Perëndisë, por edhe në e ditsha edhe në mos e ditsha, nëse këtë e di Perëndia, unë prapë se prapë ndihem i sigurt. Ky është themeli im: “Perëndia i njeh të vetët”. Ti mund të psherëtish e të rënkosh për shkak të mëkatit të lindur dhe të vajtosh për shkak të errësirës ku dergjesh, e megjithatë, Zoti e sheh “dritën” në zemrën tënde sepse Ai vetë e ka vendosur aty. Në fakt, nuk ka vranësirë dhe zymtësi në frymën tënde që mund ta fshehë dritën tënde nga shikimi i Tij plot hir. Perëndia e sheh “dritën” brenda teje edhe nëse je i shkurajuar sa më s’bëhet, madje edhe sikur të jesh mposhtur nga dëshpërimi, mjafton që fryma jote ta dëshirojë Krishtin dhe të kërkojë prehjen e veprës së Tij të përfunduar. Ai jo vetëm që e sheh, por edhe ruan atë brenda jush. “Unë, Zoti, e ruaj!” Ky është një mendim tepër i shtrenjtë për ata që pasi e kanë ruajtur dhe mbrojtur me plot përkujdesje dritën, ndihen tashmë të pafuqishëm për ta bërë një gjë të tillë. Një ditë Ai do ta kthejë dritën e ruajtur nga hiri i Tij në shkëlqim mesdite dhe në plotësinë e lavdisë së Tij. Drita brenda nesh është agimi i përjetësisë.

Shfaq më shumë

Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023