Zoti mbretëron; le të gëzohet toka.

Psalmi 97:1

Nuk ka asnjë arsye reale për t’u shqetësuar, për aq kohë sa kjo fjali e bekuar është e vërtetë. Mbi tokë, fuqia e Zotit është po aq në kontroll të zemërimit të të ligjve sa edhe në kontroll të shkulmave të detit; dashuria e Tij e freskon të varfrin me mëshirë po aq lehtë sa edhe tokën me shira. Madhëria vezullon në flakët e vetëtimave mes tmerreve të stuhisë dhe lavdia e Zotit dallohet me gjithë madhështinë e saj në rënien e perandorive dhe në shembjen e froneve. Në të gjitha konfliktet dhe mundimet tona mund të vërejmë dorën e Mbretit hyjnor.

Çdo vështirësi dhe lot tonin,Zoti Perëndi shikon dhe dëgjon.Shpirt, mes dhimbjesh, mos harro,Perëndia mbi gjithçka përjetë mbretëron.

Në ferr, frymët e liga e pranojnë me hidhërim epërsinë e Tij të padiskutueshme. Kur lejohen të vijnë vërdallë nëpër botë, e bëjnë këtë me zinxhirë ndër këmbë; kapistra gjendet në gojën e bishës [behemothit] dhe çengeli në gojë të përbindëshit [leviathanit]. Shigjetat e vdekjes janë nën pushtetin e Zotit, ndërsa burgjet e varrit kanë fuqinë hyjnore si gardianin e tyre. Hakmarrja e tmerrshme e Gjyqtarit të mbarë dheut i bën djajtë të dridhen e të mblidhen kruspull.

Mos druaj vdekjen, as t’Satanit shigjeta,Perëndia e mbron atë që tek Ai beson;Shpirt, mes dhimbjesh, ti kujto,Perëndia mbi gjithçka përjetë mbretëron.

Në qiell askush nuk e vë në dyshim sovranitetin e Mbretit të Përjetshëm, por të gjithë bien përmbys në nderim të Tij. Engjëjt janë oborrtarët e Tij, të shpenguarit janë beniaminët e Tij, dhe të gjithë kënaqen t’i shërbejnë Atij ditë e natë. Mbërritshim sa më shpejt në qytetin e Mbretit të madh!

Në vend të kësaj nate t’gjatë trishtimi,Paqe dhe hare Ai na dhuron.Shpirt, mes dhimbjesh, kujto,Perëndia mbi gjithçka përjetë mbretëron.

Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023