Në mishin tim do të shoh Perëndinë.

Jobi 19:26

Vëreni objektin e pritjes së devotshme të Jobit: “Do të shoh Perëndinë.” Ai nuk thotë: “Do të shoh shenjtorët”—megjithëse, pa dyshim, edhe ajo do të jetë një lumturi e papërshkrueshme—por thotë: “Do të shoh Perëndinë.” Nuk thotë: “Do të vështroj portat e margaritarta, do të shoh muret prej diaspri, do të sodis kurorat e florinjta”, por thotë: “Do të shoh Perëndinë.”.

Ky është thelbi i parajsës; kjo është shpresa e gëzueshme e të gjithë besimtarëve. Është kënaqësia e tyre që tani e vështrojnë Perëndinë me sytë e besimit, përmes mjeteve të hirit. Atyre u pëlqen shumë që ta shohin Atë në Darkën e Zotit dhe në lutje; por atje në qiell shikimi i tyre do të jetë i pakufizuar dhe i qartë, dhe kështu, duke e parë “atë sesi është” (1 e Gjonit 3:2), do të bëhen plotësisht të ngjashëm me Të.

Ngjashmëri me Perëndinë—e çfarë mund të dëshirojmë më tepër? Dhe një pamje të Perëndisë—e çfarë mund të shpresojmë të kemi më tepër? Disa e lexojnë vargun “Në mishin tim do të shoh Perëndinë”, duke gjetur aty një aludim për Krishtin, si “Fjala që u bë mish”, dhe për pamjen e Tij të lavdishme, që do të jetë shkëlqimi i ditëve të fundit.

Qoftë kështu apo jo, është e sigurt se Krishti do të jetë objekti i shikimit tonë të përjetshëm; dhe as nuk do të kërkojmë ndonjëherë ndonjë gëzim më të madh sesa ta sodisim Atë. Mos mendo se kjo do të jetë një fushë e kufizuar në të cilën do të përqendrohet mendja. Ekziston një burim i vetëm kënaqësie, por ai burim është i pafundmë. Të gjitha atributet e Tij do të jenë tema për përsiatje dhe, duke qenë se Ai është i pafundmë në çdo aspekt, nuk kemi pse druhemi se mos shterojnë. Veprat e Tij, dhuratat, dashuria e Tij për ne, lavdia e Tij në të gjitha qëllimet dhe bëmat e Tij, të gjitha këto përbëjnë një temë që do të mbetet përherë aktuale.

Patriarku mezi ç’priste ta shihte këtë pamje të Perëndisë si një kënaqësi personale. “Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin dhe jo një tjetër.” (Jobi 19:27) Fillo të përfytyrosh pamjet e lumturisë qiellore; pa mendo se ç’do të jetë për ty. “Sytë e tu do të sodisin bukurinë e mbretit tënd.” (Isaia 33:17) I gjithë shkëlqimi i kësaj toke zbehet dhe zvetënohet teksa e sodisim atë, megjithatë ekziston një shkëlqim që nuk mund të zbehet kurrë, një lavdi që nuk mund të zvetënohet asnjëherë—“Do ta shoh Perëndinë.”

Shfaq më shumë

Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2023