Duke ngritur mbi to daltën, do t’i ndotësh.

Eksodi 20:25

Altari i Perëndisë duhej ndërtuar me gurë të palatuar, me qëllim që asnjë gjurmë e mjeshtërisë ose punës njerëzore të mos dallohej në të. Urtësisë njerëzore ia ka ënda t’i latojë dhe t’i vendosë doktrinat e kryqit brenda një sistemi artificial, i cili u shkon më mirë për shtat shijeve të shthurura të natyrës së rënë. Mirëpo, në vend që ta përmirësojë Ungjillin, urtësia e mishit e ndot atë, derisa ai bëhet një ungjill krejt tjetër, dhe jo më e vërteta e Perëndisë.

Të gjitha ndryshimet dhe shtesat e Fjalës së vetë Zotit janë [në të vërtetë] njollosje dhe përdhosje. Zemra kryelartë e njeriut është e ethshme që të ketë pjesën e vet në drejtësimin e shpirtit përpara Perëndisë, duke ëndërruar përgatitje për Krishtin, duke besuar në përulje dhe pendime, duke ngritur në qiell veprat e mira, duke lëvduar aftësitë njerëzore, duke bërë, pra, çdo përpjekje të mundshme njerëzore për ta latuar altarin e Perëndisë me veglat njerëzore.

Sa mirë do të ishte sikur mëkatarët t’i kujtonin vetes se, në vend që ta përsosë veprën e Shpëtimtarit, vetëbesimi i tyre njerëzor vetëm sa e ndot dhe e çnderon atë. Vetëm Zoti duhet lartësuar në veprën e shlyerjes, sepse në të nuk pranohet as edhe një shenjë e vetme e daltës apo çekanit njerëzor. Përpjekja për t’i shtuar diçka veprës që Krishti Jezus, tek po jepte shpirt, e shpalli të përfunduar, apo për ta përmirësuar veprën që i fal kënaqësi të përsosur Zotit Jahveh, është pa dyshim blasfemi kokë e këmbë. Mëkatar fërgëllues, hidhi tutje veglat e tua dhe bjer në gjunjë me përgjërime plot përulje; pranoje Zotin Jezus si altarin e shlyerjes sate dhe prehu vetëm në Të!

Leximi i këtij mëngjesi është një paralajmërim i mirë për shumë besimtarë për sa u përket doktrinave që ata besojnë. Shumë besimtarë shfaqin prirje për t’i zbutur e përshtatur të vërtetat e zbulesës. Kjo është një formë mungese respekti dhe mosbesimi. Le ta luftojmë këtë prirje dhe ta pranojmë të vërtetën sa herë që e hasim, duke u gëzuar që doktrinat e Fjalës janë gurë të palatuar, të cilët, në këtë mënyrë, janë edhe më të përshtatshëm për të ndërtuar me to një altar për Zotin.

Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023