…Ai është në të djathtë të Perëndisë.
Romakëve 8:34
Ai që dikur u përbuz dhe u hodh poshtë nga njerëzit, tashmë ka zënë pozitën e nderit të Birit shumë të dashur e të nderuar. E djathta e Perëndisë është vendi i madhështisë dhe i favorit. Zoti ynë Jezus është përfaqësuesi i popullit të Tij. Kur Ai vdiq në vendin e tyre, ata gjetën prehje; kur Ai u ringjall së vdekurish për ta, ata morën lirinë; atëherë kur po Ai Jezus u ul në të djathtë të Atit, ata fituan favorin, nderin dhe dinjitetin. Ngjitja dhe lartësimi i Krishtit janë lartësimi, pranimi dhe përlëvdimi i të gjithë popullit të Tij, sepse Ai është Kreu dhe Përfaqësuesi i tyre. Prandaj, ulja e Tij në të djathtë të Perëndisë duhet konsideruar si pranimi i Përfaqësuesit dhe për pasojë, si pranimi i shpirtrave tanë.
O besimtar, kjo është arsyeja pse je çliruar nga dënimi! “Kush është ai që do t’i dënojë?” Kush do t’i dënojë ata që, në Jezusin, janë ulur në të djathtën e Perëndisë?
Krahu i djathtë është vendi i pushtetit. Duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë, Krishti ka gjithë pushtetin në qiell e në tokë. Kush do të luftojë kundër popullit që ka një Komandant të veshur me një pushtet kaq të madh? Shpirti im, çfarë mund të të shkatërrojë nëse I Gjithëfuqishmi është ndihma jote? Cila shpatë mund të të lëndojë nëse I Gjithëpushtetshmi të mbulon [me krahët e Tij të fuqishëm]?
Ji i sigurt për këtë gjë: në qoftë se Jezusi është Mbreti yt plotësisht fitimtar dhe i ka shtypur me këmbë armiqtë e tu, në qoftë se Ai e ka mposhtur mëkatin, vdekjen dhe ferrin, dhe ti je i përfaqësuar në Të, nuk ka asnjë gjasë që ti të shkatërrohesh.
Emri i tmerrshëm i JezusitE shporr çdo armik:Jezusi, Qengji i butë, i zemëruar,Në luftë është luan.Përballë gjithë ushtris’ së ferrit;Mposhtim mbar’ armatat e territ;Gjaku i Jezusit fitore mbi ta na jepN’beteja tjera shkojm’ t’ngadhënjejm’.
Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© dritez.al 2023