John Currid

Një realitet me të cilin përballem kur jap mësim rreth librit të Eksodit është se shumë prej studentëve të mi kryesisht as që e kanë idenë për faktin sesa thellë e njeh autori biblik kulturën egjiptase. Besoj se ky lloj të menduari vlen edhe për shumicën e kishës në ditët e sotme. Të dyja traditat, si ajo e krishterë edhe ajo hebraike, shpallin se autori i librit është Moisiu. Moisiu e njihte mirë gjuhën e Egjiptit, teologjinë e popullit egjiptas, si dhe mënyrën e jetesës së vendit. Thënë ndryshe, Moisiu nuk shkruante rreth Egjiptit nga larg dhe as ishte i panjohur me esencën e kulturës egjiptase. Ai e njihte thellësisht Egjiptin e lashtë dhe do të dëshiroja të trajtoja shkurtimisht tri aspekte të narrativës së eksodit që e pasqyrojnë këtë të vërtetë.

1. Eksodi përmban disa paralele të thella tematike, të cilat shpesh nuk vihen re.

Tek Eksodi 2:1–10 lexojmë se Jokebeda, nëna e Moisiut, e vendosi foshnjën në “një kanistër prej xunkthi” (Eksodi 2:3) dhe kështu ia besoi atë kallamishteve në brigjet e lumit Nil. Dy fjalët hebraike për “një kanistër prej xunkthi” janë që të dyja fjalë të huazuara nga gjuha egjiptase. Fjala e parë është gome, që në gjuhën egjiptase do të thotë “xunkth”, pra, bëhet fjalë për kallamishtet e gjata që gjenden në brigjet e burimeve ujore te Egjiptit, sikurse lumi Nil. Fjala e dytë është tevah, një fjalë egjiptase kjo që do të thotë “shportë, qivur, arkë, kanistër”. Kjo fjalë përdoret vetëm në një episod tjetër të Dhiatës së Vjetër e pikërisht në episodin e përmbytjes, atëherë kur “Zoti i tha Noeut: “Hyr në arkë (tevah), bashkë me tërë familjen tënde” (Zanafilla 7:1). Kjo nuk është thjesht një rastësi. Ajo se çfarë shohim këtu është një paralele tematike madhështore, sepse si Noeu, ashtu edhe Moisiu përballen me kërcënimin e ujërave dhe që të dy hyjnë në një arkë, mbijetojnë dhe bëhen çlirimtarët e popujve të tyre. (Duhet vënë në dukje gjithashtu se qoftë Noeu, ashtu edhe Jokebeda i lyejnë arkat e tyre me “bitum” për t’i mbrojtur ato prej forcave shkatërrimtare [shih Zanafilla 6:14].)

Në vargun 10 të këtij pasazhi, lexojmë rreth domethënies së emrit të Moisiut dhe faktin që e bija e Faraonit e rrit Moisiun si birin e saj. Ajo e quan fëmijën “Moisi”, që vjen prej foljes hebraike “me nxjerrë”. Mirëpo, ky emër është edhe një fjalë egjiptase që do të thotë “biri i”. Emrat egjiptas e përdorin atë në lidhje me fjalë të tjera: Thutmosis (biri i Thutit) dhe Ahmosis (biri i Ahut) janë shembujt më të mirënjohur. Mirëpo, për Moisiun ky emër nuk është i lidhur me një emër të rasës gjinore, sepse emri i tij thjesht do të thotë “biri i”. Kjo është një lojë fjalësh e autorit biblik për të theksuar faktin që Moisiu në realitet nuk është biri i Egjiptit; faktikisht, mohimi që i bën Egjiptit tregon se ai është biri i Izraelit (shih Hebrenjve 11:24–25).

2. Plagët nuk shfaqin vetëm fuqinë e Perëndisë, por edhe fuqinë e Perëndisë në krahasim me hyjnitë e Egjiptit.

E vërteta e dytë e librit të Eksodit, që shpesh nuk vihet re prej njerëzve, është fakti që shkatërrimi i Egjiptit përmes plagëve është në realitet dhe në thelb konflikti mes Perëndisë së Izraelit dhe perëndive të Egjiptit. Narrativa e plagëve fillon me Perëndinë që godet lumin Nil dhe e shndërron ujin e tij në gjak (Eksodi 7:14–25). Përse vallë Perëndia e përdor këtë gjykim kundër Egjiptit? Egjiptasit e lashtë e konsideronin lumin Nil si burimin kryesor të ekzistencës së tyre. Ata po ashtu besonin se në fazën e përmbytjeve (kur dilte nga shtrati dhe mbulonte tokat), Nili hyjnizohej dhe shndërrohej në perëndinë Hapi. Kur Zoti i ktheu ujërat e Nilit në gjak, Ai u tall me atë hyjni egjiptase. Kjo plagë shërbeu si demonstrim i faktit se ushqimi i vërtetë vjen vetëm prej dorës sovrane të Zotit dhe jo prej një hyji të rremë pagan të egjiptasve. Plagët e tjera po ashtu mund të shihen si sulmi i Zotit kundër shumë prej hyjnive të tjera të egjiptasve.

3. Eksodi mund t’i jetë referuar qëllimisht një episodi të marrë nga letërsia egjiptase.

Së treti, është po ashtu e rëndësishme për studiuesin e Biblës që të kuptojë se Moisiu e shkroi librin e Eksodit duke qenë një njohës i mirë i letërsisë së lashtë egjiptase të asaj kohe. Stefani na thotë te Veprat e Apostujve 7:22 se “Moisiu u arsimua në gjithë urtësinë e egjiptasve”. Kështu që sa i përket bëmës madhështore të Zotit që ndau Detin e Kuq, është interesante të vëmë re se vetë egjiptasit kishin një histori për një prift që ndau në mes një masë të madhe uji. Papirusi Westcar na rrëfen historinë e Mbretit egjiptas Snofru që po lundronte me barkë në një liqen dhe ndërkohë një prej rremtareve të tij i bie në ujë hajmalia në formë peshku. Snofru thërret priftin Djadjaemonkh që ta zgjidhte këtë problem. Prifti i ndan ujërat, duke e vendosur një anë të liqenit mbi tjetrën dhe kështu e gjen hajmalinë në formë peshku në tokë të thatë. Pastaj ai e kthen ujin e liqenit ashtu siç ishte më parë. Duket se kur e përshkruan ndarjen e ujërave të Detit të Kuq, Moisiu po tallet me përrallën egjiptase. Prifti egjiptas me gjasë e ndau liqenin për të gjetur një hajmali të çmuar, por Perëndia i Izraelit e ndau gjithë Detin e Kuq dhe bëri që një komb i tërë ta kapërcente atë në tokë të thatë. Kush është më i fuqishmi në këtë mes?

Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-exodus

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon