Dhe kur arritën në vendin që quhet “Kafkë”…
Luka 23:33
Kodra e ngushëllimit është kodra e quajtur “Kafka” ose “Kalvari”; shtëpia e përdëllimit është ndërtuar prej drurit të kryqit; tempulli i bekimit qiellor ngrihet mbi themelin e shkëmbit të çarë—të tejshpuar nga heshta që përshkoi brinjën e Tij. Nuk ka asnjë episod tjetër të historisë së shenjtë që e gëzon shpirtin kaq shumë sa tragjedia e Kalvarit.
E habitshme apo jo, më e errëta orëQë agoi ndonjëher’ mbi tokën mëkatare,Ta prekë zemrën me fuqi ngushëlluese,Më të butë sesa gëzimi i një engjëlli?Që ta kthejë shikimin e vajtuesit te Kryqi,Më shpejt se atje ku yjet e Betlehemit shkëlqejnë?
Drita buron nga terri i mesditës së Golgotës dhe çdo lule e lëndinës lulëzon ëmbël nën hijen e drurit që dikur ishte i mallkuar. Në atë vend etjeje, hiri ka hapur një burim prej të cilit gurgullon ujë i pastër si kristali, ku çdo pikë e tij është e aftë të lehtësojë mjerimet e njerëzimit. Ti që ke kaluar periudhat e tua të luftës së brendshme do të rrëfesh, pra, se nuk gjete ngushëllim mbi Malin e Ullinjve, as në malin e Sinait, dhe as në malin e Taborit; por se vendet e tua të përdëllimit kanë qenë Gjetsemani dhe Golgota. Barishtet e hidhura të Gjetsemanit shpesh i kanë larguar dhimbjet e jetës sate; dhe rënkimet e Kalvarit të falin ngushëllime të rralla e të pasura.
Nuk do ta kishim njohur kurrë dashurinë e Krishtit në të gjitha lartësitë dhe thellësitë e saj nëse Ai nuk do të kishte vdekur [në kryq]; dhe as do të kishim arritur ta kuptonim dashurinë e thellë të Atit nëse Ky nuk do ta kishte dhënë Birin e Tij të vdiste [për ne]. Të gjitha mëshirat e zakonshme që gëzojmë, i këndojnë dashurisë, ashtu si guaska e detit, kur e vëmë në vesh, na pëshpërit tingujt e detit të thellë prej të cilit erdhi; por nëse dëshirojmë të dëgjojmë vetë oqeanin, nuk duhet ta hedhim vështrimin te bekimet e përditshme, por te shkëmbimet që u bënë në kryqëzim. Nëse dëshiron ta njohësh dashurinë, bën mirë t’i ngjitesh sërish Kalvarit dhe ta shohësh atje Njeriun e dhimbjeve tek vdes.
Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
© dritez.al 2023