“I njoh vuajtjet e tij.”
Eksodi 3:7
Fëmija ngazëllehet tek këndon: “Këtë ati im e di”; po ne, a nuk do të përdëllehemi teksa kuptojmë se Miku ynë i dashur dhe zemërbutë di gjithçka rreth nesh?
1. Ai është Mjeku, dhe nëse Ai di gjithçka, nuk është e nevojshme që pacienti ta dijë. Qetësohu ti, o zemër budallaqe, e paqëndrueshme, kurioze, përgjuese dhe dyshuese! Atë që nuk e di tani, do ta marrësh vesh më vonë; dhe ndërkaq Jezusi, Mjeku i dashur, e njeh shpirtin tënd edhe mes vështirësive. Përse duhet vallë që pacienti t’i analizojë të gjitha barnat [që i rekomandohen] apo t’i studiojë të gjitha simptomat [e sëmundjes së vet]? Kjo është puna e Mjekut, jo e imja; detyra ime është të kem besim, ndërsa e Tija që t’i rekomandojë ato. Po qe se e shkruan recetën me një shkrim të palexueshëm, një gjë e tillë nuk do të më shqetësojë aspak, sepse do të mbështetem në aftësinë e tij të pagabueshme për ta sqaruar gjithçka përmes rezultatit, sado i mistershëm që mund të duket procesi.
2. Ai është Zoti, dhe njohja e Tij ka për qëllim të na shërbejë neve në vend të njohjes sonë; ne duhet të bindemi dhe jo të gjykojmë: “…shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti” (Gjoni 15:15). A do t’ia shpjegojë vallë arkitekti planet e tij çdo muratori në detyrë? A nuk mjafton vallë fakti që ky i fundit të jetë në dijeni të pjesës që i takon për të bërë? Ena prej balte që formësohet në rrotën e poçarit, nuk mund ta marrë me mend se cila do të jetë trajta e saj përfundimtare, por në qoftë se poçari është një zejtar i zotë, padija e baltës është e parëndësishme. Zoti im nuk duhet të merret në pyetje [për qëllimin e veprave të Tij] nga një kokërr injoranti si puna ime.
3. Ai është Kreu. Gjithë zgjuarsia përqendrohet tek Ai. E ç’gjykim ka vallë krahu? Po këmba, ç’aftësi ka për të kuptuar? Mbarë fuqia për të ditur qëndron te kryet. Përse duhet vallë që gjymtyrët të kenë trurin e tyre kur kreu e përmbush shumë mirë funksionin intelektual? Kështu, pra, ngushëllimi i vetëm i besimtarit, kur vuan nga sëmundje, nuk duhet të jetë fakti se arrin ta shohë fundin e tyre, por se Jezusi di gjithçka. Zot i dashur, qofsh gjithmonë syri, zemra dhe kryet tona, dhe qofshim të kënaqur duke ditur vetëm atë që ke vendosur të na zbulosh!
Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© dritez.al 2023