Nëntor 2022

Askush nuk është ndier i padashur, sepse iu tha që arritja e gëzimit të tij do ta bëjë dikë tjetër të lumtur. Kurrë nuk jam akuzuar për egoizëm kur e kam justifikuar një mirësi mbi faktin që ajo më jep kënaqësi. Përkundrazi, veprimet e bëra me dashuri janë të vërteta në atë masë që të mos bëhen duke u ankuar.

Dhe alternativa e mirë e bërjes së diçkaje duke u ankuar nuk është ta bësh me indiferentizëm apo se e ke për detyrë, por ta bësh me gëzim. Zemra e vërtetë e dashurisë e do mëshirën (Mikea 6:8), jo thjesht tregon mëshirë. Hedonizmi i krishterë na shtrëngon që ta marrim parasysh këtë të vërtetë.

Në këtë njohim që i duam bijtë e Perëndisë; kur duam Perëndinë dhe mbajmë urdhërimet e tij. Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të mbajmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda. Sepse gjithçka që ka lindur prej Perëndisë e mund botën. (1 e Gjonit 5:2-4)

Lexoji këto fjali në rendin e kundërt dhe shiko logjikën. Së pari, të kesh lindur nga Perëndia të jep një fuqi që e mund botën. Kjo jepet si baza apo themeli (vër re fjalën “Sepse”) për deklaratën që thotë se urdhërimet e Perëndisë nuk janë të rënda.

Pra, të qenët i lindur nga Perëndia të jep një fuqi që e mposht antipatinë e botës ndaj vullnetit të Perëndisë. Tani urdhërimet e Tij nuk janë “të rënda”, por ato janë dëshira dhe kënaqësia e zemrës sonë. Kjo është dashuria e Perëndisë: jo vetëm që t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, por edhe fakti që ato nuk janë të rënda.

Pastaj, në vargun 2, prova e vërtetësisë së dashurisë sonë për bijtë e Perëndisë thuhet se është dashuria për Perëndinë. Çfarë na mëson kjo për dashurinë tonë ndaj bijve të Perëndisë?

Përderisa dashuria për Perëndinë është që ta bëjmë me gëzim vullnetin e Tij dhe jo sikur të jetë barrë, dhe përderisa dashuria për Perëndinë është standardi i vërtetësisë së dashurisë sonë ndaj bijve të Perëndisë, atëherë edhe dashuria jonë për bijtë e Tij duhet të ushtrohet me gëzim dhe jo me ankesa.

Hedonizmi i krishterë qëndron hapur në shërbim të dashurisë, duke qenë se na nxit drejt bindjes së gëzueshme dhe jo thjesht drejt bindjes me ankesa.

Shfaq më shumë

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022