Ju, burra, duajini gratë tuaja, sikurse edhe Krishti deshi kishën.

Efesianëve 5:25

Çfarë shembulli të mrekullueshëm u jep Krishti dishepujve të Tij! Pak mësues do të guxonin të thoshin: “Nëse do të donit të vinit në jetë mësimin tim, imitoni jetën time.” Mirëpo, duke qenë se jeta e Jezusit është riprodhimi më i saktë i virtytit të përsosur, Ai mund ta paraqesë Veten jo vetëm si modelin e shenjtërisë, por edhe si mësuesin e saj. I krishteri nuk duhet të ketë asnjë model tjetër veç Krishtit. Nuk duhet të jemi asnjëherë të kënaqur, po qe se nuk pasqyrojmë të njëjtin hir që ishte në Të.

Në rolin e tij si bashkëshort, i krishteri duhet të vështrojë portretin e Krishtit Jezus, dhe ai duhet të pikturojë në bazë të këtij portreti. I krishteri i vërtetë duhet të jetë një bashkëshort i tillë, siç ishte Krishti për kishën e Tij.

Besimtar, ti mahnitesh me dashurinë e Jezusit dhe e admiron atë, por a po e imiton atë dashuri? Në marrëdhënien me gjysmën tënde të ëmbël, a është etaloni dhe masa e dashurisë sate: “sikurse edhe Krishti deshi kishën”?

Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023