Prill 2022
Pali përmend dy mënyra specifike për ta kujtuar Jezusin: Kujtoje Atë si Ai që u ringjall prej së vdekurish dhe kujtoje Atë si pasardhësin e Davidit. Pse t’i kujtojmë këto dy gjëra për Jezusin?
Sepse, nëse Ai është ringjallur prej së vdekurish, Ai është i gjallë dhe triumfues mbi vdekjen—përfshirë këtu edhe mbi vdekjen tonë! “Por në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish… do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju” (Romakëve 8:11).
Kjo do të thotë se nuk ka rëndësi se sa serioze bëhet vuajtja, sepse pasoja më e rëndë që mund të shkaktojë këtu në tokë, është vdekja jote. Jezusi ia ka hequr gjembin vdekjes, armikut tonë. Ai është i gjallë! Edhe ti do të jesh i gjallë. “Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin” (Mateu 10:28).
Për më tepër, ringjallja e Jezusit nuk ishte një ringjallje e rastësishme, por vetë ringjallja e birit të Davidit. “Kujto Jezu Krishtin, prej farës së Davidit, të ringjallur prej së vdekurish.” Pse e thotë Pali këtë?
Sepse çdo jude, e dinte çfarë do të thoshte kjo. Kjo do të thoshte se Jezusi është Mesia (Gjoni 7:42). Gjithashtu do të thoshte se kjo ringjallje, ishte ringjallja e një Mbreti të përjetshëm. Dëgjo fjalët që engjëlli i tha Marisë, nënës së Jezusit:
“Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezus. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Më të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij; dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur.” (Luka 1:31-33).
Prandaj, kujto Jezusin, Atë të cilit i shërben dhe Atë për të cilin vuan. Ai jo vetëm që është i gjallë prej së vdekurish, por Ai është i gjallë si një Mbret që do të mbretërojë përjetë—mbretëria e Tij nuk do të ketë të sosur. Pavarësisht se çfarë të bëjnë njerëzit, mos ki frikë. Ti do të jetosh sërish dhe do të mbretërosh bashkë me Të.
John Piper (@JohnPiper) është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Katër prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pes Pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, Virusi Korona dhe Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh..
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022