9 dhjetor

Gjoni 1:51

Pastaj i tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut.”

Pse në vargun 51 dhe në vende të tjera në Ungjill, Jezusi quhet Biri i njeriut? Kjo ka të bëjë shumë me Adventin.

Nuk është thjesht për faktin se Ai është njeri, por sepse figura e një ‘Biri njeriu’ te Danieli 7:13 është njëkohësisht njeri dhe shumë më tepër se njeri. Ky ishte titulli i preferuar që Jezusi përdori për veten e Tij: Bir i njeriut. Ky titull përdoret mbi tetëdhjetë herë në Ungjij dhe vetëm Jezusi e përdor për t’iu referuar vetes.

Titullin ‘Biri i njeriut’ e gjejmë te Danieli 7:13-14:

Danieli 7:13-14

Unë shikoja disa vegime nate,

dhe ja mbi retë e qiellit

po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu;

ai arriti deri te i Lashti i ditëve

dhe iu afrua atij.

Atij iu dha sundimi,

lavdia dhe mbretëria,

me qëllim që gjithë popujt,

kombet dhe gjuhët t’i shërbenin;

sundimi i tij është një sundim i përjetshëm

që nuk do të kalojë,

dhe mbretëria e tij është një

mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë.”

Kjo është gjuha e mbretërisë, lavdisë dhe sovranitetit (Gjoni 3:13; 5:27; 6:62). Ka një theks tjetër nga titujt Bir i Perëndisë dhe Mbret i Izraelit. Titulli ‘Biri i njeriut’ tingëllon si më i zakonshëm dhe më i përulur. Prandaj, kur Jezusi e përdori këtë titull, pretendimet e Tij për mbretërinë, lavdinë dhe sovranitetin nuk tingëllonin aq hapur. Vetëm ata që kishin veshë për të dëgjuar, e kapën  kuptimin e lartësuar të termit Bir i njeriut, kur Jezusi e përdori këtë titull.

Prandaj, kësaj here nuk ishin udhëheqësit judenj ata që e përdorën titullin për ta çuar në kryq. Vetë Jezusi e përdori në atë mënyrë. Vargjet kyç janë te Gjoni 3:14-15: “Dhe ashtu si Moisiu e ngriti gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut, që të gjithë që besojnë në të, të mos humbasin, por të kenë jetën e përjetshme.”

Prandaj, mund të themi se lavdia më e madhe që mund të shihte Natanaeli, apo ju dhe unë është lavdia e Birit të njeriut, Zotit të qiellit, sundimi i të Cilit është një sundim i përjetshëm, lavdia e Atij që u ngrit lart në kryq për të vdekur për mëkatarët.

Prandaj, kur gjatë këtij Adventi ta shihni Jezusin  si Birin e Perëndisë, si Mbretin e Izraelit dhe si Birin e njeriut, sigurohuni që ta shihni Atë tek vdiq për t’ju dhënë jetën e përjetshme dhe si rrjedhim shiheni Jezusin si të lavdishëm.

Përktheu: www.fjaletejetes.com

Shkëputur nga libri i John Piper “Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm”