Qershor 2022

Në kontekstin e këtij vargu, Pali është i shqetësuar që njerëzit po mendonin për veten “më lart sesa duhet të mendonin”. Kura e tij finale për këtë krenari është që të thotë se dhuntitë frymërore jo vetëm që janë punë e hirit të lirë të Perëndisë në jetën tonë, por i tillë është edhe vetë besimi me të cilin ne i përdorim ato dhunti. “…sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.”

Kjo do të thotë se ne na hiqet çdo arsye e mundshme për t’u mburrur. Si mund të mburremi nëse edhe kualifikimi për marrjen e dhuntive është vetë dhuratë?

Kjo e vërtetë ka një ndikim të thellë në mënyrën se si lutemi. Jezusi na jep shembullin te Luka 22:31-32. Para se Pjetri ta mohojë Atë tri herë, Jezusi i thotë: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri. Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.”

Jezusi u lut që besimi i Pjetrit të forcohej edhe përmes mëkatit të mohimit, sepse Ai e di që Perëndia është Ai që jep besim. Prandaj, edhe ne duhet të lutemi ashtu siç u lut Jezusi—për veten tonë dhe për të tjerët, që Perëndia të na e forcojë besimin tonë.

Kështu edhe babai me djalin epileptik, klithi: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim.” (Marku 9:24). Kjo është një lutje e mirë. Ajo pranon se pa Perëndinë, ne s’mund të besojmë ashtu si duhet të besojmë.

Le të lutemi çdo ditë: “O Zot, faleminderit për besimin tim. Zot mbështete, forcoje, thelloje. Mos lejo që të dështojë. Bëje besimin fuqinë e jetës time, që në gjithçka që bëj, Ti të marrësh lavdinë si Dhuruesi i madh. Amen.”

Shfaq më shumë

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Katër prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pes Pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, Virusi Korona dhe Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022